Vendi

Kur pritet që kurba e COVID-19 të arrijë kulmin? Mjekja e ISHP tregon detaje në Euronews Albania

Përditësimi i fundit: 31/03/2020 - 09:59
Text size Aa Aa

Shqipëria vijon të përballet me virusin vdekjeprurës COVID-19. Deri tani në vendin tonë janë konfirmuar nga ministria e Shëndetësisë mbi 200 raste të prekura, ndërsa 12 persona kanë humbur jetën si pasojë e virusit në fjalë. Mjekja pranë ISHP-së, Genta Qirjako në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania analizoi situatën në të cilën ndodhet sot vendi ynë.

Ajo tha se ISHP-ja vijon punën pa ndërprerje dhe ka të gjitha kapacitetet për të kryer testimin e rasteve të dyshuara për COVID-19. Në lidhje me testimin masiv të qytetarëve, doktoreshë Qirjako tha se ekspertët shqiptarë nuk e shohin të udhës kryerjen e testeve masive, por kjo strategjia nënvizoi ajo bëhet vetëm për rastet e referuara.

"Unë besoj se ne e kemi kaluar këtë fazë. ISHP-ja i ka të gjitha kapacitetet për të bërë më shumë testime, por numri i testimeve varet nga numri i referimeve. Ky problem tashmë është zgjidhur. Shumica e ekspertëve shqiptarë e kanë pohuar  se testimet e panevojshme nuk do rrisnin vlerën e situatës në të cilën ndodhemi . Lidhur me kapacitetet, ISHP-ja bën shumë më tepër se numri që raportohet. Kemi kaluar në disa faza. Në fazën e parë përkufizimi i rastit ishte më i pergjithshëm. Tani, në fazën e pandemisë, rastet që kanë të drejtën të bëjnë testimin janë raste që përveç kollës dhe temperaturës, kanë probleme edhe me frymëmarrjen. Sigurisht nuk përjashtohen rastet e kontaktit. Kjo e drejtë nuk i është refuzuar askujt", tha ajo.

Ajo pohoi se numri i vogël i rasteve të regjistruara me coronavirus është shenjë pozitive. Doktoreshë Qirjako u shpreh se dy javët e ardhshme do të jenë javë kritike, të cilat siç shtoi ajo do të ndihmojnë ekspertët për të projektuar kurbën e pandemisë COVID-19 në Shqipëri.

"Të gjithë mjekët që shfaqin ankesa dhe simptoma që lidhen me COVID u janë nënshtruar kontrolleve. Rënia e numrit të rasteve duket një shenjë optimiste, megjithatë eshte herët të themi që ky është një rezultat final, sepse nga vlerësimet në vazhdim këto dy javë do të jenë javët kritike të situatës për të dhënë një vlerësim më shkencor se si do të jetë ecuria e kurbës epidemike”,  tha ajo.

Tregime të lidhura