Vendi

Policia nuk fal abuzuesit, gjobiten këmbësorë dhe bllokohen makina

Përditësimi i fundit: 31/03/2020 - 10:50
Text size Aa Aa

Policia e Shtetit vijon kontrollet në të gjithë territorin duke monitoruar masat kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, me qëllim vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e pandemisë globale COVID-19. Siç njofton policia, në të gjithë vendin përgjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 18 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim-qarkullimit, ku dhe janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.

Ndëshkimeve të policisë nuk I kanë shpëtuar as këmbësorët. Sipas informacioneve të shpërndara për publikun, Policia shprehet se ka ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 81 shtetas, të cilët kishin dalë pa ndonjë arsye për të lëvizur gjatë paradites dhe kanë kundërshtuar urdhrin e punonjësit të Policisë për të hyrë në banesë, si dhe 200 shtetas të tjerë u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, në orët e pasdites, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Është ndëshkuar me masë administrative 700 000 lekë, 1 shtetas, pasi është kthyer nga një vend i prekur nga COVID-19 dhe nuk është gjetur në ambientet e banesës së tij, gjatë kontrollit të bërë nga punonjësit e Policisë.

Strukturat e Policisë në të gjithë vendin kanë vijuar çdo ditë kontrollet në banesat e shtetasve të vetëkarantinuar dhe vetëm gjatë ditës së djeshme janë kontrolluar 302 shtetas. Gjithashtu  shatë njësi tregtare  janë ndëshkuar administrativisht pasi nuk kanë respektuar orarin e mbylljes së subjektit.

Policia apelon për qytetarët se edhe në ditët në vazhdim nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.

Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.

Shërbimet e Policisë shprehen se nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Tregime të lidhura