Vendi

Manastirliu: Aplikimin për përfitimin e ndihmës ekonomike do të bëhet online

Përditësimi i fundit: 01/04/2020 - 17:11
Text size Aa Aa

Ogerta Manastirliu, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë të ditur dot se masat kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19 do të shtyhen pa afat.

“Dua të informoj qytetarët se nga sot shtyhen pa afat urdhrat për masat ndaluese me qëllim kufizimin e përhapjes së COVID-19. Qëndrojnë të mbyllura deri në përfundimin e epidemisë: Çerdhet, kopshtet dhe shkollat – të gjitha institucionet arsimore publike dhe jo publike. Baret, restorantet, lokalet, fast-food-et dhe strukturat akomoduese që ofrojnë shërbim për klientët. Do të jenë të ndaluara deri në përfundimin e epidemisë aktivitetet publike dhe jo publike dhe anullimi i grumbullimeve masive në vende të mbyllura apo të hapura”, shprehet ministrja.

Gjithashtu bëhet me dije se janë shtyrë dhe ndërprerë ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara në të gjithë strukturat spitalore publike dhe jo publike deri në përfundimin e kësaj situate. Ndërkohë të gjithë familjet dhe individët që përfitojnë ndihmën ekonomike do të përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike pa patur nevojë që qytetarët të paraqiten për të kryer aplikimin për përfitimin e kësaj pagese, pasi ai do të jetë online.

“Sipas urdhrit që kam firmosur administratorët shoqërorë të njësive administrative janë përgjegjës për kryerjen e aplikimeve për ndihmë ekonomike duke mundësuar ata vetë kontaktin elektronik ose me telefon për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë aplikuesve për përfitimin e ndihmës ekonomike. Përjashtimisht, gjatë situatës së fatkeqësisë natyrore, aplikimet për ndihmë ekonomike, do të pranohen nga administratorët shoqërorë të njësive administrative në formë elektronike ose përmes shërbimit postar”, bën të ditur ministrja.

Sipas znj. Manastriliu janë rreth 64 mijë familje do të përfitojnë nga dyfishimi i pagesës së ndihmës ekonomike përgjatë gjithë periudhës së fatkeqësisë natyrore. Edhe për personat me aftësi të kufizuar, pagesat do të vazhdojnë pa ndërprerje dhe rikomisionimet e personave me aftësi të kufizuara do të zhvillohen pasi të kalohet gjendja e fatkeqësisë natyrore.

Tregime të lidhura