Ministria e Shëndetësisë raportoi të enjten 10 të diagnostikuar të tjerë me Covid-19 duke e çuar totalin e të infektuarve në 842.
Në deklaratën për shtyp, Rovena Daja, nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), tha se gjatë 24 orëve u testuan 275 qytetarë, prej të cilëve 10 rezultuan pozitivë me koronavirus.
Rastet e reja janë: 3 në Tiranë, 3 Krujë, dy në Kamëz dhe dy në Shkodër.
Në total, nga 842 të infektuarit, 31 kanë vdekur, 605 (+10) janë shëruar dhe 206 mbeten ende të sëmurë, prej tyre 38 (+2) janë në spital, 7 prej të cilëve në terapi intensive.
Një ditë më parë të shtruarit në spital ishin 36, ndërsa të shëruarit 595 persona.
Prej nisjes së pandemisë së Covid-19, ISHP ka kryer 9,806 testime.
Personat ende të sëmurë janë në Tiranë (96), Krujë (69), Shkodër (16), Kamëz (8), Kurbin (4), Elbasan (3), Fier (3), Mirëditë (2), Berat (2), Durrës (1), Korçë (1) dhe Lezhë (1).
Viktimat me koronavirus (31) janë shënuar në qarkun e Tiranës (18), Durrësit (6), Fierit (3), Shkodrës (2) Vlorës (1) dhe Kukësit (1).