Pandemia do të varfërojë edhe më shumë shqiptarët. Në skenarin më të mirë rezulton se rreth 100 mijë qytetarë dhe në rastin më të keq më shumë se 200 mijë individë do të pësojnë ulje të mirëqenies ekonomike.
Banka Botërore ka publikuar një raport të fundit ku analizohet se shkalla e varfërisë në Shqipëri mund të rritet me 4 deri në 8 %, duke shkuar në rreth 40 për qind në skenarin e parë dhe 44 për qind në skenarin e dytë.
Skenari 1 i Bankës Botërore i referohet faktit nëse kriza zgjat 3 muaj dhe skenari 2, nëse zgjat 6 muaj. Niveli i varfërisë Sipas Bankës Botërore, do të rrisë numrin e shqiptarëve që jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë.
Ndikim në këtë situatë do të ketë ulja e të punësuarve në qytete të cilët punojnë në sektorin e shërbimeve dhe pritet të humbasin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre. Edhe emigrantët shqiptarë pritet të preken nga kjo krizë globale, e cila do të çojë në reduktim të të ardhurave e për rrjedhojë edhe të remitancave.