Me 12 anëtarë dhe 3 nivele, cila do të jetë arkitektura e KQZ-së së dalë nga reforma e re zgjedhore

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Të premten morën fund negociatat e gjata për reformën zgjedhore. Por çfarë ishte kjo reformë? Deri tani është publikuar vetëm një draft për riorganizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili me sa duket është institucioni i vetëm i reformuar.

Çfarë do të ndodhë me KQZ?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas reformës do të ketë 12 anëtarë dhe do të ndahet në 3 nivele.

Në krye do të jetë komisioneri, i cili do të drejtojë gjithë punën e këtij institucioni. Komisioneri do të zgjidhet nga parlamenti me një mandat 7-vjeçar të përtëritshëm.

Do të ketë gjithashtu një nënkomisionr, po me mandat 7-vjeçar. Nënkomisioneri sipas dakordësisë, do të zgjidhet nga opozita dhe do të merret specifikisht me 2 çështje. Ai do të sigurojë aplikimin e teknologjisë në zgjedhje dhe do të trajnojë dhe përzgjedhë të gjithë administratën zgjedhore që do të marrë pjesë në zgjedhje.

Më pas vjen Komisioni Rregullator, që është trupa administrative e këtij organi. Rregullatori do të ketë 5 anëtarë, ku njëri prej tyre do të jetë kryetar i zgjedhur nga vetë anëtarët. Mandati i tyre do të jetë 5- vjeçar dhe të gjithë anëtarët zgjidhen në Kuvend me 84 vota. Detyra e kësaj trupe është të miratojë akte normative për mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe të vendosë rregulla për zgjedhjet.

Trupa e tretë, do të jetë Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve ose KAS-i. Edhe kjo trupë do të jetë e përbërë nga 5 anëtarë, por mandati i tyre do të jetë më i gjatë, 9-vjeçar. Këtë trupë do e përbëjnë ish- gjyqtarë, ish-anëtarë të KQZ-së dhe ish-nëpunës të nivelit të lartë të administratës. Ky organ do të shqyrtojë ankimimet administrative të zgjedhjeve, ka fuqinë të shpallë zgjedhjet e paligjshme dhe të vendosë sanksione për shkeljen e Kodit Zgjedhor.

Kjo do të jetë administrata e re që do të organizojë zgjedhjet në Shqipëri.

Gjithashtu, palët kanë rënë dakord që votimi dhe numërimi elektronik, përgjegjësi e nënkomisionerit, do të provohen në projekt-pilot në jo më shumë se 20% të zgjedhësve, ndërsa për identifikimin biometrik, palët kanë rënë dakord që të aplikohet 100%.

Ndryshim strukture është bërë edhe për grupet e numërimit, por jo për këto zgjedhje. Ato do të kenë vetëm 2 anëtarë, ku njëri do të numërojë kutitë e votimit dhe tjetri do të asistojë, dhe për çdo kuti do të ndërrojnë rolet me njëri-tjetrin. Mbetet për t’u caktuar se si do të jenë prezentë partitë politike në këtë proces.

Për këtë ka 3 variante. Varianti i parë është që të ketë 2 monitorë vëzhgimi, një për mazhorancën dhe një për qeverinë. Varianti i dytë është të ketë 3 vëzhgues partiakë, nga një për mazhorancën dhe opozitën që ka dy parti, së bashku me LSI dhe varianti i tretë është një 4 partitë me më shumë vende në parlament të kenë nga një monitor vëzhgimi gjatë numërimit.

Për sa i përket qendrave të votimit. Ato do të kenë 5 anëtarë. 2 anëtarë do të jenë politikë, një nga mazhoranca dhe një nga opozita, por që nuk kanë të drejtë të marrin vendime, por vetëm të monitorojnë dhe të kontestojnë veprime të caktuara. Do të ketë edhe 3 anëtarë të caktuar nga KQZ me short, një kryetar dhe 2 anëtarë pa të drejtë vote.

Ky është depolitizimi i administratës zgjedhore, por që do të nisë nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, pasi për këto zgjedhje dhe për ato lokalet, administrata zgjedhore do të qëndrojë siç është, e kontrolluar nga partitë


Etiketimet

Aksidentohet në Bullgari autobusi nga Kosova

Mëngjesin e sotëm, një autobus me 29 pasagjerë nga Kosova është aksidentuar me një kamion në Kyustendil të Bullgarisë. 9 prej pasagjerëve janë fëmijë. Në...

Kosova ul numrin e aplikimeve për vizë në Gjermani

Kosova ka ulur ndjeshëm numrin e qytetarëve që mund të aplikojnë për vizë në Gjermani, njoftoi Ambasada Gjermane në vend të martën. Edhe personave që...

Kapet i riu teksa tentoi të vidhte në ambientet e Bashkisë Durrës

Policia e Durrësit ka arrestuar 27-vjeçarin me iniciale Xh.K, i cili tentoi të kryente vjedhje në ambientet e Bashkisë së Durrësit. I riu u kap...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER