Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zbardhur takimin e zhvilluar ditën e sotme mes ambasadores Yuri Kim dhe kryeministrit Edi Rama në ambientet e kryeministrisë.
Burime nga ambasada e SHBA bëjnë me dije se në takimin që zgjati për 2 orë, u diskutuan “një gamë e gjerë çështjesh, përfshi pritshmëritë e qarta dhe të mirënjohura të SHBA në lidhje me marrëveshjen e 5 qershorit të këshillit politik.
Vendimi i mazhorancës për ndryshimet kushtetuese, që përfshijnë hapjen e listave zgjedhor dhe heqjen e koalicioneve trazoi politikën shqiptare ditët e fundit, teksa opozita e cilësoi këtë lëvizje shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit, arritur mes mazhorancës dhe opozitës brenda dhe jashtë parlamentare, në praninë e ambasadores së SHBA.
Ditën e djeshme këshilli politik u mblodh sërish me praninë edhe të kryeministrit Edi Rama në cilësinë e kryetarit të PS për të diskutuar lidhur me ndryshimet kushtetuese, por pas disa orë bisedimesh nuk u arrit në një dakordësi, pasi siç tha kreu i qeverisë, opozita kishte kërkuar më shumë kohë.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ripërsëriti ditën e sotme qëndrimin e palëkundur të PS për hapjen e listave si diçka që sipas tij e kërkon populli.
Lexoni gjithashtu:
Tryeza e Këshillit Politik, Premto Gogo: Prezenca e Ramës i dha nivelin e duhur diskutimeve
Edi Rama këmbëngul tek hapja e listave: PS-ja do atë që duan qytetarët