Shenjtërimi i Nënë Terezës, politikanët urojnë me fjalët e bamirëses shqiptare

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Sot bëhen 4 vjet nga shenjtërimi i Nënë Terezës, nga dita kur në një ceremoni të madhe të mbajtur në Vatikan, Papa Françesku njohu dy mrekullitë e bamirëses shqiptare në shërimin e të sëmurëve.

“Mbase ju nuk jeni të uritur për një copë bukë, por ndoshta është dikush atje në familje që është i padëshiruar, pa dashuri, pa kujdesje, i harruar. Atje është dashuria! Dashuria fillon nga shtëpia juaj! Një dashuri që është e vërtetë, dhemb! Kjo është ajo çfarë unë solla për ju. T’i jepni njëri-tjetrit më shumë dashuri!”

Ishin këto fjalë të Shën Terezës me të cilin e nis urimin presidenti i republikës Ilir Meta, duke kujtuar se në këtë ditë të veçantë, vjen më i fortë se kurrë mesazhi se dashuria nuk duhet të mbetet vetëm, por duhet të vendoset në veprim dhe në shërbim ndaj kujtdo që ka më shumë nevojë për të përballuar mjerimin, varfërinë, vuajtjet dhe vështirësitë e përditshme.

Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë në profilin e tij në Facebook një video me disa nga momentet më të veçanta të veprimtarisë bamirëse të shenjtores shqiptare e cila e kaloi gjithë jetën duke i shërbyer më të dobtëve. 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se kjo ditë është simbol i dashurisë dhe dhembshurisë për njerëzit në nevojë.

“Dita e shenjtërimit të Nënë Terezës, simbolit të dashurisë, dhembshurisë dhe kujdesit për të varfërit e të pamundurit, është mbi të gjitha një ditë reflektimi për gjendjen ku ndodhet vendi dhe për çfarë duhet të bëjmë për të lehtësuar sa më shumë jetën e bashkëqytetarëve tanë që sot gjenden mes vështirësive dhe pamundësive.

“Edhe ata që s’mund të bëjnë dot gjëra të mëdha, mund të bëjnë gjëra të vogla me dashuri të madhe.” Kjo thënie e Nënë Terezës le të jetë frymëzim për të nisur së bashku ndryshimin, për të ndërtuar një jetë më të mirë për bashkëqytetarët tanë, me më shumë përkujdesje për të pamundurit, me mundësi për punë e jetë më të mirë për bashkëqytetarët tanë, për ditë më të mira për popullin dhe vendin tonë”, shprehet Basha.

[embed_url=https://www.facebook.com/watch/?v=3594161027263539&extid=PHeFkrrHv4AydCI4]

Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dha një mesazh në këtë ditë të veçantë 4-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, duke e cilësuar atë ‘edukatorja universale e të gjithë  njerëzimit dhe për të gjitha kohërat’.

“Nëse dëshirojmë të ndërtojmë lumturinë nëpërmjet egoizmit për pasurim apo lehtësimit të varfërisë së të tjerëve nëpërmjet ngrohtësisë, le t’i referohemi Nënë Terezës.

Nëse dëshirojmë të zgjedhim midis ambicies për të triumfuar apo dhënies së dashurisë për të tjerët, le t’i drejtohemi Nënë Terezës.

Nëse dëshirojmë të zgjedhim midis përparimit nëpërmjet  forcës apo nëpërmjet dhembsurisë  njerëzore, le të mësojmë nga Nënë Tereza.

Nëse dëshirojmë të zgjedhim midis qaramanëve dhe atyre  që bëjnë përditë nga një gjë të vogël, të dobishme, le të veprojmë si Nënë Tereza.

Nëse dëshirojmë që sakrificat e vuajtjet të mos na dekurajojnë, por të na nxisin për t’u ringritur dhe vazhduar luftën në emër të së mirës dhe lumturisë së të gjithëve, shembulli është Nënë Tereza”, shkruan z. Ruçi në mesazhin e tij.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta (Indi). Ishte bamirëse e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen dhe në 5 shtator të vitit 2016 u shpall shenjtore.


Etiketimet

‘Kam bërë burg për ty’, Basha pritet me parulla e vezë nga të rinjtë e FRPD

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është pritur me protesta jashtë ambientit ku do të zhvillonte një bashkëbisedim me gratë demokrate. Një grup grash e...

Aksidentohet në Bullgari autobusi nga Kosova

Mëngjesin e sotëm, një autobus me 29 pasagjerë nga Kosova është aksidentuar me një kamion në Kyustendil të Bullgarisë. 9 prej pasagjerëve janë fëmijë. Në...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER