Presidenti dekreton datën, zgjedhjet parlamentare mbahen më 25 prill

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri do të zhvillohen më 25 prill. Kjo është data që Presidenti Ilir Meta dekretoi të dielën pas konsultimeve që mbajti këtë javë me përfaqësuesit e partive politike.

Dekreti i Metës respekton kështu ndryshimet e Kodit Zgjedhor, i cili përcakton dy afate kohore 15 prill-15 maj dhe 15 tetor-15 nëntor.

Opozita ka qenë ajo që ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen sa më shpejt të jetë e mundur, ndërkohë që nga shumica socialiste është mbajtur një qëndrim i hapur, pavarësisht se në dukje ata kanë favorizuar datën 9 maj 2021.

Të premten Meta zhvilloi takime me përfaqësuesit e partive politike, mes tyre ishin edhe kryetarët e Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Pas takimeve Rama, Basha dhe Kryemadhi nuk shprehën për gazetarët data specifike, ndërkohë që më herët përfaqësues të partive të vogla ishin shprehur për datën 18 prill.

Vlen të theksohet se dekreti përcakton vetëm zgjedhje për anëtarët e Kuvendit, pra zgjedhjet parlamentare, ndërkohë që aktualisht të paktën tre bashki kryesore të vendit mbeten pa kryetarë.

Për shkak të problemeve të kandidatëve, apo dhe dorëheqjeve, bashkitë Shkodër, Vorë dhe Durrës mbeten pa përfaqësues direkt të qytetarëve.

Meta, – njësoj si opozita, e cila i bojkotoi, – zyrtarisht nuk i njeh zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019, të cilat mbeten për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese pasi dekreti për anulimin e kësaj date mbetet ende i diskutueshëm.

Pas caktimit të datës së zgjedhjeve parlamentare, tashmë detyra i kalon partive politike, të cilat duhet të përshpejtojnë pa përplasje të tjera procesin e implementimit të ligjeve dhe ngritjes së institucioneve kryesore zgjedhore, sikurse është Komisioni Qendror Zgjedhor.

Në pikëpyetje mbetet gjithashtu mënyra se si mund të aplikohet teknologjia në procesin zgjedhor, pasi koha nuk premton shumë, ndërkohë që ndryshimi i Kushtetutës, bërë në muajin korrik, detyron edhe ndryshime të tjera ligjore siç mund të jetë përcaktimi i mandateve në zonat zgjedhore, apo dhe koalicioneve parazgjedhore, çështje kjo e fundit që ka mbetur një nga debatet kryesore mes opozitës dhe mazhorancës.

Zgjedhjet e fundit parlamentare u zhvilluan më 25 qershor 2017 ku Partia Socialiste, ndryshe nga zgjedhjet paraardhëse, garoi pa një koalicion të madh me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe mori 48.34% të votave.

PD (28.85%) dhe LSI (14.28) morën 43.13% ndërsa PDIU (4.81%). Asokohe në zgjedhje morën pjesë 1.6 milionë qytetarë (46.75%) nga 3.4 që sipas KQZ-së kanë të drejtë të votojnë.

Ndërkohë një vit më parë, në zgjedhjet vendore të bojkotuara nga opozita, pjesëmarrja sipas KQZ-së ishte vetëm (22.96%), ose thënë ndryshe 811 mijë persona.

 

Lexoni gjithashtu:

Data e zgjedhjeve, Presidenti Ilir Meta takon kryetarët e partive politike

Sfidat përpara zgjedhjeve, KQZ ende pa anëtarë, Kuvendi duhet të rishkruajë ligjet


Etiketimet

Aksidentohet në Bullgari autobusi nga Kosova

Mëngjesin e sotëm, një autobus me 29 pasagjerë nga Kosova është aksidentuar me një kamion në Kyustendil të Bullgarisë. 9 prej pasagjerëve janë fëmijë. Në...

Kosova ul numrin e aplikimeve për vizë në Gjermani

Kosova ka ulur ndjeshëm numrin e qytetarëve që mund të aplikojnë për vizë në Gjermani, njoftoi Ambasada Gjermane në vend të martën. Edhe personave që...

Kapet i riu teksa tentoi të vidhte në ambientet e Bashkisë Durrës

Policia e Durrësit ka arrestuar 27-vjeçarin me iniciale Xh.K, i cili tentoi të kryente vjedhje në ambientet e Bashkisë së Durrësit. I riu u kap...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER