Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit Besa Shahini zhvilluan sot një takim me mësuesit për të diskutuar rreth vitit të ri shkollor dhe programin e kanalit televiziv RTSH Shkolla. Gjatë takimit kryeministri vlerësoi punën e mësuesve gjatë periudhës së pandemisë dhe premtoi rritje të pagave.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi hapjen e kanalit televiziv “RTSH Shkolla” në televizionin publik, kanal ky i kushtuar tërësisht mësimeve dhe lëndëve shkollore.
“Mendoj që kanali ka një vlerë të madhe jo vetëm për shkak të kësaj situate por ka një vlerë të madhe në mundësinë që i jepet çdo nxënësi në Shqipëri që të bëjë një verifikim të dyfishtë të mësimit që ka marrë e ta ndjekë mësimin dhe me një mësuese tjetër. Kjo do të sfidojë mësuesit e tjerë që në japin mësim në shkolla,” – vlerësoi Rama, i cili sidoqoftë tha se në fund mësimi ndërveprues në mjediset shkollore mbetet i pazëvendësueshëm.
Cilësuar nga qeveria si vit “sfidë për sistemin e arsimit” pasi në kushtet e pandemisë së COVID-19 mësimdhënia do të duhet të ndërthuret me teknologjinë, ndërkohë që nxënësit do të duhet të përshtaten me protokollet e sigurisë shëndetësore, viti i ri shkollor nis më 14 shtator me masa të shtuara kundër përhapjes së epidemisë.
Kryeministri Rama u shpreh se mbyllja e shkollave në periudhën mars-qershor ndikoi psikologjikisht te fëmijët dhe se sado e mundshme të jetë, teknologjia nuk mund ta zëvendësojë dot tërësisht nxënien e mësimeve në mjediset shkollore.
Rama premtoi se qeveria e tij do të bëjë çmos për të rritur kushtet dhe vlerësimet e punës së mësuesve. Ai tha se po mendohet për një sistem të ri vlerësimi të mësimdhënies dhe punës së stafit pedagogjik në mënyrë që forca e mësuesve të mirë promovohet më tepër.
“Ashtu si për mjekët, po mendojmë për një shtesë edhe të pagave, dhe këtë po e mendojmë me buxhetin e ri, po e mendojmë për të gjithë në tërësi, por edhe për ju mësuesit,” – u shpreh kryeministri.