Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku foli në studion e “Ilva Now” me gazetaren Ilva Tare rreth programit ekonomik që Partia Demokratike ka shpalosur në kuadër të fushatës elektorale.
Ajo iu referua këtij programi ekonomik si një vizion i PD-së për të fuqizuar grupin e njerëzve që ajo tha se “punojnë ndershëm” duke theksuar se taksa 9% është një nga elementët që do ta mundësojë synimin e këtij programi.
“A e dini që pjesën kryesore mbi tatimin për të ardhurat personale nga 400 000 lekë deri në 900 000 lekë e paguan ky grup?”,- ju drejtua ajo gazetares Ilva Tare duke sjellë në vëmendje se kush është i ndershëm e punon më shumë tatohet më shumë, gjë që sipas saj duhet të ishte ndryshe.
Jorida Tabaku përmendi në fjalën e saj se 1/3 e punës ikën ‘kot’ duke qenë se kjo është tërësisht e palogjikshme dhe është taksa më e lartë në rajon.
“Vizioni ekonomik do të nxisë mobilitetin social se këtu te ne lind i varfër dhe vdes i varfër”,- tha Tabaku.
Ish deputetja e PD tha se sot buxheti i një familje shqiptare është i njëjtë me atë të vitit 2007 duke e cilësuar këtë si të pakonceptueshme.
“Ndërkohë që taksa e sheshtë pikërisht këtë ka parasysh, paratë i shpenzon më mirë Ilva, familja jote, inxhinieri, avokati, biznesi sepse investon, sepse rrit konsumin dhe ky është një zinxhir”,- sqaroi ajo.
Ndër të tjera Tabaku përmendi se taksa e sheshtë do të zgjerojë bazën tatim paguese, do rrisi numrin e bizneseve, do nxisë konsumin dhe pavarësisht se numri i parave që hyjnë do të ulet kjo do të kompesohet me zgjerimin e bazës.
Ajo shtoi gjithashtu se kategorizimi i biznesit do të bëhet në nivelin e 140 milionë lekë ku do të jetë biznesi i vogël dhe përjashtimi nga fasha e TVSH-së dhe biznesi me mbi 140 milionë lekë me taksën 9% teksa sqaroi se ky nuk është një favorizim i të pasurve por thjesht një vlerësim i atyre që punojnë më shumë.
Lexoni gjithashtu:
Jorida Tabaku: Rama nuk e mbulon dot krizën e ekonomisë as me 10 ministra financash
Jorida Tabaku: Premtimi i Ramës për pagë minimale 30 mijë lekë, kopje e programit të PD-së