Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, ka bërë të ditur se kabinetet e mamografisë do të punojnë me oraret të zgjatura, nga dita e hënë në të premte, ora 8.00-18.00 dhe të shtunën, nga ora 9.00-14.00, duke ofruar falas ekzaminimin e gjirit për gratë.
Edhe pse ndodhemi në kushtet e epidemisë, fushata për ndërgjegjësimin për depistimin e kancerit të gjirit do të vijojë, por duke respektuar masat anti-COVID. Ministrja e Shëndetësisë u ka bërë apel grave të kryejnë kontrollin e gjirit.
“Merr pak kohë nga koha jote për të kryer kontrollin e gjirit. Diagnostikimi i hershëm të shpëton jetën”, shkruan Manastirliu.
Mamografia falas mund të kryhet në spitalet rajonale të Gjirokastrës, Dibrës dhe Kukësit, Lezhës, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Korçë, Shkodër, ndërsa në Tiranë kryhet në QSUT, në Maternitetin ‘Mbretëresha Geraldinë’ dhe në Poliklinikën Qendrore Tiranë.
Në dispozicion janë gjithashtu edhe dy mamografitë e lëvizshme, të cilat do të jenë gjatë gjithë muajit në zonat rurale dhe urbane në të gjithë vendin, sipas një kalendari të hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik.
Për të evituar rrezikun e infektimit nga Covid-19, personeli që shërben brenda njësisë lëvizëse të mamografisë, do të jete i pajisur me mjete mbrojtëse personale anti-COVID.
Me qëllim evitimin e grumbullimeve të personave që janë planifikuar për t’u ekzaminuar do të përcaktohen orare për paraqitjen e pacientëve të cilët duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse.