Arben Kraja për Euronews Albania: Kemi nisur hetim për inceneratorët

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Struktura e Posaçme e Anti-Korrupsionit ka konfirmuar për Euronews Albania se ka regjistruar procedim penal për çështjen e inceneratorëve. Kreu i SPAK, Arben Kraja ka deklaruar një fakt të tillë për gazetarin, Eni Ferhati duke thënë se nuk mund të bëhen publike informacione të tjera.

“Janë regjistruar procedimet penale për të gjitha kallëzimet. Do hetohet për të sqaruar çdo pretendim. Veprimet konkrete janë të prokurorëve dhe nuk mund të bëhen objekt publikimi”, ka bërë të ditur z. Kraja.

Kallëzim i parë në SPAK është bërë në qershor nga Nisma “Thurje”, ndërsa më pas Partia Demokratike ka depozituar tri kallëzime për secilin incenerator, Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Euronews Albania ka mësuar se është prokurori Dritan Prençi që ka bërë regjistrimin e procedimit dhe ka kërkuar informacion në disa prej institucioneve shtetërore, ndër to dhe pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati raporton se, të katër kallëzimet janë bashkuar në një objekt hetimi. “Bëhet fjalë për dosje tejet voluminoze dhe do të duhet kohë për të hetuar”, tha ai. “Bën përshtypje që SPAK nuk ka nisur hetim kryesisht pasi ka pasur akuza edhe më herët. Hetimi ka nisur pas kallëzimit të Nismës “Thirrje”, që do të bashkohet me tre kallëzimet e PD pasi kanë një objekt të vetëm”, u shpreh gazetari i Euronews Albania.

Çështja e inceneratorëve është kthyer në një prej temave më të nxehta të aktualitet politik. Edhe sot nuk kanë munguar akuzat nga lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kundërpërgjigja nga kryeministri, Edi Rama. Kreu i PD-së deklaroi se, “Mungesa e ofertës financiare, si kriter vlerësimi, tregon se inceneratori i Fierit është një skemë mafioze e zhvatjes së parave të taksave, se koncesionari mund të kërkojë sa të dojë nga shteti, pasi nuk ka vlerë tavan, janë shpenzuar 23.8 milionë euro për një kontratë që nuk ka të përcaktuar çmimin, a ka prokuror që nuk e kupton vjedhjen që po bëhet?!”.

Përballë akuzave kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të përgjigjet me kundër akuza duke bërë përgjegjës ish-kryetarin e Bashkisë së Tiranës për mos adresimin e problemit të mbetjeve. “Po Lulzim ka qenë PD dhe e tërë politika e vjetër e mbledhur në formë malesh me plehra në mes të Tiranës, Elbasanit, Fierit e kudo, ku falë impianteve moderne që do të vazhdojmë të ndërtojmë, do mund të mblidhen njerëzit e të gjitha moshave për parqet e për aktivitete gjithfarë!”,- shprehet Rama në Twitter.

72 mln euro për tre inceneratorët

Nga viti 2015, 72 milionë euro janë paguar nga buxheti i shtetit për ndërtimin dhe funksionimin e tre inceneratorëve, dy prej të cilëve ende nuk janë ndërtuar, ndërsa tjetri punon me kapacitet të përgjysmuar (inceneratori i Elbasanit). Ka dyshimet se të tre inceneratorët i janë dhënë të njëjtit grup njerëzish, duke krijuar praktikisht monopol. Përveç kësaj ka dyshime dhe për aferë korruptive, pasi qeveria shqiptare nuk kishte asnjë plan për ngritje incineratorësh. Ka mjaftuar një letër nga një kompani pa kapital dhe pa përvojë, dhe qeveria vendosi brenda pak javësh t’i japë koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.

Kjo kompani, mori një koncesion 22 milionë euro, brenda 4 muaj e tre javësh nga krijimi. Brenda dy vjetësh, qeveria dha koncesion për inceneratorin e Fierit dhe të Tiranës, me të njëjtën skemë. Nga të tre inceneratorët është ndërtuar vetëm i Elbasanit, i Fierit dhe Tiranës duhet të kishin përfunduar që në vitin 2018, por nuk kanë përfunduar ende. Ndërkohë qeveria ka paguar miliona euro nga buxheti i shtetit për kompaninë private.

Sipas të dhënave të thesarit, botuar nga Open Data Albania, incineratori i Elbasanit ka marrë që nga viti 2015 deri në qershor 2020 rreth 30 miliardë lekë, ose rreth 25 milionë euro. Kontrata e koncesionit ka qenë për 22 milionë euro. Buxheti ka paguar 3 milionë euro më shumë se kostoja e kontratës. Kostoja totale do të shtohet edhe me miliona të tjera në dy vitet e ardhshme.

Incineratori i Fierit ka marrë deri në qershor 2020 rreth 2,6 miliardë lekë ose rreth 22 milionë euro. E gjithë kostoja e projektit është 27 milionë euro. Pra, ende pa u ndërtuar incineratori, koncesionari ka marrë rreth 82 për qind të kostos së kontratës. Është e sigurtë që deri në përfundim të koncesionit do paguhet shumë më shumë se kontrata. Incineratori i Tiranës ka marrë nga buxheti i shtetit në total rreth 30 miliardë lekë ose mbi 25 milionë euro. Pra, në dy vjetët e parë të konceisonit 30 vjeçar, pa ndërtuar incineratorin, koncesionari ka marrë mbi 20 për qind të kostos totale të projektit.

Në total, deri në qershor 2020, janë paguar 72 milionë euro të dhëna nga paratë e buxhetit për të tre koncesionet, të cilët deri tani janë të dështuara nga shërbimi që ofrojnë. Gjendja do bëhet më e keqe në të ardhmen pasi asnjë nga incineratorët, në shkelje të kontratës nuk prodhon energji të paktën në afatshkurtër, duke humbur një nga burimet kryesore të të ardhurave. Nga ana tjetër, kapaciteti i tyre është shumë më i madh për të qenë fitimprurës.

 

Lexoni gjithashtu:

Basha thirrje SPAK-ut: Bëni detyrën, hetoni mafien e inceneratorëve

Shqiptarët do të paguajnë 14 miliardë lekë për koncesionet

Kryemadhi për inceneratorët: Lefter Koka ushtroi presion që LSI të mos reagonte

Etiketimet

‘1.6 miliardë euro para të pista në ndërtim’, Basha dhe ministrja Financave debat në Kuvend

Gjatë diskutimit në Kuvend të ligjit të ri për pastrimin e parave, kryedemokrati Lulzim Basha akuzoi se në sektorin e ndërtimit po pastrohen paratë e pista të...

Dështon për herë të gjashtë mbledhja e kryesisë së Kuvendit në Kosovë

Është hera e 6 që kryesia e Kuvendit të Kosovës po dështon të mbajë mbledhjen e saj. E gjithë kjo situatë po krijohet kryesisht për...

Prodhuesit në RMV kundërshtojnë heqjen e qeseve plastike nga përdorimi

Prodhuesit në Maqedoninë e Veriut reagojnë ndaj vendimit të fundit të Qeverisë për heqjen e qeseve plastike nga përdorimi dhe zëvendësimi i tyre me...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER