Kuvendi i ndalon me ligj ISKK-së studimin e periudhës së Luftës Nacional-Çlirimtare

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Shumica socialiste miratoi të enjten me 84 vota “pro” ndryshimet ligjore, të cilat kufizojnë veprimtarinë e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) duke i ndaluar hulumtimin e periudhës së Luftës Nacional-Çlirimtare.

Me dy nisma të ndryshme, socialistët kishin propozuar ndryshime të organizimit dhe veprimtarisë së ISKK-së, institut ky i ngritur në vitin 2010 me ligj të posaçëm, që financohet nga shteti dhe ka si qëllim kryesor zbardhjen dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve rreth krimeve të kryera gjatë diktaturës komuniste.

Nisma e parë (kliko këtu për të parë projekt-ligjin) ia kalon Kuvendit miratimin e strukturës dhe organikës së punonjësve të ISKK-së, ndërkohë që me ligjin e shkuar kjo i takonte qeverisë.

Nisma e dytë (kliko këtu për të parë projekt-ligjin), e kufizon veprimtarinë studimore vetëm për periudhën 29 nëntor 1944 – 8 dhjetor 1990.

Në ligjin e mëparshëm (kliko këtu për të parë ligjin) periudha studimore linte vend edhe për pjesën “përpara datës 29 nëntor 1944” të luftës “gjatë së cilës u zhvillua veprimtaria, që ka përgatitur ardhjen në pushtet të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila më pas, u kthye në Parti e Punës”.

Ky ndryshim qe propozuar vitin e shkuar me nxitje nga deputeti Spartak Braho dhe rreth nëntë deputetë të tjerë socialistë. Në seancën e së enjtes pati kundërshti nga disa deputetë të opozitës parlamentare, ndërsa nuk munguan as fyerjet dhe etiketimet.

Njëzetë deputetë votuan kundër, ndërsa shtatë të tjerë abstenuan, ndërsa disa prej tyre i konsideruan ndryshimet si “përpjekje për të tjetërsuar historinë”.

Drejtuesit e ISKK-së i patën kundërshtuar ndryshimet që gjatë diskutimeve një vit më parë në Komisionin e Ligjeve. Asokohe debati kaloi me fyerje dhe etiketime personale mes deputetit Braho dhe studiuesit, njëherësh anëtar të bordit të ISKK-së, Çelo Hoxha – aktualisht drejtues i ISKK-së pas largimit të Agron Tufës.

Përplasjet kryesore lidheshin pikërisht me një botim të Hoxhës me titullin “Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1944”, i mbështetur nga bordi i ISKK-së, i cili qe botuar në vitin 2014.

Në këtë botim Hoxha ka listuar 265 emra drejtuesish komunistë të luftës, të cilët ai thotë se, bazuar në dokumente arkivore, kanë përgjegjësi për krime si pushkatime, plaçkitje apo dhe djegie shtëpish në periudhën përpara çlirimit të vendit.

Asokohe Braho e etiketoi Hoxhën “ballist” dhe këmbënguli se ISKK-ja kishte tejkaluar nga funksionet dhe qëllimet e saj duke “hedhur baltë mbi dëshmorët”.

Ndryshimi i ligjit nga socialistët e përcakton periudhën e komunizmit nga viti 1944 deri në vitin 1990, mirëpo ligje të tjera kanë përcaktime të tjera për këtë periudhë.

Ligji për statusin e të përndjekurve e njeh periudhën e përndjekjes komuniste “prej 8 nëntorit 1941 deri më 22 mars 1991”, ndërkohë që dëmshpërblimet për këto përndjekje janë caktuar për periudhën “nga 30 nëntori 1944 deri më 1 tetor 1991”.

Etiketimet

“Conference League”, Laçi e Prishtina kalojnë në fazën e tretë, eliminohen Partizani dhe Drita

Laçi e Prishtina ia dolën të kualifikohen për në fazën e tretë eliminatore të “Conference League”, ndërsa Partizani dhe Drita u eliminuan. Prishtina e siguroi...

Kalon ligji për shtetësi në RMV, iniciativë e partive shqiptare

Me 57 vota “Pro” dhe 32 “Kundër”, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për shtetësi. Me ndryshimet në këtë ligj synohet të zgjidhet...

Armando Subashi mohon që deklarimet e Petro Koçit të jenë akuza ndaj tij

Akuzave të deputetit të zgjedhur të Partisë Socialiste, Petro Koçi për tenderët në bashkinë e Fierit, u është përgjigjur herë të parë kryetari i...














Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER