“Në fakt Edi Rama gjithmonë ka pasur frikë nga Ilir Meta, ka pasur frikë sepse Ilir Meta nuk bën kompromis për pushtetin e Edi Ramës, për xhepat e Edi Ramës, për xhepat e oligarkëve të Edi Ramës,” – kështu tha Monika Kryemadhi gjatë një takimi elektoral në Devoll.
Ajo tha se kryeministrin Rama nuk është votuar kurrë por ka ardhur si rezultat i kompromiseve dhe konjukturave teksa shtoi se Ilir Meta nuk ka ardhur asnjëherë në krye si rezultat i një kompromisi politik por si rezultat i domosdoshmërisë për të pasur një lider i cili mbi të gjitha është shqiptar.
Kryemadhi tha me bindje se askush nuk duhet të çuditej nëse kryeministri nuk hyn në zgjedhje në 25 prill.
“Sot Edi Rama të jeni i bindur, mos u çudisni kur të thotë nuk hyj në zgjedhje me Lul Bashën kryetar opozite, nuk hyj në zgjedhje me Ilir Metën president, nuk hyj në zgjedhje as me Monikën kryetare të LSI-së. Edi Rama do thotë unë do hyj në zgjedhje po të kem President Taulant Ballën, po të kem kryetar të PD-së Elisa Spiropalin, po të kem kryetare të LSI-së ndonjë tjetër. Mos u çudisni kur pas një jave të dëgjojmë që Edi Rama të thotë nuk hyj në zgjedhje më 25 prill,” – u shpreh ajo.
Së fundmi ajo tha se nuk do ta ndalonte fushatën elektorale deri sa të gjithë të nxiten për të hedhur voton dhe për të hequr nga pushteti kryeministrin aktual.
“Sot LSI nuk është thjesht një strukturë politike por mundësi për t’u përfshirë të gjithë ata të rinj e të reja për të drejtuar Shqipërinë. Më shumë se kurrë nuk kemi nevojë për votën tuaj por angazhimin tuaj për të marrë pjesë në vendimmarrje,” – përfundoi Kryemadhi.