Një kamion me 2 tonë kanabis është kapur në Podgoricë të Malit te Zi. Ngarkesa me lëndë narkotike dyshohet se kishte destinacion Gjermaninë dhe kishte hyrë në Mal të Zi përmes kufirit të Hanit të Hotit.
Burime bëjnë me dije se kamioni me kanabis kishte kaluar transit në Shqipëri pasi kishte hyre nga Greqia përmes Kapshticës.
Gjatë ndalimit të kamionit në Mal të Zi është bërë i mundur dhe arrestimi i shoferit.
Policia e shtetit ka dhënë informacion zyrtar lidhur me sasinë e madhe të drogës të kapur në vendin fqinj.
Sipas policisë, kamioni që drejtohej nga shtetasi E. C. ishte ngarkuar me fruta-perime në shtetin grek dhe kishte hyrë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës, transit për në vendet e BE-së.
“Policia e Shtetit, pas shkëmbimit të informacioneve paraprake me homologët malazezë, ka dërguar në Malin e Zi, një grup specialistësh të Hetimit të Narkotikëve, me qëllim kryerjen e hetimeve të përbashkëta dhe përcaktimin e origjinës se nga është marrë lënda narkotike”, sqarohet në një njoftim të policisë.