Euronews Albania ka mësuar se naftëtarët e Ballshit kanë rënë dakord ta ndërpresin ditën e nesërme grevën për të diskutuar me Kryeministrin Edi Rama mundësinë e zgjidhjes së kërkesave të tyre.
Takimi i pritshëm thuhet se do të bëhet rreth orës 18:00 në Fier, ndërsa nga gratë naftëtare që janë në grevë prej 15 tetorit është thënë se do të përzgjidhet një përfaqësi.
Lajmi i dakordësisë për daljen nga greva në rast të një kompromisi u përshëndet mesditën e së dielës nga vetë kryeministri Rama pak pasi vetë naftëtaret kishin folur për mediat.
Rama e cilësoi lajm shumë të mirë “mbylljen e grevës”, teksa ka këmbëngulur se prej disa javësh qeveria ishte e hapur për të diskutuar zgjidhjen.
“Më vjen keq shumë ditë mundim të panevojshëm, përderisa jo vetëm kemi qenë plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit tuaj, po edhe të gatshëm ta qajmë hallin së bashku! Tani caktoni përfaqësinë dhe nesër do të jem vetë aty me ju,” – shkroi Rama në Twitter.
Lajm shumë i mirë mbyllja e grevës në Ballsh! Më vjen keq për kaq shumë ditë mundim të panevojshëm, përderisa jo vetëm kemi qenë plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit tuaj, po edhe të gatshëm ta qajmë hallin së bashku! Tani caktoni përfaqësinë dhe nesër do të jem vetë aty me ju.
— Edi Rama (@ediramaal) November 8, 2020
Naftëtarë të tjerë, duke kërkuar nga qeveria që të mos i zhgënjejë sërish, janë shprehur se nëse nuk do të gjejnë kompromis për zgjidhje do t’i rikthehen sërish grevës.
Dy muajt e fundit naftëtarët e Ballshit ishin futur në grevë urie për të kërkuar shlyerjen e dhjetëra pagave të prapambetura dhe rifillimin e punës së rafinerisë së Ballshit.
Rafineria qëndron e mbyllur prej rreth një viti, ndërsa greva e urisë prej 15 tetorit qe vijuar nga gratë naftëtare.
Kryeministri Rama javët e shkuar pati apeluar disa herë gratë që ta linin grevën dhe të nisnin dialogun me qeverinë për gjetjen e një zgjidhjeje. Disa herë ai është shprehur se “zgjidhje me ultimatume nuk ka”, ndërsa ka hedhur poshtë pretendimet se qeveria ka lidhje me situatën e krijuar.
Socialistët kanë fajësuar shpesh privatizimin abuziv të rafinerisë, ndërsa nga ana tjetër opozita është kundërpërgjigjur duke theksuar se keqmenaxhimi, lobimi dhe përkrahja e qeverisë ndaj kompanive abuzive i ka lënë në mëshirë të fatit naftëtarët.
Lexoni gjithashtu:
Dita e 24 e grevës së urisë, njëra nga naftëtaret tenton të vetëvritet
Grabitja e ARMO-s nga kompanitë guackë ndodh me bekimin e qeverisë
Tomorri: ARMO, skema si transferohen paratë përmes kompanive nënkontraktore