Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën me dije se duke marrë shkas nga të dhënat e fundit epidemiologjike, qeveria greke ka vendosur t’i shtyjë deri më 30 nëntor masat kufizuese me Shqipërinë.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat bëhet me dije se deri atëherë, të gjithë personave që udhëtojnë në Greqi do t’u kërkohet të kenë rezultat negativ të testit molekular (PCR) për COVID-19, i kryer deri në 72 orë para hyrjes së tyre në Greqi.
Sikurse informon MEPJ, certifikatat e testit RT-PCR duhet të jenë të shkruara në anglisht dhe të mbajnë emrin dhe pasaportën /numrin e identitetit kombëtar të udhëtarit. Ndërsa, për fëmijët nën 10 vjeç ky test nuk do të jetë i detyrueshëm.
Gjithashtu, të gjithë udhëtarët do të duhet të plotësojnë dhe paraqesin formularin e tyre PLF dhe mund t’i nënshtrohen testimit të rastësishëm pas mbërritjes në kufirin grek. Pas kalimit në vendin fqinj, udhëtarët do të duhet të vetë-izolohen për 7 ditë.
Rritja e rasteve me COVID-19 detyroi autoritetet në Greqi të rivendosin në izolim total në vend.
Disa ditë më parë kryeministri Mitsotakis bëri me dije se duke nisur nga e shtuna e javës që shkoi e deri në 30 nëntor vendi hyn në një bllokim kombëtar.
Do të lejohet të qëndrojnë të hapura vetëm dyqanet e ushqimeve dhe farmacitë. Shkollat fillore dhe kopshtet do të vijojnë të qëndrojnë të hapura ndërsa shkollat e mesme do të mbyllen.