Të diskriminuar dhe të përjashtuar, Orhan Usein nxit të bëhet më shumë për integrimin e komunitetit rom

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, më 10 Dhjetor, zhvilluam një bisedë me zotin Orhan Usein, Shefi i Zyrës së Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal për Projektin e Integrimit të Romëve.

Projekti i Integrimit të Romëve u ndërmor nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, në fillim të vitit 2016, si një vazhdim i dekadës së përfshirjes të romëve, e cila përfundoi në 2015. Qëllimi i projektit është të luftojë diskriminimin ndaj Romëve në rajon dhe përfshirjen e tyre në të gjitha rrjedhat shoqërore.

Sot, njerëz dhe organizata në mbarë botën nderojnë Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Të drejtat e njeriut janë një temë së cilës po i kushtohet gjithnjë e më shumë vëmendje, veçanërisht nga ana e institucioneve të Bashkimit Evropian, por edhe në rajon. A mendoni se, kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut, romët nuk marrin vëmendjen e merituar dhe janë harruar disi?

Euronews Albania: 72 vjet më parë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, e cila ishte dokumenti i parë ligjor në këtë fushë që thotë qartë se të drejtat e njeriut janë universale dhe të patjetërsueshme. Do të thotë që të gjithë kemi të drejtë të barabartë për të drejtat tona njerëzore dhe ato nuk duhet të na hiqen në asnjë formë. Por a është vërtet kështu?

Orhan Usein: Ne ende jemi dëshmitarë të shkeljeve të të drejtave të njeriut të popullsisë rome, dhunës policore, shkollave dhe strehimit të ndarë, diskriminimit në institucione të ndryshme publike, përfshirë ato të kujdesit shëndetësor, gjë që është veçanërisht shqetësuese në këtë kohë kur bota po përballet me një pandemi. A po flasim për përfshirjen e romëve nëse ndërtojmë shtëpi për ta dhe i vendosim të gjithë në një zonë? Kur flasim për romët, duhet ta fillojmë me veten tonë dhe çfarë na bën të ndjehemi qenie njerëzore. Si gjithë të tjerët, edhe romët gjithashtu kujdesen për fëmijët e tyre, mendojnë si do t’i paguajnë faturat, luftojnë për të mbijetuar, shqetësohen për pandeminë e tanishme. Megjithëse kanë një kulturë të veçantë, romët nuk janë aspak të ndryshëm nga askush tjetër. Dhe, pse i trajtojmë ndryshe, i vendosim në zona të ndara, u mohojmë të drejtat e tyre njerëzore?

Kur bëhet fjalë për respektimin e të drejtave të tyre njerëzore, nuk do të thosha që romët janë harruar nëpër institucionet e Bashkimit Evropian. Në fakt, kohët e fundit Bashkimi Evropian e ka vendosur anti-ciganizmin, një formë e veçantë racizmi kundrejt komunitetit Rom, në një pikë mjaft të dukshme të planit të punës, por siguri ka shumë vend hapësirë për përmirësim. Disa javë më parë, Komisioni Evropian paraqiti kuadrin e ri strategjike të BE-së në lidhje me Romët për barazinë, përfshirjen dhe pjesëmarrjen për 2020-2030. Iniciativa e re përcakton një qasje gjithëpërfshirëse me tre shtylla: barazinë me tërë pjeëtarët e tjerë të shoqërisë, përfshirjen shoqërore dhe ekonomike, dhe pjesëmarrjen në jetën politike, shoqërore, ekonomike e kulturore. Dhe, jam veçanërisht i lumtur që ekonomitë e Ballkanit Perëndimor ranë dakord të bashkohen këtë përpjekje.

Por, padyshim që ka ende shumë për të bërë. Nuk po flasim për ndjenjën subjektive që kam unë, si rom. Po flasim për të dhëna të qarta që tregojnë se ksenofobia dhe anti-ciganizmi ekzistojnë shumë rreth nesh.

Euronews Albania: Cilat mendoni se janë sfidat kryesore sot në luftën ndaj anti-ciganizmit?

Orhan Usein: Anti-ciganizmi është një formë specifike e racizmit ndaj Romëve, që përfshin gjuhën e urrejtjes dhe krimin e urrejtjes, diskriminimin institucional, siç janë ndarja e fëmijëve Romë në arsim, ndarja hapësinore e komuniteteve Romë dhe dëbimet e detyruara, gjuha e urrejtjes publike dhe mediatike që synon drejtpërdrejt Romët dhe, në mënyrë të qartë, ashpërsia dhe dhuna e policisë.

Sipas “Barometrit Ballkanik”, një sondazh i përvitshëm i opinionit publik në ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, i porositur nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, qëndrimi ndaj përfshirjes sociale të grupeve të cenueshme nuk është shumë në favor të Romëve. Më pak se gjysma e popullsisë do të shqyrtonte idenë e dhënies me qira të shtëpisë romëve, më shumë se gjysma e popullsisë së pyetur nuk do të ishin të kënaqur të martoheshin, ata ose fëmijët e tyre, me një rom, apo edhe të kishin fëmijë që shkonin në të njëjtën klasë me romët.

Gjenocidi i Romëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, skllavëria e romëve në Rumani, sulmet raciste nëpër Evropë, të gjitha këto kanë shkaktuar trauma të rënda që trashëgohen nga brezi në brez. Politikat historike të ndarjes i kanë izoluar po ashtu komunitetet rome nga mundësitë ekonomike në shumë vende dhe vazhdojnë të ndikojnë në statusin shoqëror-ekonomik dhe integrimin e romëve.

Kuadri i ri i Bashkimit Evropian për barazinë, përfshirjen dhe pjesëmarrjen e romëve, i përmendur më sipër, kërkon që të gjitha institucionet e BE, qeveritë dhe agjencitë e BE, organet e barazisë dhe institucionet e tjera të të drejtave të njeriut të bashkohen dhe të ndërmarrin veprime në partneritet me shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare, sigurisht me përfshirjen e plotë të vetë romëve.

Sfidat kryesore për ne do të jenë të sugjerojmë një strukturë institucionale në secilën ekonomi që do të merret me parandalimin e diskriminimit institucional të vazhdueshëm dhe të strukturuar; edukimin dhe trajnimin e nëpunësve publikë në kontakt me komunitetet rome, përfshi këtu zyrtarët ligj-zbatues; përcaktimin e mjeteve ligjore dhe juridike, mekanizmat për mbrojtjen e viktimave, etj.

Për të shmangur përjashtimin e mëtejshëm të Romëve dhe zbatimin e kufizuar të angazhimeve, vendimmarrësit duhet ta shndërrojnë njohjen e anti-ciganizmit në veprim efikas nëpër fushat e ndërthurura parësore të arsimit, punësimit, strehimit dhe shëndetësisë, por edhe në fusha të tjera të jetës së përditshme si një normë për kapërcimin e tij.

Prandaj, ne bëjmë vazhdimisht përpjekje të mëdha për të siguruar mbështetjen e nevojshme për zhvillimin e kuadrove të rinj strategjikë kombëtare në përputhje me kuadrin e BE, duke përfshirë dhënien e mbështetjes dhe ekspertizën për të përcaktuar qëllimet dhe masat e luftës ndaj anti-ciganizmit si objektiv kryesor. Qeveritë e Ballkanit Perëndimor pritet të zhvillojnë kuadro të forta strategjike kombëtare rome, të ndërmarrin angazhime afatgjata, të vëzhgojnë ecurinë e të punojnë krah për krah me institucionet e BE për barazinë, përfshirjen dhe pjesëmarrjen e romëve.

Euronews Albania: Ju thatë që bashkëpunoni ngushtë me qeveritë në rajon. Në 2019 udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor miratuan Deklaratën e Partnerëve të Ballkanit Perëndimor mbi Integrimin e Romëve në Procesin e Zgjerimit të BE në Poznan.

Orhan Usein: Po, më shumë se një vit më parë qeveritë e rajonit u zotuan të punojnë, me ne si partnerë, për të përmbushur objektivat e Deklaratës, e cila nis nga hamendësimi thelbësor që të gjitha qeniet njerëzore duhet të jenë të lira e të barabarta, gjë që nuk është kështu në praktikë, veçanërisht me romët. Dhe të mos harrojmë se romët janë pakica më e madhe në rajon. Fatkeqësisht nuk kemi të dhëna të sakta, por bëhet e ditur që në rajon ka rreth 3.5 milion Romë.

Deklarata që përmendët përfaqëson një sërë çështjesh themelore të cilat shumë njerëz i marrin si të mirëqena, por për Romët, këto kategori shpesh janë të paarritshme. Mundësi punësimi, qasje në arsim, kujdes shëndetësor, strehim në kushte të mira dhe vendbanime ligjore, zotërim të dokumenteve të identifikimit.

Vetëm 16.5% e romëve në rajon janë të punësuar. Kur bëhet fjalë për gratë rome kjo shifër zbret në 7.33%. Deri në 78.5% të të rinjve romë nuk arsimohen, nuk punësohen apo trajnohen, në krahasim me 43.33% të popullsisë jo-rome. 46.83% kishin të paktën një pjesëtar të familjes të uritur muajin e kaluar. Dhe, të mos harrojmë që po flasim për të dhëna të mbledhura para pandemisë. Pra, padyshim, zotimet që morën kryeministrat e rajonit në 2019 duke miratuar Deklaratën e Poznan ishin shumë të nevojshëm.

Euronews Albania: Së fundmi ishit bashkë-organizatori i një takim vijues ministror në Tiranë me qeverinë e Shqipërisë.

Orhan Usein: Po, qeveria e Shqipërisë pati mirësinë të më ofronte organizimin e takimin ministror këtë vit në muajin Tetor, në Tiranë. Tema kryesore e takimit ministror ishte progresi i zbatimit të Deklaratës së Poznanit dhe hapat e mëtejshëm.

Ministrat e Ballkanit Perëndimor përgjegjës për integrimin e Romëve dhe kryesuesit e delegacioneve sollën sërish në kujtesë zotimet e marra në Poznan në vitin 2019 si dhe theksuan rëndësinë e pasjes së një qasje koherente kundrejt zhvillimit ekonomik të rajonit duke marrë parasysh nevojat e më të prekurve dhe më të privuarve.

Përkatësisht, ne nënvizojmë gjithnjë faktin që nga barazia, përfshirja dhe pjesëmarrja e Romëve nuk përfitojnë vetëm Romët por mbarë shoqëria. Për shembull, një hulumtim i Bankës Botërore mbi humbjet totale ekonomike nga përjashtimi shoqëror i romëve në Serbi tregon se, nëse popullsia rome do të punësohej në të njëjtin nivel me popullsinë e përgjithshme, të ardhurat e përgjithshme vetëm nga rritja e prodhueshmërisë mund të arrinin nga 314 milion Euro në 1.28 miliardë Euro në vit, ose nga 0.9 përqind në 3.5 përqind të produktit të brendshëm bruto të Serbisë për vitin 2017. Fatkeqësisht, nuk kemi të dhëna të ngjashme për të gjitha ekonomitë në rajon, por mund të hamendësojmë që janë të përafërta apo edhe më të larta se ato që dolën në pah nga hulumtimi i Bankës Botërore. Shpresojmë që së shpejti të kryejmë një studim të ngjashëm, për të parë konkretisht sa u kushton ekonomive tona përjashtimi i romëve.

Kjo është arsyeja përse qe mjaft domethënëse që pjesëmarrësit në takim e mirëpritën Planin e ri Ekonomik të Investimeve për Ballkanin Perëndimor i cili nënvizon rëndësinë e integrimit të Romëve në investimet e kapitalit njerëzor, duke përfshirë qasjen në arsim dhe pjesëmarrjen në tregun e punës. Kjo na jep shpresë se njerëzit do ta kuptojnë që përfshirja e Romëve është e dobishme për të gjithë shoqërinë. Ata diskutuan gjithashtu mbi ecurinë dhe hapat e mëtejshëm në fusha të tjera të përmendura në Deklaratën e Poznanit, siç janë strehimi, pa-shtetësia, mbledhja e të dhënave dhe mbështetja financiare.

Euronews Albania: Po përsa u përket strehimit, pa-shtetësinë, mbledhjes së të dhënave, mbështetjes së duhur financiare – a ka ndonjë shpresë për romët në rajon që disa gjëra do të ndryshojnë në të ardhmen e afërt?

Orhan Usein: Ndjehemi optimistë, veçanërisht pasi pjesëmarrësit në takimin e lartpërmendur ministror përcaktuan një afat në të cilin planifikojnë të arrijnë objektiva të caktuara.

Për strehimin, që është një pjesë shumë e rëndësishme e Deklaratës së Poznanit, pjesëmarrësit u zotuan të mbledhin të dhëna gjeografike për tërë kolonitë rome në territoret e tyre deri në fund të vitit 2021, dhe mirëpritën metodologjinë për përpilimin e hartave me kolonitë rome. Kjo datë do të vijë sa hap e mbyll sytë, dhe ne kemi shembuj të shkëlqyer në disa komuna, në çdo ekonomi të Ballkanit Perëndimor. Tashmë është treguar që mund të bëhet, ndaj i nxisik pjesëmarrësit ta nisin sa më shpejt të jetë e mundur këtë proces.

Pastaj, 8.33% e romëve në rajon nuk zotërojnë një kartë identiteti, që do të thotë se praktikisht nuk ekzistojnë asgjëkundi e nuk njihen nga institucionet. Kjo na jep një grimë shpresë se problemi i pa-shtetësisë mes romëve shpejt do marrë fund, pasi pjesëmarrësit e mirëpritën iniciativën për të hartuar një udhërrëfyes drejt dhënies fund pa-shtetësisë, me synimin për ta eliminuar si problem deri në vitin 2024.

Për të arritur rezultate më të mira duhet të kemi të dhëna të sakta. Për shkak të shumë pengesave, ndonjëherë është shumë e vështirë të mbledhësh të dhëna për një grup të caktuar etnik, në këtë rast, Romët por, gjatë takimit, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e një projekti pilot të udhëhequr nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila ja besoi Zyrës Kombëtare të Statistikave hartimin dhe zbatimin rregullisht të një sondazhi kombëtar për Romët. Nisma të ngjashme duhet të vijojnë në tërë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në periudhën në vazhdim.

Së fundmi, qeveritë u zotuan të kërkojnë mënyra për ta bërë mbështetjen e përgjegjshme financiare të romëve pjesë të procedurave zyrtare dhe praktikave buxhetore në ekonomi, si dhe mirëpritën Udhëzimet për Mbështetjen e Përgjegjshme Financiare të Romëve. 

Për ne, është shumë e rëndësishme t’i mbajmë sfidat me të cilat përballen Romët në pozicione sa më të dukshme në planin politik të punës. Ja përse kishte shumë rëndësi që përfundimet e takimit ministror të miratoheshin në takimin e udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor, një ngjarje e nivelit të lartë brenda Procesit të Berlinit, organizuar në Sofje në Nëntor 2020. Pasi, kur e shpreh zotimin në një ngjarje kaq të rëndësishme politike nuk mund ta harrosh si pa të keq.

Euronews Albania: Si është gjendja e komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri?

Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, të dhënat zyrtare tregojnë se këtu jetojnë 11.669 Romë, por llogaritet që kjo shifër arrin në 115.000, që është më shumë se 4% e popullsisë së përgjithshme. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Qeverinë e Shqipërisë dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të ngarkuar me integrimin e Romëve. Tashmë i kam përmendur Udhëzuesin për Mbështetjen e Përgjegjshme financiare të Romëve.

Udhëzimet janë ideuar kryesisht për qeveritë në rajon, veçanërisht ministritë e linjës përgjegjëse për fusha të ndryshme me përparësi për integrimin e Romëve, dhe më e rëndësishmja për Ministritë e Financave.

Këto institucione duhet të jenë në gjendje të dinë dhe të reagojnë në mënyrën e duhur ndaj kapacitetit për promovimin e integrimit të Romëve kur përgatisin dhe miratojnë propozime politikash dhe masa konkrete, qofshin ato politika kryesore shoqërore-ekonomike apo politika të synuara posaçërisht për Romët. Ministria e Financave dhe Ekonomisë së Shqipërisë ra dakord dhe nënshkroi në Shkurt 2020 një dokument zyrtar si një zotim drejt vendosjes së fokusit dhe objektivave të caktuar për mbështetjen financiare nga qeverisja vendore për Romët dhe Egjiptianët. Me këtë akt Shqipëria bëri një hap përpara drejt një të ardhme më të mirë për Romët.

Dhe kjo është sigurisht e nevojshme. Përqindja e romëve që jetojnë nën kufirin e varfërisë së skajshme në Shqipëri është 53.40%, në krahasim me 14.30% të popullsisë së përgjithshme. Të gjithë e dimë që një e ardhme më e mirë fillon me arsimimin dhe Shqipëria rivlerësoi programet arsimore në kopshte dhe shkolla. Thuajse 400 djem dhe vajza të tjera rome dhe egjiptiane u regjistruan dhe ndoqën arsimin parashkollor dhe arsimin e detyruar në 2019. Në të njëjtin vit parlamenti shqiptar miratoi një ligj të ri mbi programet e nxitjes së punësimit i cili cik disa segmente të popullsisë rome dhe egjiptiane të angazhuar në ekonomi informale ose të interesuar në zhvillimin e një biznesi të vogël. Por, Shqipëria duhet ende të trajtojë mungesën e Romëve të punësuar në administratën publike, ku nuk janë shënuar përparime.

Kartat e shëndetit lëshohen për shumicën e popullatës rome, gjë që është veçanërisht e rëndësishme në këtë kohë kur bota po përballet me pandeminë COVID-19.

Fondet për përmirësimin e shtëpive janë livruar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tek qeveritë lokale, duke synuar përmirësimin e kushteve të strehimit për Romët. Nga kjo nismë përfituan 341 familje rome dhe egjiptiane. 

Shifrat po flasin vetë. Ka përparim, por ka ende shumë për të bërë. Kostoja e lënies mënjanë të popullsisë rome dhe egjiptiane në Shqipëri është jashtëzakonisht e lartë. Pra, nëse nuk po mendojmë nga ana emocionale për të drejtat e njeriut, barazinë dhe lirinë, atëherë të paktën mund të mendojmë nga ana ekonomike. Sa më e qëndrueshme përfshirja e romëve, aq më e pasur është ekonomia.

Etiketimet

Më 3 korrik pritet të zgjidhet kryetari i ri PDK-së

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka vendosur që mbajtja e konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë, të zhvillohet më 3...

Shqipëria e fundit në Europë për konsumin dhe të ardhurat për frymë, thotë Eurostat

Sipas të dhënave të Eurostat, Shqipëria u rendit e fundit në Europë, sa i përket konsumit individual për frymë, i cili është një matës...

Kryeministri italian bën thirrje që finalja e EURO 2020 të mos mbahet në Londër

Kryeministri italian Mario Draghi ka bërë thirrje që finalja e kampionatit EURO 2020 të mos mbahet në Londër për shkak të përhapjes së variantit...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER