Ndarja e detit në arbitrazh, deputeti grek: Me Shqipërinë kërkojmë atë që kemi bërë me Italinë

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Parlamenti i Greqisë ka nisur diskutimet për projektligjin mbi zgjerimin me 12 milje në detin Jon, duke e cilësuar këtë si një të drejtë e pakontestueshme.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias është shprehur se vendet fqinje e kuptojnë ushtrimin e të drejtës për zgjerimin e vendit.

Deputeti grek i partisë në pushtet, “Demokracia e Re”, Dimitris Keridis në një intervistë ekskluzive për Euronews Albania me gazetaren Loneta Progni e cilësoi përpjekjen e Shqipërisë dhe Greqisë për të bërë delimitimin e kufirit në detin Jon si të ngjashme me atë që më herët të dyja vendet kanë bërë me Italinë.

Deputeti Keridis, njëherazi profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin “Pandio” të Athinës, duke shprehur keqardhje për rrëzimin e marrëveshjes që të dyja vendet arritën në vitin 2009, theksoi se zgjerimi i Greqisë me 12 milje është një e drejtë që i takon asaj, dhe se të dyja shtetet kanë rënë dakord që të pranojnë çdo vendim që do të marrë Gjykata Ndërkombëtare. 

Intervista e plotë:

Përshëndetje z. Keridis dhe mirë se vini në Euronews Albania. Do të marrim disa minuta për të biseduar rreth çështjeve me te cilat përballen dy vendet tona. Së pari, do fillojmë me çështjen e detit. Unë do të doja të theksoja disa gjëra në lidhje me marrëveshjen detare midis Greqisë dhe Shqipërisë. Në vitin 2009, marrëveshja u nënshkrua nën presionin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në ditët e sotme, bisedimet po zhvillohen nën presionin e pritjes së Konferencës së parë Ndërqeveritare të Shqipërisë me BE. Pyetja ime është, a po përballemi me një kushtëzim nga Greqia posaçërisht me atë marrëveshje, për aspiratën evropiane të Shqipërisë?

Përgjigje: Ju falënderoj që më keni ftuar në programin tuaj dhe për mikpritjen tuaj. Është kënaqësi që të kesh këtë mundësi për të komunikuar me qytetarët shqiptarë. Ashtu siç edhe e dini, Greqia ka mbështetur gjithmonë demokratizimin e Shqipërisë, duke filluar që nga vitet 1990 e në vazhdim dhe ka zhvilluar marrëdhënie të ngushta me institucionet ndërkombëtare të tilla si anëtarësimi në NATO dhe tani rruga drejt integrimit evropian. Greqia po investon shumë për prosperitetin e Shqipërisë, vendet tona janë shumë të afërta. Mijëra shqiptarë kanë gjetur strehë këtu në Greqi dhe janë pjesë e shoqërisë greke dhe sigurisht që kemi një komunitet shumë të fortë grek në Shqipërinë e Jugut, marrëdhënie tregtare të forta midis dy vendeve dhe shkëmbime kulturore të rëndësishme. Në këtë mënyrë, ishte për të ardhur keq që marrëveshja e nënshkruar gjatë vitit 2009 nuk u ratifikua për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Jemi këtu sot në një mënyrë shumë paqësore dhe miqësore për të zgjidhur çështjen me anë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ky është vendimi i dy qeverive. Këtu kishim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, drejt zgjidhjeve të bazuara në ligjet ndërkombëtare.

Shqetësimi kryesor këtu në Shqipëri, por supozoj se edhe në Greqi janë 12 miljet detare që Greqia pretendoi kohët e fundit në parlament. Zgjerimi i ujërave territoriale me 12 milje detare, a e ndryshon hartën e negociatave me Shqipërinë? Cili është efekti në negociatat për detin, apo në konfliktin për detin në Hagë?

Përgjigje: Shqipëria ka rënë pak a shumë dakord për këtë çështje dhe nuk ka kundërshtime. Në fakt, nuk kishte përse të kishte kundërshtime, sepse është diçka në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe është një vendim i tej zgjatur. Kohët e fundit, Greqia ka nënshkruar një marrëveshje për delimitimin e zonës ekskluzive ekonomike me Italinë dhe në bazë të kësaj marrëveshje jemi gati të ratifikojmë në parlament zgjerimin me 12 milje. Shqipëria vetë ka bërë të njëjtën gjë me Italinë për ujërat e veta territoriale. Jemi këtu për të bërë atë që Shqipëria dhe Italia kanë bërë më parë dhe mendoj që Tirana ka qenë shumë mbështetëse në këtë çështje.

Perse Greqia miratoi një ligj që shton 12 milje detare përpara dokumentit që të dy vendet do të miratojnë në Parlamentet përkatëse?

Përgjigje: Sepse kjo është një e drejtë unilaterale (e njëanshme) e vendeve bregdetare dhe nuk është subjekt i negociatave, nuk mund të vendoset nga vendet e tjera, nuk është e njëjta gjë si delimitimi i shelfit kontinental apo më e rëndësishme i zonave ekskluzive ekonomike. Çdo shtet, sipas të drejtës ndërkombëtare, mund të zgjerohet deri në 12 milje dhe Greqia rezervon të drejtën për të bërë të njëjtën gjë në rajonet e tjera të Greqisë, por një gjëja më e rëndësishme është që Shqipëria ka rënë dakord plotësisht.

Cila do të jetë zgjidhja më e mirë për çështjen detare të Greqisë dhe Shqipërisë?

Përgjigje: Mendoj se mund ta kishim pasur atë marrëveshje në vitin 2009, ishte me interes të dyanshëm, por Shqipëria vendosi të vepronte ndryshe. Pas kësaj, në fund gjetëm një zgjidhje të përbashkët në bazë të juridiksionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe jemi në pritje të vendimit të saj. Mendoj se do të ishte gabim që ta bëjë këtë çështje pjesë e politikës së brendshme dhe të luajë kartën e jo fleksibilitetit dhe të nacionalizmit. Le të jem shumë i qartë, gjëja e fundit për të cilën Shqipëria ka nevojë është një betejë e panevojshme me Greqinë, dhe e kundërta. Nëse mund ta themi, Shqipëria është një vend që ka bërë progres të madh gjatë këtyre 30 viteve, ka një performancë të jashtëzakonshme në Evropën Lindore përgjatë tranzicionit, por ka probleme të tjera sociale dhe të zhvillimit dhe duhet që të fokusohet në prioritetet e saj dhe e them këtë me qëllime të mira dhe si një mik i Shqipërisë, dhe si një njeri që e ka vizituar Shqipërinë dhe që ka punuar me të rinjtë shqiptarë në të kaluarën.

A do të pranonte Greqia çdo vendim të Gjykatës apo nëse vendimi nuk është ai që Greqia pret, do të kërkojë një rinegocim? Dhe për aq sa mund të na thuash, sa kohë mund të zgjasë çështja në gjykatë?

Përgjigje: Nuk kam njohuri shumë të sakta në lidhje me skedulin dhe afatet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, por jam në dijeni që kur dy vendet bien dakord që të nënshkruajnë marrëveshjen që ta kalojnë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ato nënshkruajnë gjithashtu angazhimin për t’iu bindur gjykimit/vendimit të Gjykatës. Dhe në këtë mënyrë, besoj se kemi të bëjmë me dy vende evropiane serioze, të cilat nuk do të kthehen mbrapsht nga ky vendim. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka të gjitha akreditimet për ta gjykuar këtë çështje në mënyrën më të mirë të mundshme. Për Greqinë kjo është një çështje principi, sepse Greqia e ka bazuar politikën e saj të jashtme në ligjin ndërkombëtar dhe e propagandojmë atë në të gjitha forumet. Kemi gjithashtu një konflikt serioz me Turqinë në lidhje me delimitimin detar dhe duam që të dërgojmë mesazhin gjithashtu për fqinjin tonë lindor që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është rruga më e sigurt për zgjidhjen e këtyre çështjeve.

Lidhur me fqinjësinë e mirë në rajon, a mendoni se Greqia dhe Shqipëria duhet të zgjidhin çështjet e tjera me të cilat përballen, për shembull, Ligji i Luftës apo Çështja Çame? A do të kontribuojë kjo në një marrëdhënie më të mirë midis fqinjëve?

Përgjigje : E kuptoj që kjo është një çështje sensitive në Shqipëri, e cila është rikthyer herë pas here në domenin politik shqiptar, nuk është një çështje për Greqinë, por është një çështje për politikën e brendshme të Shqipërisë. Mendoj se shërben si një shpërqendrim. Kjo është një çështje mbi 70-vjeçare. Ne ishim në një moment të vështirë atëherë. Kemi çështje të tjera, të drejtat dhe pronat e minoritetit grek në Shqipërinë e Jugut, ose Epirin e Veriut siç e quajmë ne. Kemi një marrëdhënie të ngushtë midis vendeve dhe do të ishte mëkat dhe e panevojshme që ta lejonim që të ndodhte ky debat dhe të kishte prapavijë grupet nacionaliste, që më sa kuptoj janë gjithmonë të pranishme në këtë pjesë të botës.

Ju falënderoj shumë për këtë intervistë në Euronews Albania 

….Faleminderit shumë. Shpresoj që të kemi shansin që të diskutojmë përsëri këto çështje në të ardhmen.

Lexoni gjithashtu:

Zgjerimi i Greqisë me 12 milje, nis debati në parlamentin grek, Rusia mbështet zgjerimin e shtetit fqinj

“Çështja e Detit” me Greqinë, Ilir Meta vendos “vijat e kuqe” për parimet që duhen ndjekur

Kufijtë detarë Shqipëri-Greqi, kryeministri Mitsotakis paralajmëron zgjerim me 12 milje në Detin Jon

 

Etiketimet

Lindita Nikolla për Ramën: Debate të forta pavarësisht bashkëpunimit maksimal

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla tregoi për Euronews Albania se me kryeministrin Rama pavarësisht bashkëpunimit maksimal kanë pasur dhe debate të forta. Ajo u shpreh...

Lindita Nikolla tregon pengun më të madh nga koha kur ishte ministre e Arsimit

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tregoi për Euronews Albania se nga protesta e studentëve, i ka ngelur merak që nuk iu dha mundësia që...

‘PS të mos sillet si triumfatore’, Lindita Nikolla: Do jem avokate e mirë e opozitës

“Do jem një avokate e mirë e opozitës”. Kështu është shprehur për Euronews Albania, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, teksa shtoi se në çdo...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER