Presidenti Ilir Meta apeloi të martën për qartësi në planin e menaxhimit të pandemisë së COVID-19, pasi rastet me infeksione po shtohen dita ditës.
Përmes një postimi në Facebook, Meta tha me shqetësim se numri i të prekurve është rritur ndjeshëm. Ai iu referua disa të dhënave të përpiluara nga Zëri i Amerikës – sipas së cilave javën e fundit pati 20.4% më tepër të infektuar se një javë më parë, më konkretisht: 12-18 janar 4,011 të infektuar, 19-25 janar 4,830 të infektuar.
“Ky është niveli më i lartë i shënuar, që pas javës së dytë të dhjetorit. Nevojitet një plan i qartë, që duhet ta kishim prej kohësh, për menaxhimin efikas të situatës, përmirësimin e prekshëm të kushteve në spitale, rritjen e masave mbrojtëse për mjekët e infermierët dhe veçanërisht për vaksinimin e popullatës,” – shkroi Meta duke theksuar se pandemia nuk ndalet me propagandë.
Sipas Presidentit shëndeti dhe jeta e qytetarëve duhet të jetë prioritet absolut.
Autoritetet shëndetësore njoftuan javën e shkuar për prirjen në rritje të infeksioneve gjatë muajit janar. Për këtë Komiteti Teknik i Ekspertëve arsyetoi mos-hapjen e universiteteve dhe vijimin pa afat të masave kufizuese të vendosura që në nëntor.
Prej 11 janarit Shqipëria ka nisur programin e vaksinimit me prioritet stafin mjekësor pasi një vend i Bashkimit Evropian i premtoi qeverisë në ruajtje të anonimatit një sasi prej rreth dy mijë dozash. Ministrja Ogerta Manastirliu deklaroi të hënën se në muajin shkurt pritet të vijnë dërgesat e para të 500 mijë vaksinave të porositura nga Pfizer dhe ato të tjerat të mekanizmit COVAX.
Prej nisjes së pandemisë në Shqipëri janë diagnostikuar rreth 73 mijë raste me COVID-19, prej së cilave 60% e tyre janë shëruar (44,291 raste), 30.2% janë ende me mbartje të virusit (28,521 raste) ndërsa 1.8% nuk ia kanë dalë mbanë (1,324 raste).
Lexoni gjithashtu:
Pas vonesave nga AstraZeneca BE kërcënon të bllokojë eksportet e vaksinave anti-Covid jashtë unionit
I vodhi pacientit me COVID-19 paratë, policia arreston infermieren
Vaksinat nga COVAX, Manastirliu: Pritet që furnizimet e para të vijnë në shkurt
Pandemia e COVID-19 pësoi prirje ”të ndjeshme” rritëse dy javët e fundit në Shqipëri