Kryeministri Edi Rama kërkoi sot ndihmën e mediave për të shtuar besimin e qytetarëve te sistemi shëndetësisë në mënyrë që për trajtimin e rasteve të rënduara të infektimit nga COVID-19 të mos hezitojnë për t’iu drejtuar spitaleve.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp ku u fol për situatën shqetësuese që ka marrë infeksioni nga COVID-19 në Shqipëri, kryeministri u kërkoi mediave që të jenë më të kujdesshme me raportimet për situatën në spitale. Ai falënderoi në tërësi për denoncimet për rastet abuzive të korrupsionit, por theksoi se “kjo nuk është panorama e përgjithshme” dhe se kjo mund të ndikojë në krijimin e stereotipeve negative për punën e mjekëve në spitale.
“Duhet të jeni të kujdesshëm për të mos u ekspozuar qytetarëve vetëm panoramën ku, kush shkon në spital vdes, kush shkon në spital grabitet, se kështu do të kishim qindra e mijëra njerëz ose të vdekur… largqoftë, ose të grabitur, që s’është ky rasti,” – theksoi kryeministri duke përmendur se në spitalet shqiptare kryhen në tërësi rreth 90 mijë ndërhyrje.
Rama e konsideroi problem mungesën e besimit të qytetarëve te spitalet duke preferuar të mjekohen në shtëpi edhe kur shëndeti i tyre përkeqësohet ndjeshëm.
“[…] duhet ndihma e të gjithëve, sigurisht ka pasur arsye për t’u ndjerë jo mirë, apo dhe keq kur përmes mediave janë shfaqur raste [korrupsioni] të cilat nuk i bëjnë nder sistemit shëndetësor, […] por kjo nuk është situata e përgjithshme […] se janë me mijëra e mijëra njerëz që marrin shërbimin e duhur, që ndërkohë sistemi funksionon më së miri për shumicën e rasteve, për deri sa shifrat dhe faktet e thonë këtë,” – këmbënguli Rama, duke ndarë me mediat përgjegjësinë për besimin e ulët te spitalet.
Lexoni gjithashtu:
Rama: Në Shqipëri ka sinjale të arsyeshme për futjen e varianteve të reja të virusit