Yuri Kim: Reforma në drejtësi është jetike për suksesin e Shqipërisë si shtet

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim gjatë një aktiviteti të projektit “Drejtësi për të gjithë”, ku merrnin pjesë anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, deklaroi se “investimet e SHBA në sektorin e drejtësisë po japin rezultat”. Ambasadorja foli për përmirësim të punës së gjykatave në të gjithë vendin dhe shtoi se duhen përpjekje të qëndrueshme për ta çuar më tej reformën.

“Nuk ka asnjë alternativë: reforma në drejtësi është jetike për suksesin e Shqipërisë si shtet, jetike për suksesin e saj si ekonomi, dhe jetike për të pasur sukses në krijimin e mundësive për popullsinë e saj të zgjuar, energjike dhe punëtore. Kjo është një shtyllë e rëndësishme për të realizuar të ardhmen e Shqipërisë në Evropë”, deklaroi znj. Kim.

Ambasadorja tha se SHBA e mbështet plotësisht këtë reformë dhe shtoi se është e angazhuar personalisht si përfaqësuese e presidentit “për të bërë gjithçka që mundem për të promovuar këtë reformë si një mjet për të arritur një të ardhme më të drejtë, më demokratike dhe më të sigurt për shqiptarët”.

“Duam atë që do populli shqiptar: që njerëzit që janë në karrigen e gjykatësit ose që përfaqësojnë prokurorinë të jenë gra dhe burra me integritet dhe mirëbesim, dhe që i shërbejnë popullit dhe i shërbejnë shtetit të së drejtës – jo interesave ngushta ose kriminale”, tha Yuri Kim.

Diplomatja duke folur për korrupsionin në nivel të lartë tha se SHBA kërkon që në Shqipëri të ketë “ligje dhe sisteme që janë krijuar për të kufizuar mundësitë për korrupsion dhe institucione të ngritura që të mund të parandalojnë efektivisht korrupsionin e nivelit të lartë”.

Ambasadorja foli për nevojën që arritjet e deritanishme të reformës në drejtësi të mos lëkunden dhe theksoi se nxit institucionet e reja të drejtësisë që “të qëndrojnë të forta kundër trysnisë ekstreme për t’i përkulur dhe për t’i përfshirë në korrupsion e veprimtari kriminale, që me siguri do të minonte të ardhmen e ndritur të Shqipërisë”.

Yuri Kim shtoi se Ambasada Amerikane do të vazhdojë punën e ngushtë me SPAK “për t’u siguruar që prokurorët dhe hetuesit e tij të jenë të trajnuar mirë, të pajisur mirë dhe shumë të efektshëm” si dhe do të mbështesin procesin e vetingut.

“Ndërkohë që janë bërë arritje në përmirësimin e funksionalitetit dhe integritetit të sistemit të drejtësisë, të gjithë e dimë që puna nuk ka mbaruar. Ne vazhdojmë me mbështetjen tonë për institucionet e vlerësimit kalimtar (vetingut) përmes pranisë së vëzhguesit ndërkombëtar të SHBA dhe rolit të Ambasadës Amerikane në Bordin e ONM, si garantues të procesit”, përfundoi ambasadorja.

Etiketimet

Rënie e theksuar e vdekjeve dhe infektimeve me COVID-19 pas vaksinimit, sipas studimit italian

Rastet e reja me COVID-19 tek të gjitha grup moshat kanë rënë me 80 për qind vetëm pesë javë pas dozës së parë të...

Rritet çmimi i karburanteve, nafta dhe benzina 5 lekë më shtrenjtë në tregun e pakicës

Në pikat e furnizimit me pakicë të karburanteve, këtë fundjavë është vënë re rritje të çmimit të naftës dhe benzinës. Nëse në fillim të javës...

Nuk ndalen sulmet në Gaza, goditen zyrat e mediave Associated Press dhe Al Jazeera

Nuk kanë të ndalur sulmet dhe kundërsulmet mes Izraelit dhe grupit Hamas, ku orë pas ore raportohet për jetë të humbura mes civilëve. Një ndërtesë...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER