Sigurimi i detyrueshëm për automjetet, risitë e ligjit të ri dhe përfitimet e palëve nga 1 korriku

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Nga dita e sotme ka hyrë në fuqi ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, i cili pritet të sjellë disa risi në lidhje me sigurimin e përgjegjësive motorike ndaj palëve të treta.

Ligji parashikon shkurtimin e afatit të pagesës së dëmeve, uljen e kostove për të siguruarit dhe uljen e shpenzimeve të trajtimit të kërkesave për dëmshpërblim nga ana e shoqërive të sigurimit me anë të nënshkrimit të “Raportit Evropian të Aksidenteve” për dëmet me vlerë deri në 30.000 lekë.

Përmes plotësimit dhe nënshkrimit të formularit të posaçëm, i cili do t’i dorëzohet të siguruarit nga shoqëria e sigurimit kur ai blen policën e sigurimit, në rastet kur drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident bien dakord për zgjidhjen me mirëkuptim të ngjarjes, raporti i nënshkruar mes tyre i bashkëngjitet kërkesës për dëmshpërblim, e cila sipas ndryshimeve ligjore tashmë do të trajtohet brenda 14 ditëve nga data e paraqitjes së dokumentacionit. Ky afat më herët ka qenë 30 ditë.

Ligji parashikon që afatet për trajtimin dhe pagesën e dëmshpërblimit të jenë: 90 ditë për dëme ndaj personit; 30 ditë për dëme ndaj pronës; 14 ditë për dëme ndaj pronës me vlerë deri në 100.000 lekë.

Me ligjin e ri, nëse një i siguruar pëson një aksident shkaktuar nga një mjet i pasiguruar ose nga dikush që largohet nga vendngjarja, rasti nuk shkon më automatikisht te Byroja Shqiptare e Sigurimit, por të dëmtuarit i lind e drejta që kompensimin t’ia kërkojë direkt shoqërisë që ka lëshuar policën e sigurimit.

Gjithashtu, prej 1 korrikut 2021 kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në aksident do të rritet në 22 milionë lekë, nga 20 milionë lekë që ishte. Në periudhën 2022-2026 ky limit do të rritet me dy milionë lekë çdo vit, duke arritur në nivelin 32 milionë lekë në 2026-n.

Nga sot kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo mjet do të jetë 55 milionë lekë, ndërsa në rastin e autobusëve ky kufi do të jetë 150 milionë lekë.

Ligji ka vendosur gjithashtu një kufi lidhur me shumën që mund të përfitojnë avokatët e të aksidentuarve, i cili nuk mund të jetë më shumë se 5% e vlerës së dëmshpërblimit të përfituar. Shpesh mbrojtësit ligjorë janë akuzuar nga kompanitë e sigurimeve, se në bashkëpunim me gjykatat, kanë abuzuar me shumat që i kanë ngarkuar në kurriz në emër të palëve të aksidentuara.

 

LEXONI GJITHASHTU: 

Etiketimet

Mijëra qytetarë nderojnë 3 viktimat e sulmit me armë në Deçan

Mijëra qytetarë në Deçan kanë ndezur qirinj për tre personat që u vranë mbrëmjen e së premtes pas një sulmi me armë ndaj një...

Festat e Nëntorit, kalendari i aktiviteteve që mund të ndiqni më 28-29 nëntor

Aktivitetet për fesat e Nëntorit kanë nisur që të premten në Tiranë, me ekspozita dhe diskutime për figurat e rëndësishme që kontribuuan në pavarësinë. Në...

“Konaku i Rrajcës” aktiviteti që ruan trashëgiminë folklorike të zonës

Me qëllim ruajtjen e traditave dhe kulturës të zonës, si dhe përcjelljen te brezat e rinj një grup artistësh nga Rrajca kanë organizuar "Konakun...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER