Policia e shtetit ka kërkuar rihapjen e hetimeve të 21 janarit, si sot 1 vit më parë. Nëpërmjet një shkresë zyrtare, janë renditur 7 pika mbi të cilat mendohet se mund të rihapen hetimet.
Policia e Tiranës kërkon hetime shtesë si dhe ri-eksperiment për drejtimin e qitjes në vrasjen e Aleks Nikës e Hekuran Dedës si dhe plagosjes së 7 personave të tjerë. Gjithashtu është kërkuar dhe një ri-ekspertim të predhës së gjetur në trupin e Nikës.
Në shkresën dërguar prokurorisë vihet re mungesa e provave të reja të cilat mund të rihapin një dosje të mbyllur nga drejtësia shqiptare.
Në thelb policia e shtetit i kërkon vetes të mësojë nëse instituti i policisë shkencore ka përparuar me shkencën dhe teknikën kriminalistike ekzaminuese.
Kërkohet gjithashtu nëse ka laborator të huaj për ekzaminime kriminalistike që të ekzaminojë predhën e nxjerrë nga trupi i Aleks Nikës.
Vec kësaj policia kërkon të rimerren në pyetje punonjësit e gardës që kanë qenë të stacionuar në godinën e kryeministrisë atë ditë.
Krahas tyre kërkohet dhe rimarrja në pyetje e familjarëve por edhe personave që kanë qenë pranë viktimave nëse kanë mësuar ndonjë të dhënë me interes për hetimin.
Kalimi i dosjes “21 janari” në të tre shkallët e gjyqësorit përfundoi me dënimin e ish-kreut të Gardës, Ndrea Prendi, me 1 vit burg dhe gardistit Agim Llupo, me 3 vite, për “vrasje nga pakujdesia” të Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit.
Llupo u dyshua edhe për vrasjen e Hekuran Dedës, por akuza nuk u provua në gjykim, duke e lënë këtë vrasje pa autor.
Ndërsa për vrasjen e Aleks Nikës drejtësia nuk ka pasur asnjë të dyshuar konkret. Predha e gjetur në trupin e tij ishte dëmtuar aq shumë sa nuk mund të identifikohej arma nga e cila ishte shtënë.