Më 6 mars duhet të respektohet vota e lirë dhe se duhet të jetë një moment reflektimi për të gjithë partitë politike.
Kështu deklaroi presidenti Ilir Meta nga Shkodra, teksa nënvizoi se nuk ka asnjë shmangie nga asnjë parti politike për zgjedhjet e pjesshme vendore.
“Nuk dëshiroj të bëj replika as serioze dhe as gramore. Është një moment i rëndësishëm për të rivendosur, rehabilituar institucionin e votës së lirë në vend. Nuk janë zgjedhje kombëtare, por është një proces i cili përfshin disa nga bashkitë kryesore të vendit”, u shpreh kreu i shtetit.
“Problemet me të cilat ndeshet vendi ynë prej kohësh kanë të bëjnë me respektimin ndaj institucionit të votës së lirë, të votës së lirë si qytetarë të republikës së Shqipërisë, si anëtarë të forcave të ndryshme politike. Shumë pasoja kanë ardhur si pasojë e bojkoteve”, shtoi ai.
Meta deklaroi se këto zgjedhje duhet të jenë një shembull, pasi do të ndiqen nga shumë institucione dhe pritet që të çelen negociatat me BE.
“Unë i nxis të gjithë aktorët që të dëshmojnë reflektimin e duhur dhe t’i shërbejnë një procesi shembullor që do të jetë në vëmendje të të gjithë këtyre institucioneve që kanë bërë vërejtjet në mënyrë të vazhdueshme për standardet e zgjedhjeve në vendin tonë. Të mos harrojë që po presim, punojnë së bashku me RMV që brenda muajve të ardhshëm të çelin negociatat me BE-në. Ky është një moment i rëndësishëm për të treguar reflekim nga të gjitha institucionet”, përfundoi ai.