Zgjedhjet e pjesshme vendore do të kushtojnë 180 milionë lekë.
Kështu deklaroi gjatë një konference për mediat në lidhje me zgjedhjet në 6 bashki Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Celibashi tha se në total janë 13 KZAZ dhe 940 qendra votimi në të 6 bashkitë.
Ai njoftoi se në të gjitha bashkitë do të aplikohet identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë do të aplikohet edhe votimi elektronik.
“E kemi një eksperiencë në Tiranë. Qëllimi është ta aplikojmë votimin elektronik edhe në zgjedhjet e bashkisë Vorë, por do ta diskutojmë me partitë politike” u shpreh ai.
Celibashi foli dhe për procedurën e regjistrimit të Partisë Demokratike në zgjedhje, ku tha se partia që kërkon të regjistrohet duhet të paraqesë një sërë dokumentesh, një prej tyre nga gjykata.
“Dokumenti nga gjykata e Tiranës përfshin të dhënat mbi partinë politike, përfshirë emër, organet drejtuese, organet kompetente për të mbajtur marrëdhëniet me të tretët”, tha ai.
Zgjedhjet e pjesshme do të mbahen në 6 bashki që janë pa kryetar formal: Shkodër, Vorë, Durrës, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnjë.
Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datë për zgjedhjet e pjesshme vendore, të enjten.