5 nëntori shënon Ditën Botërore të Gjuhës Rome, celebrim i një gjuhe e cila daton më shumë se 1 mijë vite më parë e që në ditët e sotme flitet në më shumë se 50 shtete në mbarë botën.
Nisma e parlamentit kroat të vitit 2009, u miratua më pas nga UNESCO në 2015, si një ditë që shërben jo vetëm për promovimin e rreth 10-12 milionë romëve që jetojnë sot në Europë, por edhe për të përmirësuar mirëqenien e tyre.
Sipas përllogaritjeve të UNESCO, rromishtja ka rreth 33 mijë fjalë, dhe një gamë të gjerë dialektesh, edhe pse folësit e dialekteve të ndryshme arrijnë ta kuptojnë njëri-tjetrin, por vetëm pak janë njohës të formës standarde të kësaj gjuhe.
Por gjuha e tyre sot rrezikon të zhduket edhe pse në Shqipëri flitet nga afro 20 mijë romë, e një prej arsyeve është se nuk mësohet në shkollë.
Dhe sa më pak të flitet gjuha, aq më shumë rrezikon të lihet në harresë. UNESCO e ka renditur gjuhën rome në vend të 547 për sa i përket gjuhëve botërore që konsiderohen në rrezik.
Euronews Albania bisedoi me Emiliano Aliun, Drejtorin Ekzekutiv të Roma Versitas Albania, i cili na tregon disa prej sfidave me të cilën po përballet kjo gjuhë.
“Kemi sfida të mëdha që kjo gjuhë po humbet tek të rinjtë, për shkak të integrimit, diskriminimit dhe racizmit që ndodh kundrejt tyre, duke harruar gjuhën e nënës”, thotë Aliu.
Në Shqipëri janë ndërmarrë disa përpjekje, përfshi këtu një nismë e Prof. Marcel Courthiade dhe të profesorit të ndjerë nga Korça, Arben Kosturi, për të hapur kadastrën e gjuhës rome në Universitetin Aleksander Xhuvani në Elbasan në vitin 2015, i cili prodhoi një fushë krejtësisht të re studimi, por edhe mundësi të reja punësimi për mësues të romishtes.
Por, programi u mbyll vetëm katër vite pas nisjes për shkak të numrit të ulët të regjistrimeve.
“Në universitetin Aleksandër Xhuvani ka filluar brezi i parë i studentëve. Kanë qenë gjithsej dymbëdhjetë, dy e kanë lënë, tetë janë diplomuar dhe dy e kanë braktisur. Edhe brezi i dytë ka qenë numër më i vogël, por në vitin e tretë pra brezi i tretë kemi pasur një rënie”, shtoi Aliu, i cili ishte dhe pedagog i rromishtes në këtë shkollë.
Sipas Drejtorit Ekzekutiv të Roma Versitas Albania, autoritetet shtetërore duhet të miratojnë një ligj i cili lejon studimin fakultativ të rromishtes nëpër shkolla ku ekziston një pakicë prej të paktën 15 për qind studentësh.
Një problem tjetër mbetet diskriminimi, i cili i detyron shumë të rinj romë që të mos flasin gjuhën e tyre mëmë, ndaj promovimi i kësaj gjuhe në shkolla përmes programeve të veçanta është i një rëndësie të madhe, në mënyrë që të hiqen barrierat që imponohen nga stigmatizimi.
Raxhi Rakipi, anëtar i pakicës rome ishte një prej studentëve që vendosi të studiojë këtë gjuhë.
“Vendosa të studioj gjuhën rome për shkak se më përpara nuk dija ta shkruaja ose të lexoja gjuhën time… ka shumë fëmijë që nuk dinë të shkruajnë dhe ta lexojnë”, tregon ai.
Në 2016, organizata joqeveritare Rromani Baxt Albania botoi fjalorin Shqip-Rromisht-Shqip, i cili numëron rreth 4,500 fjalë.
Gjuha i shëmbëllen Sanskritit të lashtë, çka shërben për të evidentuar lëvizjen masive që e pati zanafillën nga India e veriut e më pas u përhap drejt Europës thuajse një shekull më parë, duke e bërë këtë të fundit gjuhën e vetme indo-ariane që flitet në mënyrë ekskluzive vetëm në Europë.
Mendohet se komuniteti mbërriti në Shqipëri rreth 600 vjet më parë dhe e ka trashëguar gjuhën e të parëve brez pas brezi.
Në Shqipëri, janë pesë fise dhe katër dialekte kryesore, Meçkarët, Erlijt, Çergarët, Bamilit dhe Vakardit (Kurtofët).
Sot ata jetojnë kryesisht në këto katër qytete, Tiranë, Fier, Korçë dhe Elbasan.
LEXONI GJITHASHTU:
- Zvarritja e rikonstruktimit të shkollës rrezikon të nxisë fenomenin e braktisjes tek fëmijët romë
- Integrimi në BE, Samiti i Brdos i rikujton Ballkanit detyrimet për pakicat
- Paragjykimet vështirësojnë strehimin e komunitetit rom që u prek nga tërmeti i 26 nëntorit