Gjuha e urrejtjes përhapet me shpejtësi në rrjete sociale, Orhan Usein thirrje qeverive të luftojnë anticiganizmin

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, e cila shënohet çdo vit më 10 dhjetor, Euronews Albania bisedoi me z. Orhan Usein, Drejtori i Zyrës së Këshillit për Bashkëpunim Rajonal për Projektin e Integrimit të Romëve.

Projekti i Integrimit të Romëve u ndërmor nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian dhe Fondacioneve të Shoqërisë së Hapur, në fillim të vitit 2016. Një prej arritjeve të këtij projekti është nisma e dokumentit tashmë të njohur si Deklarata e Poznanit, e cila u firmos nga krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Lufta kundër diskriminimit, pika e gjashtë e Deklaratës, është një prej sfidave më të mëdha të rajonit.

Euronews Albania: Kanë kaluar 70 vjet që nga miratimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Por, të drejtat e njeriut janë ende nën rrezik në mbarë botën. Si drejtues i projektit për Integrimin e Romëve, a mendoni se anticiganizmi po vjen drejt rritjes në Ballkanin Perëndimor?

Urrejtja dhe sulmet me bazë etnike, prej ngjyrës së lëkurës, si dhe statusit si të paprivilegjuar në shoqëri janë një pjesë përbërëse e padrejtësive kundër romëve. Shumicës së tyre iu mohohet qasja në drejtësi dhe të drejtave themelore të njeriut, si arsimimi, punësimi, sigurimi shëndetësor dhe dokumentet e identifikimit. Ndasia në ambientet mësimore, diskriminimi në aplikimet për punë, të dhënat mjekësore ku ndahen dosjet e shtetasve romë nga ato të jo-romëve janë ende pjesë e realitetit në Ballkanin Perëndimor, por edhe në Europë. Sipas Barometrit të fundit për Ballkanin, vetëm 29 për qind e qytetarëve në Shqipëri nuk do ta kishin problem t’i jepnin me qira banesën e tyre një romi, dhe diçka e ngjashme vërehet edhe më gjerë në rajon. 63 për qind e banorëve të Ballkanit Perëndimor nuk duan t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla me nxënës të tjerë romë, dhe e njëjta përqindje nuk dëshiron të ketë miq që janë nga komuniteti romë. Këto statistika janë mbledhur ndër vite, dhe fatkeqësisht, shifrat janë në rritje. Me pak fjalë – e gjithë kjo është ajo e cila ne e përkufizojmë si anticiganizëm – një formë e veçantë racizmi kundrejt romëve, ku atyre iu mohohen të drejtat themelore vetëm sepse ata ose ato janë romë.

Së fundmi, kemi qenë dëshmitarë dhe të sulmeve në rrjete sociale dhe rasteve të shtuara të dhunës policore, ku objektiv kanë qenë romët, si në rajon ashtu edhe në vendet e Bashkimit Europian. Disa raste kanë kaluar në heshtje ndërsa disa të tjera jo, megjithatë rezultati ka qenë i njëjtë. Pa përfshirjen e fortë të institucioneve që mbrojnë grupet e cenuara dhe vëmendjes së duhur ndaj rasteve në fjalë, këto ngjarje do vazhdojnë të ndodhin në Europë,  si dhe në rajonin tonë. Praktikat shtypëse që kanë një dimension kolektiv dhe institucional, si dhuna policore, ndarja nëpër shkolla, qasja në sistemin shëndetësor, dëbimet e detyruara, duhet të ndryshohen përmes veprimeve afirmative dhe programeve specifike për kompensimin e viktimave, përfshi këtu përkthimin e standardeve ndërkombëtare në legjislacionin kombëtar ose me një mënyrë të re të bërjes politikë e cila i trajton këto çështje dhe shërben për t’i parandaluar ato.

Euronews Albania: Në jetën e përditshme, na ndodh të ndeshemi me gjuhë urrejtjeje ndaj romëve në rrjete sociale. Edhe në mediat kryesore, romët shpesh portretizohen në një mënyrë shumë stereotipe. Diskriminimi institucional gjithashtu vijon të jetë prezentë në rajon. Cilat janë hapat që duhen ndërmarrë për t’ i luftuar këto?

Gjuha e urrejtjes është një koncept relativisht i ri për rajonin, në shumë vende nuk njihet nga ligji e aq më pak nga qytetarët. Gjuha e urrejtjes kundër romëve, si dhe grupeve të tjera etnike apo të cenuara, ka qenë mjaft e përhapur para një dekade nga ku rrodhi dhe Holokausti, ku humbën jetën 70 për qind e gjithë popullsisë rome. Por, duket se nuk kemi mësuar shumë që prej asaj kohe – gjuha e urrejtjes vijon të mbetet edhe sot, dhe po përhapet me më shumë shpejtësi përmes rrjeteve sociale. Kjo çon në trajtimin e romëve si një grup specifik dhe i lidh ata me një sërë stereotipash poshtëruese dhe imazhesh të shtrembëruara që përfaqësojnë një formë specifike të racizmit. Kjo madje mund të haset edhe në mediat e rajonit, por edhe në Europë, kryesisht nëpër tabloide, gjë që është shumë e rrezikshme.

Anticiganizmi është gjithashtu i përhapur në institucionet publike të rajonit, siç është konfirmuar dhe nga studimi jonë i fundit mbi këtë temë që do të publikohet së shpejti. Ne rishikuam literaturën ekzistuese, analizuam legjislacionet specifike mbi anticiganizmin dhe krimet e dhunës, ligjet dhe aktet që luftojnë veçimin, dëbimet me forcë dhe dhunën policore. Injoranca kundrejt këtyre çështjeve konfirmohet nga mungesa e të dhënave për sa i përket programeve, politikave dhe iniciativave për romët dhe grupe të tjera në rajon. Ekipi që kreu studimin kishte qasje të kufizuar ndaj informacioneve publike dhe të dhënave që duhet të ishin lehtësisht të aksesueshme.

Sipas studimit, gjuha e urrejtjes konsiderohet si një çështje madhore. Më shumë se 87 për qind e të anketuarve pohuan, ose pranuan pjesërisht, deklaratën që romët janë subjekt i gjuhës dhe krimeve të urrejtjes. Diskriminimi në tregun e punës është gjithashtu një problem madhor. Mbi 85 për qind e aktivistëve romë pranuan, ose janë disi dakord, se romët diskriminohen për shkak të etnisë së tyre gjatë aplikimit për punësim. Qasja në infrastrukturat bazë renditet në vend të tretë, pasi 83 për qind ishin dakord, ose pjesërisht dakord, me deklaratën “romët nuk kanë qasje në infrastrukturat bazike”. Në vend të katërt renditen çështjet mjedisore ku 53 për qind e të anketuarve mendojnë se romët janë më të ekspozuar ndaj ndotjes, ndërsa rreth 30 për qind ishin pjesërisht dakord.

Në të gjitha ekonomitë, këto koncepte përfshihen në legjislacionet vendore në mënyra të ndryshme nga standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Kësisoj, konceptet e gjuhës së urrejtjes kanë kufizime më të dobëta dhe implementimi i ligjit i bën ato joefikase në luftimin efektiv të anticiganizmit.

Euronews Albania: Cilat do të ishin disa metoda të mira për të luftuar anticiganizmin?

Anticiganizmi është një fenomen social i shumanshëm që kërkon vullnet politik, një kuadër ligjor efektiv për të eliminuar diskriminimin e çdo lloji, politika gjithëpërfshirëse dhe efikase për të promovuar barazinë dhe respektin për diversitetin, si dhe përkushtim afatgjatë ndaj vlerave demokratike si barazia, diversiteti dhe sundimi i ligjit. Përforcimi i kuadrit ligjor ekzistues dhe ravijëzimi me standardet minimale të përcaktuara nga Bashkimi Europian, mund të jenë hapi i parë. Anticiganizmi duhet parë dhe adoptuar si një koncept ligjor dhe politik, me një trajtim të duhur për zyrtarët publikë, punonjësit civilë dhe aktivistët që merren më çështjet e romëve, si dhe fushata të përshtatshme ndërgjegjësuese publike. Romët duhet të marrin pjesë në të gjitha vendimet që ndikojnë mbi komunitetet e tyre dhe t’u jepet kurajë për denoncimin e rasteve të diskriminimit. Të gjitha format e ndasive nëpër shkolla duhet të marrin fund, ashtu si dhe dëbimet e detyruara, pa iu dhënë zgjidhje përmes alternativave të duhura. Më pas, është mbështetja në forma të ndryshme për ruajtjen e gjuhës rome, përforcimin e mediave rome dhe inkurajimi i narrativës pozitive në media. Një hap tjetër i madh do të ishte njohja e 2 gushtit si Dita e Përkujtimit të Holokaustit, të cilën Parlamenti Europian e miratoi në vitin 2015.

Është e pamundur të mundësojmë barazinë, përfshirjen në shoqëri dhe respekt për diversitetin pa të dhëna, kështu që ngritja e mekanizmave që grumbullojnë këto të dhëna dhe përpilimi i një metodologjie për mbledhjen e tyre, në përputhje me ligjet ndërkombëtare të të drejtave të njeriu në bashkëpunim me pakicat përkatëse dhe grupet në rrezik, duhet të vihet në fuqi. Sipas studimit tonë për luftimin e anticiganizmit institucional, organizatat joqeveritare rome dolën të parat në preferencat e të anketuarve me 120 vota, e ndjekur nga një lider rom me 87 vota dhe familja e gjerë me 77 vota. Ndërkohë, përfaqësuesit politikë dhe udhëheqësit fetarë u renditën në vende shumë më të ulëta, me përkatësisht 49 dhe 7 vota. Të dhënat e qarta na mundësojnë një panoramë më të gjerë dhe mund të shërbejnë si udhëzime në luftën kundër anticiganizmit.

Euronews Albania: Projekti i integrimit të romëve përfshin gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. A mund t’i referoheni një statusi aktual në lidhje me formimin e Kornizave të reja Strategjike Rome në Ballkanin Perëndimor, në kontekstin e anticiganizmit?

Ne po punojmë pa pushim për t’i mundësuar qeverive mbështetje teknike në mënyrë që të adoptojnë plan-veprime të reja apo strategji kombëtare për romët dhe grupe të ngjashme sa më parë të jetë e mundur. Luftimi i anticiganizmit si shkaku rrënjësor i diskriminimit dhe përjashtimit të romëve duhet të jetë qëllimi kryesor i këtyre planeve dhe strategjive, në përputhje me Kornizën e re Strategjike të BE-së për Barazi, Përfshirje dhe Pjesëmarrje të Romëve për 2020-2030.

Ka shumë sfida, ashtu si edhe progres të prekshëm. Romët janë popullsia më e re në Europë dhe ata mund të kontribuojnë në përparimin e përgjithshëm ekonomik. Për fat të keq, ende nuk ka studime të këtilla në rajon, por Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OSBE) kreu një studim së fundmi mbi përfitimet pozitive të përfshirjes së romëve në Sllovaki. Ata zbuluan se rritja e shkallës së punësimit dhe produktivitetit të romëve në nivelin e popullsisë së gjerë deri në fund të vitit 2060 do të rriste PBB-në me më shumë se 12 për qind.

Në të njëjtën kohë, një shkallë më e lartë punësimi dhe page e romëve do të sillte të ardhura fiskale shtesë, me vlerë rreth 5% të PBB-së deri në vitin 2060. E njëjta gjë mund të pritet edhe për rajonin. Përshpejtimi i procesit të integrimit të romëve në rajon duke përmbushur objektivat e përcaktuara në Deklaratën e Poznanit – rritja e punësimit në të paktën 25 për qind, legalizimi i të gjitha banesave rome aty ku është e mundur, rritja e shkallës së arsimit fillor në 90 për qind, pajisja e të gjithë romëve me dokumente dhe sigurimi në sistemin shëndetësor në masën 95 për qind, është gjithashtu një nga parakushtet e anëtarësimit në BE.

Çmimi i përjashtimit të romëve nga shoqëria është jashtëzakonisht i lartë. Barazia, përfshirja dhe pjesëmarrja e romëve do të sillte pasoja pozitive si për komunitetin ashtu edhe për gjithë shoqërinë shqiptare. Ndaj, është qëllimi ynë i përbashkët që të shtojmë përpjekjet për integrimin e romëve.

LEXONI GJITHASHTU:

LINI NJE KOMENT

Please enter your comment!
Please enter your name here


Etiketimet

Protesta që përfundoi me vrasjen e 4-fishtë në Bulevard

Si sot 11 vjet më parë, një protestë e organizuar kundër qeverisë së atëhershme të Sali Berishës, u kthye në demonstratë të dhunshme. Ziver Veizi,...

Meta akuzon Bashën që shiti zgjedhjet e 25 prillit

Ilir Meta akuzoi Lulzim Bashën se ka shitur zgjedhjet e 25 prillit, ditën e sotme. Akuzën e bëri në faqen e tij zyrtare në Facebook,...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER