Live Blog | PS feston fitoren, Rama kërkon bashkëpunimin e opozitës

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

22:30-Sondazhi i Euronews Albania përkon me rezultatin e KQZ-së

Sondazhi i fundit i Euronews Albania kishte nxjerrë si projeksion PS-në si forcë e parë me 48.5% të votave, ndërkohë që në të dhënat e KQZ-së aktualisht socialistët kanë marrë 48.6%. Po kështu PD është në kuotën e rreth 39.5% ndërsa sondazhi i Euronews Albania e parashikonte deri në kuotën e 41.5% duke konfirmuar kështu seriozitetin e rreth katër muajve sondazhe të diskutuara javë për javë nga muaji janar.

21:00-Procesi i numërimit drejt fundit, PS rreth 143 mijë vota para

Rreth 50 orë nga nisja e numërimit të votave, procesi duket drejt fundit teksa përqindja e qendrave të numëruara ka shkuar në 99% – 5,148 qendra votimi të numëruara nga 5,199. Nga numërimi PS ka rreth 760 mijë vota, ndërsa PD me koalicionin e saj “Aleanca për Ndryshim” rreth 616 mijë. Në përqindje: PS 48.61%; PD 39.46%; LSI 6.81%; PSD 2.25%.

19:45-Lulzim Basha: Zgjedhjet një masakër elektorale, nuk do të dorëzohemi

Kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ishin “një masakër elektorale” përballë “një regjimi që bëri gjithçka për ta thyer garën”. Ai tha se “PS angazhoi kriminelë për blerjen me miliona euro të votave”. Në fjalimin e tij ai nuk saktësoi nëse e njihte humbjen apo jo, mirëpo pranoi se PD ka marrë besimin e mbi 600 mijë qytetarëve.

19:30-PD i kërkon KQZ-së t’i vihen në dispozicion pamjet filmike të KZAZ-ve

PD ka kërkuar nga KQZ që t’i vendosë sa më shpejt në dispozicion të dhënat teknologjike që janë aplikuar në zgjedhjet e së dielës. Me këto të dhëna ajo nënkupton pamjet filmike të regjistruara dhe të dhënat e regjistruara nga komisionerët.

19:30-Mbi 98% e qendrave të votimit të numëruara, PS me 74 të sigurta

Procesi i numërimit të votave po shkon drejt fundit. Diferenca mes PS dhe PD është thelluar në 141 mijë vota dhe socialistët duket se i kanë të sigurat 74 mandate të mjaftueshme për të qeverisur sërish vetëm.

19:15-Tension mes Ferdinand Xhaferrajt dhe Vangjush Dakos në një qendër votimi në Durrës

Kandidati për deputet i PD-së Ferdinand Xhaferraj ka kaluar një moment tensioni ku në KZAZ-në nr.2 në Durrës pati një konflikt verbal me ish-kryebashkiakun Vangjush Dako. Konflikti ka ndodhur pas mbylljes së numërimit të një kutie votash.

18:35-Rama kërkon bashkëpunimin e opozitës për të rrëzuar ndasitë politike

Rama kërkoi bashkëpunimin e opozitës për të hedhur poshtë ndasinë e kudohasur në shoqëri “komunistë dhe nacionalistë”. Ai tha se kjo ndasi është lënë trashëgimi nga sistemi komunist dhe që është vijuar më tej në vitet e tranzicionit. Tjetër ndasi, për të cilën ai kërkoi bashkëpunim për ta hedhur poshtë ishte ajo e ndarjes politike përmes rajoneve jug-veri. Rama tha se “politika na ka ndarë” dhe “politika mund të na bashkojë”, duke shtuar se gjatë mandatit të tretë të gjitha energjitë do t’ia kushtojë bashkimit të shqiptarëve.

18:25-Rama i kërkon Bashës të njohë humbjen

Kryetari i PS-së Edi Rama i bëri thirrje kryetarit të PD-së Lulzim Basha të njohë rezultatin e zgjedhjeve ku socialistët rezultojnë fitues me shumicë qeverisëse. Rama shtoi duke përsëritur deklaratën e tij të bërë edhe në fushatë për një qasje ndryshe në qeveri me bashkëpunim me opozitën.

18:00-PS nis manifestimin e fitores së zgjedhjeve në Sheshin Skënderbej

Teksa kanë mbetur rreth 100 qendra votimi pa numëruar, PS ka nisur me një manifestim me mijëra simpatizantë festën e fitores në qendër të Tiranës. Diferenca prej rreth 140 mijë votash i jep sigurinë e fitores PS-së, e cila bëhet e para forcë politike në 30 vitet e fundit së cilës i besohen tre mandate qeverisëse.

17:45-Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës uron Ramën për fitoren

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka uruar Edi Ramën për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Ai shkroi në Facebook se “fitorja e Ramës është fitore për Shqipërinë”.

17:00-Njoftohet se Basha do të mbledhë drejtuesit e qarqeve në 18:30

Nga selia e PD-së është njoftuar se në orën 18:30 do të ketë një mbledhje të drejtuesit politikë të qarqeve nga Kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Kjo mbledhje vjen pak orë pasi anëtari i Kryesisë, Fatbardh Kadilli pranoi i pari humbjen në zgjedhje dhe kërkoi dorëheqjen e Bashës. Kadilli gjithashtu shpalli kandidaturën për kryetar.

16:45-KQZ konfirmon përfundimin e numërimit për 10 qarqe, mbeten dhe dy

Përmes një postimi në Twitter, Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi njoftoi se në dhjetë qarqe: Shkodër, Kukës, Lezhë, Dibër, Elbasan, Berat, Fier, Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë ka përfunduar tërësisht procesi i numërimit të votave për partitë. Procesi vijon për qarqet Tiranë dhe Durrës.

16:20-Numërimi i votave për kandidatët nis nesër

Kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi ka udhëzuar që të gjitha Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor që kanë përfunduar numërimin e votave për partitë, të nisin mëngjesin e së mërkurës numërimin e votave për kandidatët. Për KZAZ-të që kanë nisur që sot numërimin, do të vijojnë deri në mesnatë për të rinisur më 28 prill ora 9:00.

15:17-Numërohen 95.3% e qendrave të votimit

Ilirjan Celibashi informoi se ka përfunduar tërësisht numërimi dhe vlerësimi i fletëve të votimit për subjektet politike, partitë politike dhe kandidatët e pavarur për 4922 nga 5199 kuti në total. Në lidhje me pjesëmarrjen Celibashi raportoi se deri tani përqindja zyrtare është 45,72%.

14:48-Veliaj: Fituam Kavajën e Rrogozhinën

Kryetari i bashkisë së Tiranës dhe drejtuesi politik për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj us hpreh se fitorja në Kavajë dhe Rrogozhinë është përgjigjia e tij ndaj atyre që e kanë sulmuar me urrejtje.

14:32-Arben Ahmetaj: 74 mandatet e PS janë të sigurta, presim më shumë nga Durrësi dhe Tirana

Arben Ahmetaj tha se rezultati i Partisë Socialiste është dinjtoz. Ai shtoi se  me shpërndarjen e mandateve sipas rezultateve deri tani, nuk pritet të ketë më ndryshim dhe nëse do të ketë, ndryshimi do të jetë në të mirë të PS-së.

Presidenti Ilir Meta i ka njohur zgjedhjet e 25 prillit. Kreu i shtetit ka theksuar se ndonëse 25 prilli dukej një sfidë e pamundur, është i lumtur që ky proces zgjedhor mund t’i shërbejë demokracisë dhe stabilitetit të vendit.

13:17-Salianji: Demokratët nuk dorëzohemi kurrë

Ervin Salianji  u shpreh se nuk është i lumtur për rezultatin por mirënjohës për votat e qytetarëve të Korçës pavarësisht presionit, siç e cilësoi ai, nga pushteti abuzues. Ai theksoi se demokratët nuk dorëzohen kurrë.

13:15-PS drejt fitores së zgjedhjeve së 25 prillit

Sipas të dhënave të KQZ-së, në rang vendi janë numëruar 93.9% e kutive të votimit. PS ka marrë 48.65% të votave, PD 39.38% dhe LSI 6.85%.

12:30PS fiton në Kombinat, Balluku: Njerëzit kanë nevojë për punë

Partia Socialiste ka fituar edhe në zonën e Kombinatit. Ministrja Balluku e cilësoi Kombinatin si një zonë të vështirë, por theksoi se PS ka dëgjuar çdo qytetar dhe i ka zgjidhur hallin.

12:18 PS merr 8 mandate në Durrës

Partia Socialiste ka mundur të marrë mandatin e tetë në qarkun e Durrësit. Mandati i 8 i PS i është marrë Lëvizjes Socialiste për Integrim që mbetet pa asnjë mandat në këtë qark. Ndërkohë PD ka marrë 6 mandate.

12:09-PS merr 74 mandate

Teksa janë numëruar 4843 nga 5199 qendra votimi në total, Partia Socialiste sipas të dhënave ka marrë deri tani 48.63% të votave, e përkthyer në 74 mandate. Ndërsa PD ka marrë 59, LSI 4, PSD 3.

12:07-PD ia merr sërish mandatin PS në Elbasan

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar ndarjen e mandateve në Qarkun e Elbasanit. nga numërimi i të gjitha votave në këtë qark rezulton se PS ka fituar 8 mandat ndërsa PD ka mundur të marrë 6 mandate.

11:49Deklarata e Veliaj nga Vora: Partia Socialiste fitoi pas 20 vjetësh

Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për këtë qark, Erion Veliaj ishte në Vorë aty ku dha dhe një deklaratë të shkurtër lidhur me fitoren e PS-së në këtë njësi administrative.

11:43-LSI ruan rezultatin e 2017 vetëm në Shkodër

Në krahasim me katër vitet e kaluara, LSI ka humbur rreth 50% të votave ndërsa në mandate tkurrja do të jetë edhe më e rëndë pasi në disa qarqe pavarësisht se ka siguruar shumë vota nuk arrin të sigurojë një mandat.

11:28-Çipa: U rikonfirmua bipolariteti

Analisti Aleksandër Çipa tha për Euronews Albania se rikonfirmimi i një mandati të tretë për PS ishte një befasi. Ai shtoi se ky rezultat lë në fuqi bipolaritetin partiak në Shqipëri, çka do të bëjë që parlamenti i ri të dominohet nga dy partitë e mëdha, PS-PD.

11:13-PD shton numrin e mandateve në 7 qarqe të vendit

Kur janë numëruar mbi 90% e kutive, PD ka 39.39% të votave krahasimisht me 28.85% që kishte në zgjedhjet e 30 qershorit 2017. Nga 43 deputetë që kishte legjislaturën e kaluar, në Parlamentin e ardhshëm demokratët do të kenë 59 përfaqësues.

10:56-Procedohen penalisht tre vëzhguesit e shkollës “1 Maji”

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 filluan procedimin penal, për tre vëzhguesit në VNV. 30 te shkolla “1 Maji”. Shtetasit J. M., 26 vjeç, O. L., 29 vjeç dhe A. D., 35 vjeç akuzohen për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.

10:42Damian Gjiknuri: Meta të mbajë fjalën, të japë dorëheqjen

Kreu i fushatës në Vlorë, Damian Gjiknuri u shpreh se në këtë qark PS është afër rezultatit të vitit 2017. Ai i bëri thirrje Metës që të japë dorëheqjen.

10:13-Mbyllet procesi i numërimit në Qarkun Korçë, si ndahen mandatet

Procesi i numërimit është mbyllur mëngjesin e së martës në Qarkun e Korçës. Partia Socialiste ka fituar 6 mandate ose 48,8 për qind të votave dhe PD 5 mandate ose 40,7 për qind, ndërkohë që LSI nuk ka mundur të marrë asnjë mandat.

10:04Rama lajmëron miting për fitoren e zgjedhjeve

Kreu i Partisë Socialiste dhe kryeministri i vendit, Edi Rama kur janë numëruar mbi 90% e votave, ka lajmëruar për një miting që do të mbahet sot në mbrëmje. Pritet që PS të fetojë për rezultatin e zgjehdhjeve të 25 prillit.

09:56-Mbyllet procesi i numërimit në qarkun Lezhë

Partia Demokratike ka marrë 4 mandate në këtë qark, Partia Socialiste 3 mandate, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrimi ka humbur mandatin që ka pasur nga zgjedhjet e vitit 2017.

09:41-Mbyllet procesi i numërimit në qarkun Shkodër

Në qarkun Shkodër, Partia Demokratike ka marrë 5 mandate në këtë qark, Partia Socialiste 3 mandate, 2 Partia Socialdemokrate dhe 1 mandat Lëvizjes Socialiste për Integrim.

09:27-PS shpall fitoren në Njësinë nr. 1 në Tiranë

Kryebashkiaku i Tiranës dhe drejtuesi i Partisë Socialiste në këtë qark, z. Erion Veliaj njoftoi mëngjesin e sotëm se PS ka fituar 52.4% të votave në Njësinë nr. 1 në Tiranë.

09:04-Qarqet ku ka përfunduar numërimi i votave, si ndahen mandatet mes PS, PD e LSI

Teksa janë numëruar 90,1 për qind e votave në nivel kombëtar, në disa prej qarqeve të vendit procesi i numërimit është mbyllur plotësisht. Mësohet se numërimi është mbyllur në qarqet Berat, Kukës, Dibër, Elbasan dhe Gjirokastër.

08:43Kume: Procesi i zgjedhjeve normal, pritet të përfundojë në mbrëmje

Ish-kryetari i KQZ, z. Kristaq Kume komentoi për Euronews Albania ecurinë e procesit zgjedhor të numërimit në Shqipëri duke thënë se deri më tani është një proces normal. Ai shtoi se ndryshimet e legjislacionit nuk e prekën këtë fazë të procesit zgjedhor.

08:13-PS merr mandatin e 9 në Elbasan

Kur janë numëruar 98,8 për qind e votave në qarkun e Elbasanit, PS rezulton forcë e parë me 55,1 për qind të votave, e ndjekur nga PS me 37,1 për qind e më tej LSI me 4,4 për qind të votave.

08:03Kryeministri Rama: Po punove fort ia del, nuk ka rrugë të shkurtra në jetë

Rama ka publikuar në Facebook një thënie të basketbollistit, Michael Jordan, teksa shkruan: “Po punove fort ia del. S’ka rrugë të shkurtra në jetë”.

07:53-PS fiton mandatin e pestë në Berat, Klosi: Një arritje e madhe.

Partia Socialiste ka marrë mandatin në pestë në qarkun e Beratit, pas numërimit të 277 kutive të votimit. Ndërkohë, PD ka marrë vetëm 2 mandate, ndërsa LSI ka humbur 2 mandatet që mori në 2017.

07:15-Rezultati në rang kombëtar deri në orën 07:15, sa mandate marrin PS, PD dhe LSI

Në të dhënat që raporton KQZ dhe të përpunuara nga Euronews Albania vihet re se deri në orën 07:15 Partia Socialiste e Shqipërisë vijon të kryesojë bindshëm rezultatin elektoral në rang kombëtar.

07:00-Qarqet ku kanë mbetur edhe pak qendra votimi për t’u numëruar

Në qarkun e Tiranës, procesi i numërimit të votave është ndërprerë në të gjitha KZAZ- dhe pritet të rinisë në orën 08:00. Ndërkohë në Shkodër, Elbasan, Krujë kanë ngelur edhe pak kuti votimi për t’u numëruar.

06:20- Numërohen 88.2% e kutive të votimit

Teksa janë numëruar 4570 nga 5199 qendra votimi në total, Partia Socialiste sipas të dhënave ka marrë deri tani 48.66% të votave. Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka siguruar deri tani 39.34%. Ndërsa, Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë deri tani 6.89% të votave, kurse 2.22% kanë shkuar për Partinë Social-Demokrate, që drejtohet nga Tom Doshi.

05:00- Numërohen 86.5% e votave në Shqipëri

Procesi i numërimit të votave vijon me ritme të avashta dhe shifrat flasin për avantazhin e selisë rozë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve raporton se deri në orën 05:00 të mëngjesit të kësaj të marte janë numëruar 86.5% të votave dhe Partia Socialiste qëndron e para me një diferencë prej 122 mijë votash ndaj Partisë Demokratike.

04:40- Mbyllet procesi i numërimit në qarkun e Gjirokastrës, si ndahen mandatet për partitë

Gjirokastra bëhet qarku i parë në jug të vendit ku ka përfunduar procesi i numërimit të votave. Në bazë të shifrave zyrtare të publikuara nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, pas numërimit të kutive në 207 qendra të votimit, PS ka arritur të marrë 53.8% të votave të këtij qarku, ndërsa Partia Demokratike ka siguruar 30.7% të votave.

 04:00- Rezultati i shprehur në mandate deputeti në rang kombëtar

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Partia Socialiste deri në orën 04:00 ka marrë 73 mandate, PD 59 mandate, LSI 5 mandate dhe PSD 3 mandate.

03:16- Numërohen 84 % e votave, PS thellon avantazhin ndaj kundërshtarëve politikë

Në rang kombëtar deri tani janë numëruar 84% të votave dhe Partia Socialiste kryeson bindshëm ndaj kundërshtarëve politikë.

02:30- PS fiton qytetin e Sarandës, kandidatet Denaj dhe Zhupa shtrëngojnë dorën

Pas mbylljes së numërimit të votave në Sarandë dy kandidatet për deputete Anila Denaj nga PS dhe Ina Zhupa nga PD i dhanë dorën njëra-tjetrës. PS u shpall fituese me rreth 2,300 vota diferencë nga PD, megjithatë dy kandidatet për deputete treguan qytetari duke uruar njëra tjetrën për procesin zgjedhor.

02:00- Ndërpritet numërimi në shkollën “Vasil Shanto” në Tiranë, rifillon në mëngjes

Për shkak të lodhjes numërimi i votave në qendrën e vendosur në shkollën “Vasil Shanto” është vendosur të pezullohet për rreth gjashtë orë me synimin për të rinisur me një ritëm më të shpejtë në mëngjes.

01:40- Vijon numërimi i votave, vetëm dy qarqe kanë tashmë rezultatin përfundimtar

Teksa janë numëruar 80.8% të qendrave të votimit, në rang kombëtar kryeson PS me një diferencë prej rreth 110 mijë votash me PD-në. Deri më tani numërimi është mbyllur në qarqet Kukës dhe Dibër ku ka fituar PD me 62.26% dhe 45.13%. Megjithatë PS ka mundur të sigurojë 3 mandate nga këto dy qarqe – PD 5 mandate.

01:00- Mbyllet numërimi në qarkun Dibër, PD fiton me diferencë të ngushtë

Me një diferencë prej rreth 1 mijë votash, PD ka mundur të fitojë qarkun Dibër atje ku do të marrë tre mandate për deputetë, dy të tjerë do t’i shkojnë PS-së, e cila doli forcë e dytë – kliko këtu për të parë hartën interaktive.

00:00- KQZ u heq autorizimet gjithë vëzhguesve të KZAZ-së 30 Tiranë shtyhet me 4 orë numërimi

Kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi tha se u është hequr autorizimi të gjithë vëzhguesve të KZAZ-së ku disa vëzhgues të panjohur u përleshën me një numërues të PD-së. Për shkak të situatës dhe lodhjes, KQZ ka vendosur të japë katër orë pushim për numëruesit.

23:45- Belinda Balluku nga Kombinati: Fitore e madhe e PS, procesi legjitim dhe pa problematika

Kandidatja për deputete e PS-së Belinda Balluku tha në një deklaratë për shtyp se PS ka arritur rekord në KZAZ nr.36 në Kombinat. Ajo tha se pavarësisht se ka pasur probleme në këtë zonës, sidomos prej tërmetit “besimi ndaj PS është rritur”.

23:15- Ndërpritet numërimi në KZAZ-në 30 në Tiranë, shkak konflikti fizik mes vëzhguesve

Përleshja e disa personave në qendrën e numërimit të votave në shkollën “1 Maji” në Tiranë ka bërë që të ndërpritet procesi i numërimit. Kandidatja për deputete Oriola Pampuri tha se vëzhgues të panjohur kanë “ngacmuar” dhe “rrahur një vëzhgues të PD-së dhe të afërmin e tij”.

23:00- Rrihet numëruesi i PD-së në një qendër numërimi në Tiranë, policia shoqëron shtatë persona

Vëzhgues të pajisur me autorizime nga KQZ kanë hyrë në KZAZ-në numër 30 në Tiranë, shkolla “1 Maji”, duke u konfliktuar më pas me një numërues të PD-së. Pas përplasjes fizike, disa persona janë përpjekur të hynë brenda qendrës së numërimit. Policia ka ndërhyrë duke shoqëruar të paktën shtatë persona.

22:35- KQZ gjobit anëtarët e 18 KZAZ për shkak se nuk kanë numëruar mbi 50% të votave

Zëdhënësja e KQZ-së Drilona Hoxhaj njoftoi se për shkak të mos-plotësimit të detyrimit për të numëruar më shumë se 50% të qendrave të votimit në zonat zgjedhore, janë gjobitur me nga 3 mijë lekë të gjithë anëtarët e të patkën 18 komisioneve të administrimit. Hoxhaj nuk sqaroi se për cilat zona bëhej fjalë, por tha se njoftimi i detajuar do t’u dërgohej mediave më vonë përmes komunikimeve në mënyrë elektronike.

22:25- Rinis numërimi i votave në Kavajë

Pas rreth 8 orësh pushim, numëruesit kanë nisur sërish procesin në Kavajë. Deri në këtë orë janë numëruar 44% e qendrave të votimit dhe PS kryeson me 47.14% ndjekur nga PD me 44.25%.

22:00- Janë numëruar 72% e qendrave të votimit dhe vijon të kryesojë PS

Taksa janë numëruar 72% e qendrave të votimit, PS vijon të kryesojë 48.84% ndaj PD-së 39.21% teksa LSI 6.82%. Shqyrtoni këtu hartën interaktive të Euronews Albania për të parë rezultatet direkt.

21:30- Përfundon numërimi i votave në Malësinë e Madhe, PD del forcë e parë

PD kryesoi me 44.18%, ndjekur nga PS me 40.63% dhe LSI 3.19%. Shqyrtoni këtu hartën interaktive të Euronews Albania për të parë rezultatet direkt.

21:00- PD ka pritshmëri që rezultati i zgjedhjeve të ndryshojë, Alfred Rushaj: Do ketë surpriza

Partia Demokratike pret që me vijimin e numërimit të votave rezultati të ndryshojë. Kandidati për deputet, Alfred Rushaj, tha në një deklaratë për shtyp se me vijimin e procesit “do të ketë surpriza”. Rushaj tha se PD do të rikuperojë.

20:15- Përfundon numërimi në qarkun e Kukësit, PD merr dy mandate

Qarku i Kukësit mbylli numërimin duke shpallur fituese me 62.26% koalicionin e PD-së, ndjekur nga PS me 35.84% dhe LSI me 0.16%. Përkthyer në mandate ky rezultat i jep PD-së dy mandate dhe PS-së një. Kiko këtu për të parë hartën interaktive.

19:45- Veliaj apel opozitës të mos bllokojë numërimin e votave

Drejtuesi politik i PS-së qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, në një delje për shtyp e cilësoi pretendim të sajuar qëndrimin e PD se deri tani janë numëruar kuti të zonave me mbështetje të majtë. Ai pretendoi se PS do t’i fitojë të gjitha njësitë e qarkut dhe u bëri thirrje numëruesve të vijojnë pa ndalesa procesin.

19:30- Përfundon numërimi i votave në Delvinë, PS del forcë e parë

Në Delvinë, pas përfundimit të numërimit të votave, PS ka dalë fituese me 2,631 vota, PD ka marrë 1,693 dhe LSI 547 vota.

19:10- Konflikt në Vlorë mes komisionerëve të PS, LSI dhe PD

Në një qendër numërimi të Vlorës ka ndodhur një konflikt mes komisionarëve të PS, PD dhe LSI. Komisionerët e opozitës pretenduan për një rast të manipulimit të votës ku si fillim një votë e shënuar për opozitën, u konsiderua e pavlefshme për një shenjë në fletë dhe më pas iu kalua PS-së.

19:00- Kreu i KQZ-së Celibashi thotë se pengimi i numërimit ka ardhur nga ndërhyrjet politike

Në një konferencë për shtyp kreu i KQZ-së Celibashi pranoi faktin se puna e numëruesve është vështirësuar gjatë ditës. Ai tha se KQZ ka të dhëna se në shumicën e rasteve problematike, pengimi i procesit ka ardhur si rrjedhojë e ndërhyrjeve politike të kandidatëve.

18:45- Ambasadorja Kim pret që numërimi të përshpejtohet

Ambasadorja e SHBA Yuri Kim duke folur për Euronews Albania u shpreh se “shqiptarët presin rezultatin e zgjedhjeve” dhe për këtë ajo shtoi se shpresonte që “numërimi i votave të përshpejtohet”.

18:40- Ambasadorja Kim flet për Euronews Albania mbi dorëheqjen e Tom Doshit

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar për Euronews Albania mbi dorëheqjen e Tom Doshit për t’u zgjedhur deputet. Gazetarja Ilva Tare pyeti znj. Kim se si do ta komentonte këtë dorëheqje, ajo tha se SHBA nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi sa i takon deklaratave mëparshme.

18:00-Numërohen 59.2% e qendrave të votimit, vijon të kryesojë PS

Me 59.2% të qendrave të votimit të numëruara (3,083 nga 5,199) PS kryeson në nivel kombëtar me 48.85% ndërsa PD me koalicionin e saj ka 39.29%, LSI 6.91%.

17:45-Kandidati i Vetëvendosjes ngre dyshime për manipulim votash në Tepelenë

Kandidati i Vetëvendosjes, Kreshnik Merxhani ka postuar një video në Facebook me të cilën ka ngritur dyshimet se rreth 1000 vota të pavlefshme në qarkun e Gjirokastrës mund të jenë shkaktuar enkas nga numëruesit partiakë. Rasti i dyshuar pretendohet të ketë ndodhur në një qendër numërimi në Tepelenë.

17:19-Përfundon numërimi i votave në tre bashkitë e qarkut të Elbasanit

Ka përfunduar numërimi në bashkitë Librazhd, Cërrik dhe Belsh, qarku Elbasan. Mësohet se PS ka dalë forcë e parë të këto bashki.

17:15-Numërohen 55.6% e kutive të votimit në rang kombëtar

Deri më tani në rang kombëtar janë numëruar 2,928 kuti votimi, ose thënë ndryshe 56.3% e totalit të kutive. Ndërkohë janë për t’u numëruar edhe 2,271 kuti votimi, pasi në total janë 5,199. Partia Socialiste kryeson me 48.84% të votave, PD me 39.2 dhe LSI me 7.09%.

16:52-161 kuti të numëruara në Durrës, kryeson PS me 26,434 vota

Në Durrës, 26,434 vota janë numëruar për PS-në, ndërkohë që Partia Demokratike numëron 20,000 vota. Nga numërimi deri tani 3,154 vota janë për Lëvizjen Socialiste për Integrim.

16:32-Mark Marku për zgjedhjet: Kemi bërë një luftë të pabarabartë, por ne fituam

Kandidati për deputet i PD-së, Mark Marku në një deklaratë për mediat është shprehur se në qarkun e Lezhës, PD-ja e ka të sigurt mandatin e katërt. Mark Marku tha se rezultati i këtyre zgjedhjeve ka qenë një nga rezultatet më të thella PD-ja ka pasur në Mirditë.

16:28-Vijon procesi i numërimit, deri në orën 16:00, PS kryeson në rang vendi

Nga numërimi i 2699 kutive të votimit, në rang vendi, 48.79% të votave i ka marrë Partia Socialiste, 39.28% i ka marrë PD dhe 7.05% LSI.

15:46-Jorida Tabaku: Pas 12 vitesh kemi thyer bastionin e PS-së në njësinë 2

Kandidatja për deputete në qarkun e Tiranës, Jorida Tabaku ka thënë një deklaratë për mediat duke treguar se koalicioni opozitar nga votat e numëruara deri tani në njësin 2 ka thyer këtë të bastioni të PS-së prej 12 vitesh.

15:30- OSBE-ODIHR: Pretendimet për shit-blerje votash mbeten problem

Azay Guliyev, koordinator special dhe drejtuesi afatshkurtër i misionit vëzhgues në Shqipëri tha se KQZ arriti të përmbushte pjesën më të madhe të detyrimeve të tij. Ai theksoi se ka pasur pretendime për shit-blerje votash, gjë që vazhdon të përbëjë një problem të përhapur gjerësisht.

15:14Përmbysje rezultati në bashkinë Klos, PD forcë e parë

PD-ja ka fituar bashkinë e Klosit duke marrë 36 vota më shumë se PS-ja. Partia Demokratike ka marrë 3,738 vota, ndërsa Partia Socilaiste ka marrë 3,702 vota.

15:01- Yuri Kim: Udhëheqësit politikë duhet të presin me durim dhe qetësi rezultatin

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka dhënë një deklaratë për shtyp nga KZAZ 39, ku u bëri thirrje kandidatëve dhe udhëheqësve politikë që të presin në qetësi dhe durim rezultatin e zgjedhjeve.

14:37-Grida Duma nga Kavaja: Në këto momente fillon numërimi i fitores

Kandidatja për deputete, Grida Duma u shpreh nga Kavaja se tani ka filluar numërimi i fitores. Sipas saj, PD ka pësuar një rritje në elektorat.

14:15- PS kryeson në Tiranë

Nga 1,243 kuti votimi që janë në qarkun e Tiranës, deri në këto momente janë numëruar 324 prej tyre ku kryeson Partia Socialiste.

13:37-31,870 vota të pavlefshme deri tani, kryeson Elbasani

Numri i votave të pavlefshme deri tani është 31,870 vota. Qarku më numrin më të lartë të votave të pavlefshme aktualisht është Elbasani me 4,892 vota të pavlefshme.

13:18-Salianji: PD në Korçë kap 5 mandate 

Ervin Salianji u shpreh se deri më tani në qarkun e Korçës, PD dhe koalicioni opozitar bashkë me Lëvizjen Socialiste për Integrim janë rreth 2000 vota para Partisë Socialiste.

13:07-PS del forcë e parë në Pukë

Partia Socialiste doli fituese me 2820 vota, Partia Demokratike ka marrë 2216 vota, Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 569 vota dhe Bindja Demokratike mori 20 vota.

13:05Soreca thirrje partive politike: Mos dilni në konluzione pa u numëruar edhe vota e fundit

Ambasadori i delegacionit të BE-së, Luigi Soreca u bëri thirrje partive politike dhe shqiptarëve që të mos arrijnë në konluzione paraprake pa u numëruar të gjitha votat.

13:00-Ambasadori britanik nga Vlora: T’ju japim hapësirë komisionerëve që të bëjnë punën

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Duncan Norman nga Vlora ka deklaruar tani është e rëndësishëm që t’u japim hapësirën komisionerëve në mënyrë që të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale.

12:46-Përfundon numërimi i votave në bashkinë e Tropojës, PD forcë e parë

Në bashkinë e Tropojës ka dalë fituese Partinë Demokratike me 6443 vota, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 3094 vota.

12:36-93 kuti të numëruara në Lezhë, kryeson PD me mbi 45%

Nga 249 kuti votimi që janë në qarkun e Lezhës, deri në këto momente janë numëruar 93 prej tyre ku kryeson Partia Demokratike.

12:24-Mbi 30 mijë vota dalin të pavlefshme, rritje e ndjeshme në krahasim me 2017

Kur janë numëruar 1 961 kuti votimi nga 5199 që janë gjithsej, vota të pavlefshme në total janë 30 mijë.Në total numri i fletëve të votimit që kanë rezultuar të pavlefshme është mbi 5%.

12:21-Numërohen rreth 40% e votave në Qarkun Shkodër, kryeson PD me 42,8%

Në qarkun Shkodër Partia Demokratike kryeson me 42,8 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Socialiste me 30,72 për qind të votave dhe LSI me 10,86 për qind.

12:13-Basha: Kemi të bëjmë më një humbje të thellë të PS-së, PD po rritet

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një deklarate nga selia blu u shpreh se në këto zgjedhje Partia Socialiste po pëson një humbje të thellë. Ai tha se PD ka një rritje, teksa theksoi se pritet edhe hapja e shumë kutive të tjera të votimit.

12:03Numërohen 164 kuti në Korçë, PS kryeson me 47%

Nga numërimi i 164 kutitë votimi në Qarkun e Korçës, Partia Socialiste kryeson me 47% të votave. Ndërsa PD dhe aleatët e saj deri tani kanë 41% të votave, ndërsa për LSI kanë votuar 7.6%.

11:30- Përfundon numërimi i votave në bashkinë Poliçan

Në Poliçan ka dalë fituese Partia Socialiste me 3871 vota ose 65.97% të votave. Ndërsa, Partia Demokratike ka marrë 1045 vota ose 17.81% të votave dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka marrë 864 vota ose 15.72% të votave.

11:19-Tom Doshi sqaron arsyet e tërheqjes nga kandidimi për deputet

Lideri i Partisë Social-Demokrate Tom Doshi sqaron se ka hequr dorë nga mandati, por jo nga Partia Social-Demokrate dhe as nga angazhimi politik për përmbushjen konstante të premtimeve të dhëna.

11:14Belind Këlliçi: Kemi rikuperuar 5200 vota në KZAZ-në nr.36 në Kombinat

Kandidati për deputet në qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi nga KZAZ-ja numër 36 në Kombinat tha se PD-ja ka arritur të rikuperojë 5200 vota në këtë KZAZ.

11:00-Numërohen 220 kuti në Qarkun Vlorë, PS prin me 61,56 për qind të votave

Në qarkun e Vlorës është mbyllur numërimi në 220 kuti nga 445 gjithsej. Rezulton se Partia Socialiste prin me 61,65 për qind të votave, Partia Demokratike me 28,24 për qind dhe lëvizja Socialiste për Integrim me 8,53 për qind të votave.

10:57Numërohen mbi 40% e votave në Qarkun Elbasan, kryeson PS me 55%

Partia Socialiste kryeson me 55% të votave, pas numërimit të 40% të kutive të votimit. Koalicioni i Partisë Demokratike ka deri tani rreth 36% të votave, kurse LSI me 5%.

10:56-Procesi i numërimit, Yuri Kim: Le të presim me durim rezultatet

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale është shprehur se duhet të kemi durim deri në përfundim të numërimit të votave.

10:26-Tabaku: Në njësinë 10 në Tiranë, PD pati një rritje me 30%

Kandidatja për deputete e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh nga selia blu se në njësinë numër 10 në Tiranë, PD pati një rritje me 30%, ndërkohë që PS ka humbur 200 vota.

10:16 Veliaj:Kemi thyer rekordin duke fituar mbi 65 për qind në Bërzhitë, ka qenë e djathtë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka deklaruar se Partia Socialiste ka siguruar një fitore të thellë në zonën e Bërzhitës, e cila ka qenë tradicionalisht të djathtë.

09:59Përfundon numërimi i votave në Bashkinë Has, PD forcë e parë

Ka përfunduar numërimi në bashkinë e Hasit, qarku Kukës ku PD-ja del forcë e parë.  Partia Socialiste ka marrë 2671 vota, Lëviza Socialiste për Integrim ka marrë 16 vota, Partia Social-Demokrate 24 vota dhe Partia Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve 14 vota.

09:43-Erion Veliaj përshëndet fitoren e PS-së në njësinë 10

Në një deklaratë për mediat, kryetari i Bashkisë, Tiranë, Erion Veliaj shprehu kënaqësinë e tij për fitoren e PS-së në njësinë 10.

09:39- Presidenti Meta: Të ruajmë qetësinë deri sa të dalë rezultati zyrtar

Presidenti Ilir Meta bën thirrje për ruajtjen e qetësisë deri në  shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. Ai theksoi se ka një përzgjedhje të qëllimshme të kutive që janë numëruar deri tani.

09:28- Numërohen 1595 kuti votimi, si pozicionohen PD, PS dhe LSI

Procesi i numërimit të votave vijon në 12 qarqet e vendit, ndërkohë janë numëruar 1595 kuti votimi. Bazuar në të dhënat e KQZ dhe të përpunuar nga Euronews Albania deri në orën 09:00 vihet re se Partia Socialiste vijon të kryesojë në rang kombëtar.

09:27- Përfundon numërimi i votave në Këlcyrë dhe Konispol, PS forcë e parë

Në bashkinë Këlcyrë, Partia Socialiste rezulton fituese me 51,30 për qind të votave, Partia Demokratike ka marrë 31,37 për qind të votave dhe Lëviza Socialiste për Integrim ka marrë 14,92 për qind të votave. Në bashkinë Konispol rezulton se Partia Socialistë ka marrë 56,97 për qind të votave, Partia Demokratike ka marrë 34,53 për qind dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 5,94 për qind.

08:44-Përfundon numërimi i votave në Himarë, PS në krye me mbi 58%

Partia Socialiste ka marrë mbi 58 të votave në Himarë, tregon rezultati përfundimtar i numërimit të votave në KZAZ 88. Partia Demokratike gjendet pas me gati gjysmën e votave 31%.

08:38- Tom Doshi tërhiqet nga kandidimi

Tom Doshi është tërhequr nga kandidimi për deputet. Lajmi është konfirmuar nga kreu i KQZ-së,  Ilirjan Celiabashi, i cili tha se ka mbërritur një kërkesë nga kreu i PSD, për t’u tërhequr nga gara.

08:26-Votimi elektronik, publikohet rezultati për njësinë 10 në Tiranë

Në zgjedhjet e 25 prillit votimi në njësinë 10 në Tiranë është kryer në mënyrë elektronike.Kështu nga KZAZ 40 në njësinë 10, nga rezultati del se Partia Socialiste ka marrë 6 007 vota. Ndërsa PD rezulton me 4 550 vota dhe LSI me 626 vota.

07:36-Rezultati i numërimit të votave për veriun e Shqipërisë deri në orën 07:00

Deri në orën 07:00 të mengjesit të sotëm, të dhënat e raportuara nga KQZ dhe të përpunuara nga Euronews Albania, sa i përket procesit të numërimit të votave, tregojnë se kryesisht në bashkitë e veriut, kryeson Partia Demokratike.

07:20-Rezultatet deri në orën 07:00, forca politike që kryeson në Shqipërinë e Mesme

Të dhënat e publikuara nga KQZ dhe përpunuar nga Euronews Albania tregojnë se deri në orën 07:00 të mëngjesit e të sotëm edhe në Shqipërinë e Mesme, duke iu referuar numërimit të deritanishëm, kryeson Partia Socialiste.

07:04-Rezultati i numërimit të votave për jugun e Shqipërisë deri në orën 07:00

Sa i përket njësive administrative të jugut të vendit, të dhënat e raportuara nga KQZ dhe të përpunuara nga Euronews Albania tregojnë se deri në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm, kryeson PS.

06:41-Vijon pa probleme procesi i numërimit në qarqet Elbasan, Lezhë dhe Dibër

Vijon normalisht numërimi i votave në qarqet Elbasan, Lezhë dhe Dibër. Gazetarët e Euronews Albania kanë raportuar se pothuajse në çdo kuti votimit, 10 vota dalin të pavlefshme.

05:00- Rezultatet e numërimit në 12 qarqet e vendit, cila parti kryeson
Procesi i numërimit të votave anktualisht vijon në 12 qarqet e vendit. Bazuar në të dhënat e KQZ dhe të përpunuar nga Euronews Albania deri në orën 05:00, vihet re se Partia Socialiste deri në këto momente vijon të kryesojë në rang kombëtar.

03:40-Pas 8 orësh mungesë nis numërimi edhe në Durrës, rezultatet e para
Tetë orë pas mbylljes së procesit të votimit, ka nisur numërimi edhe në qarkun e Durrësit rreth orës 03:00.

02:20 – Rezultati i numërimit të votave për Shqipërinë e mesme
Të dhënat e publikuara nga KQZ dhe përpunuar nga Euronews Albania për të paktën dy orët e para të numërimit të votave tregojnë se në qarqet e Shqipërisë së mesme kryeson PS.

02:15 – Rezultati i numërimit të votave për veriun e Shqipërisë
Përveç qarkut të Shkodrës ku pas rreth dy orësh numërime kryeson PS, në qarqet Kukës, Lezhë e Dibër kryeson PD.

02:10 – Rezultati i numërimit të votave për jugun e Shqipërisë
Pas rreth dy orësh numërim votash vetëm disa njësi administrative kanë raportuar të dhënat në KQZ nga ku rezulton një kryesim i ngushtë i PS-së.

02:00 – Edi Paloka i bindur për avantazhin e PD: Kjo është një fitore e madhe për Durrësin
Drejtuesi politik i PD për qarkun e Durrësit, Edi Paloka tha se numërimi i votave do të konfirmojë fitoren e opozitës. Ai tha se këto zgjedhje do t’i japin fitoren Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

01:15 – Edhe Ambasadori i BE-së Soreca në terren për të monitoruar numërimin
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca ka vizituar qendrën e numërimit te Muzeu Kombëtar në Tiranë duke përcjellë pritshmëritë që procesi do të vazhdojë në nivele të larta të integritetit dhe përgjegjësisë.

01:00 – Ambasadorja e SHBA dhe kreu i KQZ në terren: Numëruesit të bëjnë punën e tyre
Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka vizituar së bashku me kryetarin e KQZ-së Ilirjan Celibashi qendrën e numërimit të votave në shkollën “Vasil Shanto” në Tiranë. Ambasadorja Kim tha se ajo dhe ekipi i saj i monitoruesve do ta ndjekë nga afër procesin, ndërsa Celibashi, theksoi se kushdo qoftë humbësi duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të së dielës.

00:45 – Përfundon numërimi i votave në bashkinë e parë, dalin rezultatet
Mjaftuan rreth dy orë për të numëruar 7 kutitë e bashkisë më të vogël në vend, Bashkisë Pustec, e cila ndodhet në qarkun e Korçës dhe pas rezultateve të publikuara nga KQZ, kryeson PS me 867 vota, PD ka marrë 473 vota dhe LSI 168 vota. Shiko këtu rezultatin me hartë interaktive.

00:30 – Nis numërimi edhe në Tiranë
Ka nisur numërimi i votave edhe në kryeqytet ku si fillim ka vijuar në shkollën “Vasil Shanto” ku procesin e kanë isnpektuar ambasadorja e ShBA Yuri Kim dhe kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi.

00:20 – Rezultati direkt në aplikacionin e Euronews Albania
Rezultati i numërimit të votave mund të qaset direkt në aplikacionin e Euronews Albania, ku mund të shikohen të dhënat qark më qark, me përditësime direkte dhe me mundësi krahasimi me rezultatin e zgjedhjeve 2017, apo dhe me numrin e mundshëm të mandateve që mund të marrë secila parti.

00:10 – Nis edhe në qendra të tjera të vendit numërimi i votave
Procesi i numërimi të votave ka vijuar tashmë edhe në zona të tjera si në Mirditë, Peshkopi, Pukë, Memaliaj, Himarë, Fier, Selenicë, Gjirokastër etj. Në shumë qendra numërimi të këtyre zonave janë kryer numërimet e kutive të para ku fillimisht numërohen vetëm votat për partitë e më pas, në fund do të numërohen ato për kandidatët.

23:15 – KQZ reflekton rezultatet e para të numërimeve në web
Kryetari i KQZ-së raportoi në një deklaratë për shtyp se sipas të dhënave të rishikuara me sondim të pjesëmarrjes në qendrat e votimit, paraprakisht pjesëmarrja ka shkuar në 48.2% ai njoftoi se numërimi i kutisë së parë në Pustec është reflektuar në web-faqe. Euronews Albania ka përllogaritur se nëse kjo përqindje do të konfirmohej atëherë do të thoshte se numri i votuesve të dielën të ketë qenë 1,729,834 votues.

23:00 – Gazment Bardhi: Çdo qytetar i Elbasanit ka ndezur dritën e shpresës
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi u shpreh optimist për rezultatin e zgjedhjeve të së dielës. Bardhi ftoi Partinë Socialiste t’i caktojë numëruesit e saj në mënyrë të të fillojë procesi leximit të vullneti të qytetarëve sa më parë. Ai tha se çdo familje në Elbasan ka ndezur dritë shprese për të ardhmen e tyre.

22:54- Taulant Balla: PS-ja ka fituar 9 mandate në Elbasan
Kandidati për deputet në Elbasan Taulant Balla gjatë një deklarate për mediat tha se PS-ja ka siguruar më shumë se 90 mijë vota në Elbasan, duke siguruar kështu mandatin e nëntë.Ai shtoi se tani fillon një fazë tjetër ajo e numërimit të votave dhe se numëruesit e PS-së janë gati për këtë proces.

22:50 – Exit Polli për ndarjen e mandateve në Elbasan dhe Durrës

Exit Pollet e Euronews Albania dhe MRB në nivel qarku tregojnë se PS ka forcuar pozitat në Elbasan dhe është dobësuar në Durrës. Ndarja e mandateve për Elbasanin është 8 për PS, 5 PD dhe 1 LSI. Në Durrës 7 mandate për PS, 6 për PD dhe 1 për LSI.

22:30 – Taulant Balla: PS-ja ka fituar 9 mandate në Elbasan
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla tha në një deklarate për mediat se PS-ja ka siguruar më shumë se 90 mijë vota në Elbasan, duke siguruar kështu mandatin e nëntë.

22:25 – Një kuti votimi e parregullt në Durrës
Fletët e papërdorur të votimit nuk ishin futur brenda në një kuti votimi. Rasti është pikasur në qendrën e numërimit teksa ajo i përket qendrës 13301 të Ishmit.

22:20 – Mbyllet numërimi i kutisë së parë të votimit
Bashkia e Pustecit ka kryer numërimin e kutisë së parë nga procesi i numërimit ku rezultoi se PS kishte 118 vota, PD 114 vota, LSI 17 vota.

22:00 – Exit Poll i Euronews Albania dhe MRB citohet masivisht në mediat prestigjioze ndërkombëtare
Exit Poll i Euronews Albania dhe MRB është në kryetitujt e mediave prestigjioze ndërkombëtare, të cilat po i referohen për projeksionin e rezultateve të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.

21:30 – Bashkia Pustec nis zyrtarisht votimin
Bashkia e Pustecit ka nisur numërimit të votave duke hapur kështu zyrtarisht procesin e numërimit për këto zgjedhje. Nga bashkitë tjera, burime për Euronews Albania bënë me dije se në bashkitë Has e Tropojë pritet që numërimi të nisë në orën 22:00 dhe 23:00. Rreth kësaj ore pritet edhe për zonat e tjera.

21:20 – Erion Veliaj: Në të gjithë Shqipërinë janë më shumë se 72 mandate
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, tha në një dalje për mediat se projeksionet që ka PS në rang kombëtar e nxjerrin atë fituese me 72 mandate.

21:10 – Exit Poll-i kombëtar, PS 68-72 mandate, PD 60-64
Sipas të dhënave të plota të Exit Poll-it të Euronews Albania dhe kompanisë MRB pritet që të ketë një garë të fortë mes PS dhe grupit opozitar PD dhe LSI. Në ndarjen e mandateve, Exit-Poll-i i jep PS-së nga 68 deri në 72 mandate ndërsa PD-së nga 60 deri në 64 mandate. Kurse për LSI mund të marrë 6 deri në 8 mandate.

21:00 – Basha: Kjo një fitore e qartë për popullin shqiptar, fitore e qartë për “Aleancën për Ndryshim”
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, bëri një deklaratë për mediat ku u shpreh se rezultati i sotëm do të jetë një fitore e qartë “për popullin shqiptar dhe Aleancën për Ndryshim” koaliconin e tij në këtë zgjedhje me partitë opozitare.

20:30 – Plagoset me thikë një polic në Fushë-Arrëz
Policia njoftoi se rreth orës 19:00 gjatë mbylljes së votimit në një qendër votimi në Fushë-Arrëz është plagosur me thikë një punonjës i policisë. Ai është dërguar për mjekim në spitalin e Pukës. Autoritetet thanë se e kanë identifikuar autorin dhe janë vënë në kërkim për kapjen e tij.

20:15 – Kryeministri Rama: Populli foli, çdo numërues të kryejë me përgjegjësi detyrën
Kryeministri Rama në një deklaratë për mediat nga selia e PS bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe nga procesi zgjedhor të dalë e fituar Shqipëria dhe jo vetëm partia që do të vazhdojë të qeverisë vendin.

20:10 – Presidenti Meta: Tani përgjegjësia e numëruesve, asnjë votë të mos tjetërsohet
Presidenti Meta bëri një reagim në rrjetet sociale pas mbylljes së procesit të votimit ku kërkoi që asnjë votë të mos tjetërsohet. Ai tha se tani përgjegjësia për të mbyllur me sukses procesin është e komisionerëve dhe numëruesve.

19:45 – Publikohen rezultatet paraprake nga Exit Poll i Euronews Albania për qarkun e Tiranës
Për 80% të të dhënave të përpunuara, Exit-Poll-i i kompanisë MRB dhe Euronews Albania tregoi për qarkun e Tiranës tregoi se PS dhe PD mund të kenë shpërndarje të barabarta të mandateve në Tiranë.

19:30 – Nis dërgimi i kutive të votimit në qendrat e numërimit
Pas përfundimit të procesit të votimit në shumicën e qarqeve në vend ka nisur dërgimi i kutive të votimit në KZAZ. Qarqe si Shkodra, Elbasani dhe Fieri nisën të parat dërgimin e kutive.

19:15 – Rezultatet paraprake të Exit-Poll-it të Euronews Albania flasin për fitore të PS
Për 80% të të dhënave të përpunuara, Exit-Poll-i i kompanisë MRB dhe Euronews Albania tregoi për një fitore të PS-së me 42.3%-46.3% kundrejt PD-së që mund të marrë 40%-44%, LSI 5.5%-9.5% dhe PSD e Tom Doshit 2%-4%. Exit-Poll parashikon edhe ndarjen e mandateve.

19:10- Kreu i KQZ-së thotë se procesi i votimit ishte i qetë
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se procesi i zgjedhor ka qenë i qetë dhe është karakterizuar nga një integritet i plotë. Ai tha se problematikat kanë qenë kryesisht të një karakteri teknik.

Etiketimet

Trembëdhjetë të vdekur nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut në orët e fundit kanë humbur jetën 13 persona si pasojë e infektimit nga epidemia e COVID-19. Ministria e shëndetësisë ka...

Rënie e theksuar e vdekjeve dhe infektimeve me COVID-19 pas vaksinimit, sipas studimit italian

Rastet e reja me COVID-19 tek të gjitha grup moshat kanë rënë me 80 për qind vetëm pesë javë pas dozës së parë të...

Rritet çmimi i karburanteve, nafta dhe benzina 5 lekë më shtrenjtë në tregun e pakicës

Në pikat e furnizimit me pakicë të karburanteve, këtë fundjavë është vënë re rritje të çmimit të naftës dhe benzinës. Nëse në fillim të javës...

Regjistrohu për të marrë NEWSLETTER