Me aktivitete të ndryshme në Kosovë ka nisur dje shënimi i 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në vitin 1998 në Prekaz u vranë 55 persona, ndërsa ndër të rënët ishin edhe komandanti legjendar i UÇK-së Adem Jashari, vëlla i tij Hamëz Jashari dhe babi i tyre, Shaban Jashari.
Aktivitetet shtetërore kanë nisur me seancë të vecantë në Kuvendin e Kosovës. Në praninë e Rifat Jasharit, nipërve dhe mbesave të tij, kjo familje heroike para të zgjedhurve të popullit u cilësua si simbol i sakrificës dhe qëndresës shqiptare.
Ashtu edhe siç është traditë, në nderim të të rënëve në Prekaz, në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ka parakaluar Forca e Sigurisë së Kosovës.
Komandanti suprem, Presidenti Hashim Thaçi tha se vetë emri i kazermës është emri i lirisë, i pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Ndërkohë që theksoi se ushtria e Kosovës do të jetë në gjendje t’i dalë në mbrojtje kërcënimeve nga jashtë.
“Dhe ky ishte mesazhi dhe diskutimi im edhe në Pentagon ditë më parë për forcimin dhe pajisjen e ushtrisë së Kosovës me pajisjen më moderne që duhet t’i ketë një ushtri në rajonin tonë. E theksoj sot se ata që kërcënojnë Kosovën duhet ta kuptojnë një herë e përgjithmonë se nuk do të shkelin në vendin tonë, por përgjigjen do ta kenë nga Kosova në territorin e tyre”, tha Thaçi.
Ndërkohë marrë parasysh mungesën e unitetit në spektrin e brendshëm politik, i cili reflekton në politikën e jashtme, Kryeministri Albin Kurti, nga kazerma “Adem Jashari” dha mesazhin se shteti mbrohet kur punohet bashkë.
“Ne mund të përballojmë polarizime për politika të brendshme, por nuk mund të përballojmë dallimet në politikën e jashtme, sepse ajo cenon tërësinë tonë territoriale, interesat tona strategjike dhe integritetin tonë institucional. Kur nuk pajtohemi dhe gabojmë në politikën e brendshme, humbin liderët dhe partitë, por kur nuk pajtohemi për synimet e përbashkëta në politikën e jashtme, humb shteti”, tha Kurti.
Ndërsa kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se secili kadet, ushtar e oficer duhet ta ketë parasysh sa herë që mendon për qëllimin fisnik të ushtarakut, sovranitetin e vendit të cilin njësojë si komandanti Jashari duhet të jetë i gatshëm ta mbrojë.
“Adem Jashari të cilin ne e kujtojmë sot e dha shembullin se si mbrohet vendi, se si çdo cep i kësaj toke është i shenjtë dhe se si luftohet për të. Ai e mbrojti pra pragun e shtëpisë sonë të përbashkët të Kosovës dhe u shndërrua në simbol të rezistencës e në simbol të ushtarakut të përkushtuar, i cili kurrë nuk reshtë së punuari për vendin e tij”, u shpreh Vjosa Osmani.
Sakrifica e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, vlerësohet si kthesë e madhe qe i dha zgjidhje çështjes së Kosovës.