English

Kryeministri Albin Kurti fillon veprimet, ul pagën e kabinetit qeveritar

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shfuqizuar sot disa nga vendimet që ishin marrë nga paraardhësit e tij Ramush Haradinaj dhe Isa Mustafa. Kabineti i Kurtit ka shfuqizuar edhe vendimin e marrë nga bashkë partneri në koalicion Isa Mustafa të vitit 2015 përmes së cilit ministrat dhe zëvendësministrat përfitonin edhe pas përfundimit të mandatit të tyre.

- Advertisement -

Me këtë vendim ministrat përfitonin për një vit 70 për qind të pagës ndërsa zëvendësministrat për 6 muaj 70 për qind të pagës. Në mbledhjen e sotme të qeverisë u shfuqizua vendimi që kishte marrë Haradinaj në fund të vitit 2017 për rritjen e pagave për vete, por u tha se vendimi nuk ka efekt për uljen e pagave aktuale në sistemin e drejtësisë dhe Gjykatën Kushtetuese.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se vendimi hyn në fuqi nga data e nënshkrimit dhe zbatohet nga 3 shkurti i këtij viti.

“Në këtë mbledhje të Qeverisë propozoj që të shfuqizohet i Qeverisë së Republikës së Kosovës nr 4/20 i datës 20 dhjetor 2017 me të cilin janë përcaktuar pagat për të punësuarit e niveleve të ndryshme. Pagat për pozitat e përcaktuara me vendimin e shfuqizuar kthehen në lartësinë e përcaktuar me rregullimin juridik të mëparshëm, duhet cekur se ky vendim nuk ka efekt në uljen e pagave aktuale në sistemin e drejtësisë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu propozoj që të ndryshohet dhe plotësohet pika 2 e vendimit të qeverisë nr 02/59 I datës 17.12.2015 që ka të bëjë me përfitime të ish zyrtarëve pas mbarimit të mandatit të tyre. Obligohet Ministria e Financave dhe Transfereve dhe institucioneve të tjera përkatëse për zbatimi ne këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi në datën e nënshkrimit dhe zbatohet nga data 3 shkurt 2020”, tha Kurti.

Në mbledhjen e sotme ekzekutivi votoi edhe për shkarkimin e Koordinatorit  Nacional për Reforma Shtetërore, Koordinatorit Nacional për ndryshime klimatike dhe çështje të ambientit, atij për kulturë rini dhe sport, udhëheqësit të projektit për menaxhimin dhe kontrollin e qeneve endacakë, koordinatorit nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, koordinatorit nacional për integrim dhe anëtarësim në NATO.

Kurti theksoi se tashmë i ka ardhur dorëheqja e shefit të Task Forcës kundër Narkotikëve tek të rinjtë dhe siguri në shkolla, Abdullah Hasani.Në këtë mbledhje Albin Kurti ka njoftuar të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar se së shpejti do të adresojë shkresën më kërkesë që në të gjithë resorët qeveritarë të bëhet skanimi i gjendjes me objektivat dhe sfidat e  ministrive me qëllim të ndërmarrjes së hapave për avancim të punës dhe efikasitetit të institucioneve qeveritare, raporton KosovaPress.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria vendosi edhe t’i kërkojë Kuvendit të Kosovës zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për muajin mars.

Gjithashtu miratoi edhe Komitetin për Partneritet Publiko Privat.Në mbledhjen e sotme të Qeverisë që ishte e para e rregullt, u ndan edhe 433 mijë euro për sanimin e  dëmeve të shkaktuara nga erërat e forta ditë më parë në Pejë dhe Istog.

Me propozim të ministres së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hykmete Bajrami për riparimin e dëmeve në komunën e Pejës u ndanë 297 mijë euro, ndërsa për komunën e Istogut 136 mijë euro.

 “Komisioni vlerësues ka konstatuar se në komunën e Pejës janë dëmtuar tetë objekte arsimore dhe një kopsht, ndërsa në Istog  janë dëmtuar 12 objekte edukativo-arsimore. Ju njoftojmë se dëmet  përfshijnë konstruksionet e kulmit, llamarina, tjegulla e dritare. Në disa nga këto shkolla nuk po mbahet mësimi, janë bërë improvizime e nxënësit po barten në shkolla të tjera”, tha Bajrami.

Sot Qeveria caktoi edhe Këshillin Organizativ për  organizimin e 12 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në këtë Këshill janë emëruar  ministri i Mbrojtjes Anton Çuni, ministrja e Administratës së Pushtetit Lokal Emilia Rexhepi, ajo e Arsimit Hykmete Bajrami dhe zëvendëskryeministri i Kosovës Haki Abazi.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?