Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pritur në takim komandantin e KFOR–it, Michele Risi. Takimin e sotëm ai e paralajmëroi një ditë më parë në një konferencë për media, ku paraqiti detaje për marrëveshjen “sekrete” të presidentit Hashim Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Rasmussen, sipas se cilës, Thaçi i kishte kaluar NATO-s të drejtën absolute të ‘vetos’ mbi misionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të vendit, për një periudhë pa-afat.
Korrespondentja e Euronews Albania në Prishtinë, Erjonë Popova raporton se kjo ka qenë tema kryesore në mediat vendase. Sipas asaj që raporton Pepova, juristët në Kosovë janë të mendimit se kjo që pretendon Kryeministri Kurti, nuk është marrëveshje e madhe sekrete.
“Kjo temë ka qenë kryetema e mbrëmshme në Kosovë, dhe të gjithë mediat janë marrë në këtë temë. Kryesisht nëpër studio televizive kanë folur juristët, Sipas interpretimit të juristëve, fillimisht kjo nuk është marrëveshje mes ish-kryeministrit Hashim Thaçit, (tani president) dhe gjeneralit të NATO-s, por është një letërkëmbim, i cili është i nënkuptueshëm për shkak se i referohet rezolutës 12/44, dhe sipas kësaj rezolute, KFOR-i është garant i sigurisë në Kosovës. Domethënë NATO përmes KFOR-it në veri, por edhe në territorin e Kosovës është garant për sigurinë dhe se kjo nuk është ndonjë marrëveshje e madhe sekrete, pasi kjo është ditur publikisht”-tha gazetarja Pepova.
Sipas Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, përmes letërkëmbimit sekret, Thaçi i kishte kaluar NATO-s të drejtën absolute të ‘vetos’ mbi misionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të vendit, për një periudhë pa afat. Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, z. Kurti lajmëroi se ka dërguar një letër tek kryeparlamentarja Vjosa Osmani, Presidenti Hashim Thaçi dhe tek kryeprokurori Aleksandër Lumezi.
“Në takimin e 19 prillit 2013 në Bruksel nuk u arrit një marrëveshje, siç u bë publike vetëm ajo mes Thaçit dhe Daçiç, por pati dhe një marrëveshje të dytë për dakordimin paraprak nga KFOR përpara se FSK të mund të shkonin në veri të Kosovës, deklaroi Kurti.
Lexoni gjithashtu:
Albin Kurti kërkoi shkarkimin e tij, Thaçi i përgjigjet nga Shtetet e Bashkuara