Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Duncan Norman thotë se për miratimin e ligjit të antishpifjes, Parlamenti duhet të presë mendimin e Komisionit të Venecias. Kërkesa për dhënien e një mendimi për këtë çështje është bërë nga Këshilli i Europës. Z. Norman duke folur për këtë çështje në një intervistë për Euronews Albania, shtoi se, duhet respektuar referimi që i është bërë ligjit te Venecia.
“Vendet e tjera janë të shqetësuara për këtë, duket si një hap mbrapa lidhur me lirinë në media. Jam i kënaqur të shoh se Këshilli i Europës i ka kërkuar Komisionit të Venecias që ta konsiderojnë këtë çështje dhe sigurisht që Mbretëria e Bashkuar është një pjesëtar lider i Këshillit të Europës, ne nuk do të largohemi nga ky Këshill. Ky është një hap i mirë dhe le të shohim atë çka Komisioni i Venecias do të bëjë”, u shpreh ambasadori britanik.
I pyetur nëse parlamenti e miraton, duhet të presim për Komisionin e Venecias, Duncan u përgjigj: “Po, i është referuar Komisionit të Venecias.”
Ndërkohë sot ishte parashikuar që gjatë seancës parlamentare të kalonte për votimi dekreti i Presidentit, Ilir Meta që kërkonte përmirësimin e disa pikave të ligjit antishpifjes. Por, mazhoranca e ka shtyrë për muajin mars votimin për ligjin për mediat audiovizive deri sa Komisioni i Venecias të shprehet dhe të japë qëndrimin për këtë çështje.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu bindjen se ligji i miratuar nga mazhoranca do të certifikohet edhe nga ana e Komisionit të Venecias.
Lexoni më shumë: Ambasadori britanik, Norman: Reforma në drejtësi po ecën më ngadalë se çdokush do të mendonte