Nga Vlora ku ishte i pranishëm në disa aktivitete të bashkisë, ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca tha se po monitoron me kujdes Operacionin Forca e Ligjit.
Sipas tij është e rëndësishme që kjo strukturë të punojë nën udhëheqjen e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur ndryshe si SPAK-u.
“Sa i përket Operacionit Forcat e Ligjit ne kemi bërë dhe më parë një deklaratë, dhe ne besojmë se logoja “ndiq paranë” është mënyra e duhur për të luftuar krimin e organizuar dhe tregon vullnetin politik për të trajtuar këtë problem. Mënyra si do të impelemnetohet ky ligj është shumë e rëndësishme dhe ne po e ndjekim nga afër.
Është shumë e rëndësishme që kjo strukturë e re të ndjek natyrisht parimet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, por dhe me sundimin e të drejtave të njeriut, si dhe shumë e rëndësishme që kjo platformë të punojë nën udhëheqjen e SPAK. Jam në kontakt të përditshëm me ministrin e Brendshëm dhe javën që vjen do takohem me udhëheqësit e SPAK”-theksoi ambasadori i BE-së.
Aksioni i OFL-së në terren
Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar dje formularin për deklarimin dy personazheve të tjerë të njohur për drejtësinë, të cilët janë subjekt i aktit normativ të qeverisë kundër krimit të organizuar.
Plarent Dervishaj sipas policisë ka qenë i hetuar në Gjermani për trafik qeniesh njerëzore, ndërsa Suel Cela i dënuar në Itali për trafik droge.
Plarent Dervishaj në korrik të vitit të kaluar i shpëtoi një atentati në Durrës ku ai ishte duke udhëtuar me dy persona të tjerë në makinë.
Ai ka qenë i hetuar për disa ngjarje të rënda kriminale në Durrës, por që ka marrë pafajësi nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda.
Ndërsa Suel Cela është person mjaft aktiv në qytetin e Elbasanit. Ai u bë i njohur në përplasjen me policinë në hyrje të tregut agro-ushqimor të qytetit. Me një makinë të blinduar ai rrezikoi jetën e disa oficerëve të policisë. për këtë ngjarje ai mori pafajësi nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Krahas kësaj, Operacioni Forca e Ligjit ka vepruar pa humbur kohë në Durrës, Shkodër dhe në disa qytete të tjera. Disa subjekte janë vënë përballë presionit kohor për të justifikuar pasuritë e tyre, të cilat dyshohet se kanë burim paligjshmërinë.