Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, e cilëson gur kilometrik vendimin e BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Nga ana tjetër thotë ai, në këtë mënyrë BE tregon, se vlerëson përpjekjet e kryera nga Shqipëria, para së gjithash në kuadër të reformës në drejtësi.
“Ky vendim është një gur i rëndësishëm kilometrik për Shqipërinë në drejtim të anëtarësimit në BE. Në krizën e rëndë aktuale të coronavirusit, është një shenjë e rëndësishme optimizmi për rrugën e përbashkët drejt të ardhmes. BE do të vazhdojë të jetë në krah të Shqipërisë dhe rajonit, Gjermania do të vijojë me vendosmëri angazhimin e saj si partner dypalësh.
Vendimi skicon njëkohësisht edhe rrugën e reformave të mëtejshme, në të cilën do të duhet të ecë Shqipëria muajt e ardhshëm, në mënyrë që t’i jepet udhë konferencës së parë të anëtarësimit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në këtë rrugë reformash”, shprehet ambasadori Zingraf.