Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ndodhet aktualisht në kryeministri, ndërsa po zhvillon një takim pune me shefin e ekzekutivit shqiptar, z. Edi Rama. Ky është takimi i dytë i kryeministrit Edi Rama që ka zhvilluar brenda pak ditësh me kryediplomaten e Amerikës në Tiranë.
Ende nuk ka detaje konkrete mbi atë se çfarë po diskutohet në takimin mes Ramës dhe ambasadores së SHBA-së, por natyrisht fokusi kryesor i bisedës, besohet të jetë situata aktuale politike, gjyqësore si dhe ajo e reformës zgjedhore.
“Euronews Albania” ka mësuar se krahas ambasadores së SHBA, në kryeministri janë paraqitur edhe ministrat e mazhorancës, ndërsa pritet që në orën 12:00 të zhvillohet një mbledhje qeverie.
Ambasadorja e ShBA, Yuri Kim ka kërkuar që Shqipëria të punojë fort në përmirësimin e klimës së biznesit, duke i hapur kështu rrugë konkurrencës së ndershme me qëllim fuqizimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare.
Kryediplomatja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim pohoi ditë më parë përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë është një nga tri prioritetet kryesore. Gjithashtu ajo theksoi se fokusi i punës së saj në Shqipëri do të jetë mbrojtja dhe integrimi në Bashkimin Evropian.
[twitter_feed=https://twitter.com/USAmbAlbania/status/1226779874083430400]
“Gjatë mandatit tim këtu, unë kam në plan të punoj mbi tri prioritete. Së pari, do të punoj për të thelluar marrëdhënien tonë në fushën e mbrojtjes, që Shqipëria të bëhet aleate më e fortë dhe e aftë. Së dyti, do vijoj të nxis zhvillimin demokratik të Shqipërisë për të mbështetur përpjekje tuaja për anëtarësim në BE.
Aspiratat evropiane të Shqipërisë dhe reformat që ato kërkojnë, do të sjellin më shumë begati dhe qëndrueshmëri për ju dhe rajonin. Së treti, do të punoj për të nxitur eksportet dhe investimet e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, në mënyrë që të krijojmë më shumë vende pune dhe mundësi për amerikanët dhe shqiptarët. Po pres me kënaqësi që të takoj qytetarët shqiptarë, të mësoj për trashëgiminë tuaj të pasur kulturore të vizitoj peizazhet tuaja të mahnitshme, të shijoj kulinarinë tuaj të shijshme. Të përjetoj mikpritjen tuaj të jashtëzakonshme, dhe shumë gjëra të tjera”, u shpreh ambasadorja amerikane.
Mesazhi i ambasadores amerikane Yuri Kim: Tri prioritetet e mandatit tim