Prej 5 muajsh, Elsa Hastad mban pozicionin e ambasadores së Suedisë në Shqipëri. Në një intervistë për Euronews Albania ajo shprehet se është e surprizuar prej disa zhvillimeve të kohës së fundit si: agrikultura dhe përdorimi i ushqimeve lokale dhe tradicionale.
Ambasadorja e Suedisë, Elsa Hastad e sheh gjithashtu Shqipërinë si një vend më të hapur dhe liberal krahasuar me pritshmëritë e saj përpara se të vinte në detyrë këtu. Sa i takon hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, znj. Hastad u shpreh se shpreson që këtë herë të ketë një dritë jeshile.
“Ne jemi pas rekomandimit të Komisionit Europian. Ne kemi qenë pas kësaj gjëje gjatë gjithë kohës duke bashkëpunuar në lidhje me zhvillimin. Suedia është numri 2 pas Gjermanisë nga shtetet anëtare që mbështesin Shqipërinë. Ne do të mbështesim dhe përgatisim Shqipërinë për hapjen e negociatave sepse besojmë se Shqipëria është pjesë e Europës dhe të gjithë ne duhet të jemi anëtarë të Bashkimit Europian. Ne jemi të lumtur ta mirëpresim Shqipërinë si një vend anëtar kur të vijë koha”, tha ambasadorja suedeze.
Misioni i Hastad është që Suedia të jetë më e njohur dhe e pranishme në përditshmërinë e njerëzve.
“Dua që njerëzit të shohin filma suedezë, të dëgjojnë muzikën tonë, ta kenë Suedinë si një pikë reference në jetën e tyre. Kjo është ëndrra ime sa i takon përmirësimit të marrëdhënieve. Kjo vlen edhe për turizmin. Njerëzit vijnë këtu dhe bien në dashuri me Shqipërinë. Ata kthehen, flasin për Shqipërinë. Shqiptarët shkojnë gjithashtu në Suedi. Kam njohur shumë njerëz që kanë qenë atje, por mendoj që mund të jemi më të afërt”, u shpreh znj. Elsa Hastad.
Nga Shqipëria ajo që i ka pëlqyer më tepër deri më tani është natyra dhe në veçanti malet.
“Më pëlqejnë shumë malet. Mendoj se janë shumë të bukura. Kam qenë në Berat dhe është një vend shumë i bukur. Kam qenë në Kepin e Rodonit që është po ashtu i bukur. Ju keni një kombinim të historisë së vjetër, arkitekturës, kishave dhe maleve. I dashuroj malet”, tregon Hastad.