Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim është takuar me kreu ne Partisë Demokratike, Lulzim Basha pak orë para mbajtjes së tubimit të thirrur nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, tubimi që do t’i bashkohet e gjithë opozita.
Takimi i znj. Kim dhe z. Basha, ndryshe nga herët e tjera nuk është zhvilluar në selinë e PD-së, por në hotel “Rogner”, pak metra larg Presidencës dhe vendit ku do të mbahet tubimi.
Në përfundim të takimit, si ambasadorja dhe kreu i PD dolën të buzëqeshur dhe nuk preferuan të bënin asnjë koment për temën që kishin diskutuar.
“Nuk kam asnjë koment për këtë gjë, sapo pata një takim shumë të kënaqshëm me liderin e opozitës. Jam shumë e lumtur për këtë. Çdo gjë tjetër mbetet mes nesh”, deklaroi znj. Kim.
“Pata një bisedë shumë të mirë me miken tonë dhe përfaqësuesen e aleatëve tonë strategjikë, një bisedë jashtëzakonisht të mirë”, u shpreh z. Basha.
I pyetur nëse takimi ishte për tubimin e thirrur nga Presidenti, Ilir Meta, Basha nuk pranoi të përgjigjej, duke iu shmangur ngulmimit të gazetarëve.
Krahas qytetarëve shqiptarë, thirrjes së Presidentit të Republikës për tubimin e 2 marsit i është përgjigjur edhe opozita e bashkuar. Përfaqësuesit e saj kanë pohuar se do të jenë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” bashkë me presidentin, por dhe me qytetarët për të mbrojtur kushtetutën, të cilën sipas tyre, e ka dhunuar regjimi i kësaj mazhorance.
Presidentit i vendit në daljet para mediave ka thënë se tubimi i sotëm do jetë tubim paqësor, dhe se frikë prej tij, duhet të kenë vetëm “puçistët” që kanë përdhosur Kushtetutën. “Zero shqetësim. Zero frikë për manifestimin më paqësor, më demokratik, më gjithëpërfshirës dhe vetëm kuq e zi në dy mars për të realizuar një manifestim sa më të mrekullueshëm dhe mundësisht që të jetë manifestimi me sa më pak policë, që angazhohen në mbrojtje të institucioneve. Alert ka vetëm grupi puçist, nuk ka alert për askënd tjetër. kush e ndjen veten puçist është i alertuar. Pse është i alertuar?! Sepse është thirrur populli”, ka theksuar Meta.