Agjencia Europiane e Kufirit dhe Vijës Bregdetare po dërgon përforcime në kufirin midis Turqisë dhe Greqisë, teksa kriza e refugjatëve vazhdon t’u shtojë presion autoriteteve greke.
Me mijëra emigrantë janë përpjekur të futen në Europë, pasi Turqia vendosi të mos e pengojë më rrugëtimin e tyre drejt BE-së, për të kërkuar azil.
Teksa ngërçi vazhdon në kufi, refugjatët që janë të përfshirë në këtë krizë vazhdojnë të përballen një situatë të vështirë, ndërkohë që autoritetet greke kanë përdorur gaz lotsjellës për të mos i lejuar të kalojnë.
Korrespondentja ndërkombëtare e Euronews, Anelise Borges, ka udhëtuar në anën turke të kufirit për të folur me refugjatët që po presin me shpresën për të nisur një jetë të re.
Fëmijët që shihen në videon e mëposhtme po mbyten e nuk po marrin dot frymë nga gazi lotsjellës që u kanë hedhur forcat greke.
Tears gas pic.twitter.com/NilmsA0gk7
— Ahmad (@Ahmad1618A) March 3, 2020
Një azilkërkues iranian, i quajtur Saleh, foli në këtë reportazh ekskluziv të gazetares së Euronews, Anelise Borges:
“Policia greke e shpërfilli faktin që aty kishte familje. Vazhduan të hedhin gaz lotsjellës ndaj njerëzve të pafajshëm. I pashë të shënjestrojnë dy ose tre njerëz me gaz lotsjellës”, thotë Saleh.
Greqia dhe Turqia kanë disa ditë që akuzojnë njëra-tjetrën. Ankaraja publikoi një video ku dukej një ushtar grek duke qëlluar me armë.
Sipas Turqisë, ushtari grek po qëllonte me plumba të vërtetë kundër azilkërkuesve.
Athina, nga ana tjetër, nxori një video me të cilën akuzonin policinë turke se kishte rrëzuar gardhin kufitar që i ndante me Greqinë.
Andreë Gardner, nga Amnesty International, tha se kjo që po shihet në kufi është një lojë politike dhe propagandë.
“Fatkeqësisht, çmimin për këtë lojë politike po e paguajnë njerëzit dhe refugjatët”, thotë ai.
Amnesty International kanë dërguar vëzhgues në kufi, të cilët raportuan se abuzimet kanë ndodhur vërtet.
“Folëm me një numër të madh njerëzish, të cilët na shpjegonin ngjarje të ndryshme. Se si njerëzit janë rrahur, se si u janë marrë rrobat dhe këpucët. Nuk është e vërtetë që kjo është propagandë, apo lajme të rreme. Kemi njerëz të dnryshëm nga vende të ndryshme, në vendndodhje të ndryshme, dhe të gjithë shpjegonin të njëjtat gjëra”, thotë ai.
“Amnesty International” nuk fajëson vetëm Greqinë, por edhe vetë Bashkimin Europian që i mbështet me këto përpjekje dhune, si dhe që po u heqin të drejtën refugjatëve për të kërkuar azil.
Prokuroria turke ka hapur hetim për të paktën një vdekje të shkaktuar në kufi, thotë gazetarja e Euronews, Anelise Borges. Ajo shton se ka takuar bashkëshorten e një burri të vrarë në kufi, si dhe avokatin e saj. Trupi është në Edirne, Turqi, në pritje të autopsisë, e cila do të tregojë nëse është vrarë nga plumba armësh. Ndërkohë, gazetarja shton që autoritetet turke nuk i kanë lejuar të afrohen për të pyetur më me detaje.