Kryeministri Edi Rama deklaroi dje në Kongresin e Partisë Socialiste se qeveria e tij po përgatitet të realizojë një amnisti të përgjithshme fiskale.
“Ne do të nisim një amnisti të përgjithshme për të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, me një afat të kufizuar që të gjitha paratë, të gjitha asetet t’i deklarojnë. Paratë t’i fusin nëpër banka, asetet t’i deklarojnë”, ka thënë ai.
Amnistia e re synon lehtësimin e legalizimit të pronave dhe kapitaleve të emigrantëve.
“Të gjithë ata që janë politikanë, gjykatës, prokurorë, dhe subjekte të deklarimit të pasurive, këta janë të përjashtuar të gjithë, nuk mund të amnistohet pasuria e tyre. Këta do japin llogari, nga unë i pari”, ka shtuar më pas kryeministri.
Pronat dhe sidomos paratë e depozituara nga emigrantët nëpër bankat tregtare të vendeve pritëse vlerësohen në miliarda euro.
Kjo është amnistia e dytë pas asaj të vitit 2011, e promovuar nga qeveria e atëhershme si mënyrë për të thithur në ekonomi 3-4 miliardë euro para dhe kapitale të lira të shqiptarëve.
Amnistia dështoi duke mbledhur vetëm 25 milionë euro kapitale të legalizuara sipas Ministrisë së Financave, pasi nuk mori mbështetjen e opozitës dhe besimin e biznesit.