Në Kongresin e Partisë Socialiste dhe me pas në Parlament, kryeministri Edi Rama prezantoi nismën e tij më të re që qeveria do të ndërmarrë me qëllimin për t’i dhënë një shtysë ekonomisë shqiptare. Amnistia totale fiskale e parave e atyre që paratë i kanë bërë me djersë por në të zezë. Kjo nismë erdhi duke u bazuar tek paratë që u miratuan nga emigrantët.
Por, përveç emigrantëve, kjo nismë mund të krijojë akses për të gjithë ata që nuk kanë punuar në një punë të ndershme për të pastruar lekët e tyre. Sipas kryeministrit, do të përjashtohen nga amnistia ata që e kanë detyrim deklarimin e të ardhurave dhe ata që janë subjekte të ligjit, por si do arrijë qeveria të bëjë këtë ndarje?
Të ftuar në studion e Ilva Now, Ervin Bushati, deputet i PS dhe Ilir Ciko, ekspert i zhvillimit ekonomik dhe lektor në Canadian institute of Technology u shprehën të dy i të njëjtit mendim se kjo amnisti nuk duhet të krijojë idenë se ata që shmangin detyrimet shtetërore gjithmonë do të falen.
Deputeti socialist deklaroi se, amnistia vjen në kuadër të reformës në drejtësi, ndërsa theksoi se, gjyqtarët dhe prokurorët e dalë nga sistemi dhe politikanët nuk përfitojnë nga amnistia.
“Ky është një moment i nisjes nga pika zero. Po vendosim një bazament me reformën në drejtësi. Ky është momenti kur mund të vendosim disa binarë për t’u zhvilluar si një vend normal”, tha z. Bushati.
Nga ana e tij, eksperti Ilir Ciko theksoi se, amnistia përbën një nismë surprizë në një kohë kur Shqipëria ka probleme me pastrimin e parave. Gjithashtu ai shtoi se, ka një diskriminim për pjesën e shoqërisë që paguan taksat si dhe ngriti shqetësimin se kush do të përfitojë nga kjo amnisti.
“Gjithmonë jemi dyshues ndaj reformave, sidomos kur nuk i njohim. Ka mjaft shembuj për reforma të tilla, për të qenë dyshues. Edhe për ligjin e dividenti pati një pretendim të tillë, por e vërteta tregoi, që sipas meje është i drejtë dhe shqetësimi i Presidentit. Në të njëjtën mënyrë duhet të jemi dyshues çfarë sjell një reformë e tillë dhe kush do të jenë përfituesit. Dividenti ishin kompani shumë të qarta që përfituan dhe që bie ndesh me Kushtetutën”, deklaroi z. Ciko.
Deputeti i PS-së, Ervin Bushati u shpreh se në botë përllogaritet se të ardhurat e krimit përbëjnë 10% të GDP-së dhe nga ky kuadër tha se, në Shqipëri këto të ardhura mund të arrijnë në 1.5 milionë euro në vit.
Z. Bushati tha se nga kjo nismë do të përfitojnë emigrantët dhe ata që biznesmenë që e kanë nisur nga zero, ndërsa shtoi se, nuk do të ketë interes për deklarimin e të ardhurave në bankë. Shtuar kësaj dhe investimet për rindërtimin, ligjvënësi socialist tha se në dy vitet e ardhshme në vend do të ketë investime të mëdha.
Por, eksperti i ekonomisë, Ilir Ciko e lidhi suksesin e kësaj amnistie me suksesin e reformës në drejtësi dhe uljen e nivelit të korrupsionit. “Problemi kryesor është korrupsioni i lartë dhe korrupsioni është pengesë për suksesin në amnisti fiskale. Reforma në drejtësi është thembra e akilit për këtë nismë”, tha ai.