Deputeti i partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj tha në deklaratë për mediat se amnistia penale nuk do të pranohet nga ana e Partisë Demokratike pa u plotësuar dy kushtet e propozuara prej saj.
Ai tha se një amnisti që përfshin edhe të dënuarit nga GJKKO, apo të hetuarit nga SPAK, nuk do t’i ketë votat e PD ndërsa shtoi se nëse ministri thotë se do të sigurojë vota, kjo do të thotë do të peshkojë vota. Sipas Alibeaj kjo është t’i shpallësh luftë drejtësisë.
“Dy kushtet tona për amnistinë penale janë: E para mos të përfshihen në amnisti personat e dënuar apo personat që janë nën hetim nga SPAK dhe GJKKO. Dhe e dyta, të përfitojnë nga amnistia të gjithë qytetarët që kanë protestuar për kauzat e tyre”.
Alibeaj tha gjithashtu në deklaratën për mediat se janë të gatshëm të votojnë versionin fillestar të amnistisë të pranuar nga organet e drejtësisë.
“Ne jemi të gatshëm të votojmë amnistinë e versionit fillestar që ka sjell qeveria. E kam pyetur publikisht ministrin Manja nëse e kishte diskutuar projekligjin fillestar me Institucionet e reja të drejtësisë, kam marrë një përgjigje pozitive. Pra projektligji kishte marrë dritën jeshile nga SPAK, GJKKO, KLGJ. Dhe e dyta, mos të futen amendamente tinëz në momentin e fundit që nuk janë në të mirën e interesit publik të kësaj amnistie.
Nuk kemi asnjë negociatë me qeverinë. Qëndrimet i kemi publike, votojmë propozimin fillestar të amnistisë dhe të merret parasysh propozimi ynë që nga amnistia të përfitojnë protestuesit. Për këto e japim votën. Nuk votojmë projektligj që amniston të dënuarit nga GJKKO apo persona që janë nën hetim nga SPAK”,-tha Enkelejd Alibeaj.
LEXONI GJITHASHTU:
- Juristi zbërthen dëshmitë e fëmijëve që vranë babain: Ja ç’do ndodhë me ta tani
- Berisha: Pasardhësit e atyre që pushkatuan intelektualët, sundojnë sot Shqipërinë