Kryeministri, Edi Rama u është përgjigjur ankesave të shumta që kanë adresuar qytetarët lidhur me ngrirjen e pagesave të kredive. Për këtë çështje, ku mesa duket bankat e nivelit të dytë refuzojnë të zbatojnë urdhrin e Bankës së Shqipërisë, kreu i qeverisë thotë se do të ketë një dokument të qartë që do të firmoset gjatë ditës së sotme nga z. Rama dhe Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko.
“Lidhur me ankesat që më kanë dërguar disa prej jush, të cilët kanë hasur sot vështirësi nëpër banka për këstet e kredive të biznesit që gjendet në vështirësinë e luftës, sapo kam folur me guvernatorin e bankës së Shqipërisë. Brenda pak orëve një grup i përbashkët pune do të shkruajë një dokument të përbashkët, që unë dhe Guvernatori do ta firmosim sot për të adresuar qartë dhe prerë këtë hall me bankat”, shprehet Kryeministri.
Më tej, z. Rama duke kërkuar kohë për masat ekonomike, ironizoi dhe liderin e opozitës, Lulzim Basha.
“Rrini të qetë dhe bëni durim, Italia masat ekonomike i mori pas një muaji, sepse nuk është 7×7=42 kjo punë, ndërsa ne do t’i kemi gati këtë javë! Kurse biznesi që ka hallin e kësteve me bankat, do ta ketë zgjidhjen sot”, nënvizon kreu i qeverisë.
Pak ditë më parë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi se për shkak të masave shtrënguese, është miratuar një vendim për të shtyrë me tre muaj pagesat e kësteve të kredive për biznesin dhe individët. Ndërsa, dje në një njoftim të Bankës së Shqipërisë thuhej se kjo duhej arritur me një marrëveshje mes klientit dhe institucionit financiar.