Korrupsioni, krimi i organizuar dhe papunësia, konsiderohen si tre kërcënimet më të mëdha për sigurinë e Shqipërisë në një anketë të organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes dhe mbështetur nga fondacioni “Friedrich-Ebert”.
Ndërsa, korrupsioni prek vetëm qytetarët shqiptarë, krimi i organizuar konsiderohet si problem i madh nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian për procesin e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE të vendit tonë. Së fundmi, ministri holandez për Evropën, Stef Blok ka dhënë sinjal se kjo çështje mund të bëhet sërish objekt për refuzimin e hapjes së negociatave.
Një shumicë dërrmuese prej 86% të qytetarëve mendojnë se, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë pengesat kryesore të integrimit të Shqipërisë në BE. Madje, gjysma e qytetarëve mendojnë se lufta kundër krimit të organizuar nuk do të fitohet kurrë.
Edhe pse institucionet e drejtësisë, prokuroria dhe gjykatat, perceptohen si më të korruptuara dhe kanë një nivel më të ulët besimi, qytetarët kanë një nivel shumë të lartë besimi tek Prokuroria Speciale dhe Gjykatat Speciale dhe mendojnë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të fuqizohet pas formimit të plotë të tyre.
43.05% e të anketuarve mendojnë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të fuqizohet pas formimit të SPAK, ndërkohë ata që janë skeptikë përfaqësojnë vetëm 8.43%. Ngjashmërish, 41.52% e qytetarëve mendojnë se gjykatat do të jenë shumë më efektive kundër korrupsionit dhe krimit pas reformës në drejtësi ndërkohë që 6.01% mendojnë të kundërtën.
Kurse besimi i qytetarëve tek qeveria, ministritë dhe institucionet e sigurisë është mesatar ndërkohë që perceptimi për përhapjen e korrupsionit është i lartë. Doganat perceptohen si më të korruptuarat dhe më pak të besuarat, ndërkohë që Ushtria perceptohet si më pak e korruptuar dhe gëzon më shumë besim sesa SHISH dhe Policia e Shtetit.
62.42% e qytetarëve mendojnë se Doganat janë shumë të korruptuara, 42.24% mendojnë të njëjtën përgjigje për Policinë e Shtetit, dhe 23.59% e qytetarëve mendojnë se SHISH është shumë i korruptuar. Për Ushtrinë vetëm 8.88% mendojnë se është shumë e korruptuar.
BE perceptohet si kontribuuesi më pozitiv për sigurinë pasi 59% e të anketuarve mendojnë se situata e sigurisë në Shqipëri do të përmirësohet ndjeshëm pas hyrjes në union, ndërsa vetëm 2% mendojnë të kundërtën.
Kjo gjë lidhet jo vetëm me faktin se, BE ka vënë si prioritet luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilën shqiptarët i perceptojnë si dy kërcënimet kryesore të sigurisë por edhe me perceptimin për nivel të lartë korrupsioni në tenderë, që gjithashtu është një fushë që lidhet ngushtë me integrimin në BE.
Vetëm 26.55% e shqiptarëve mendojnë se, vendi ynë do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në një periudhë prej 5-vjeçare. Shumica e të pyeturve (31.75%), mendojnë se ky objektiv do të arrihet brenda 10 vitesh. Ndërsa 16.32% mendojnë se kjo do të arrihet në 15 vite, dhe 18.12% për 20 vite. Ka një pjesë prej 5.74% që mendojnë se ky qëllim nuk do të arrihet asnjëherë.
Lidhur me kërcënimet ndaj sigurisë në rajonin e Ballkanit, lufta ndërmjet shteteve, terrorizmi, krimi i organizuar dhe korrupsioni, identifikohen si katër më kryesoret. Për këtë më shumë sesa gjysma e qytetarëve mendojnë se marrëdhëniet midis shteteve të Ballkanit nuk janë përmirësuar gjatë vitit të fundit. Kurse për sigurinë botërore, identifikohet si kërcënim kryesor, terrorizmi, lufta midis shteteve dhe ngrohja globale.