Komisioni parlamentar për veprimtarinë prodhuese ditën e sotme hodhi poshtë dekretin e presidentit Ilir Meta që kthente për rishqyrtim njërin nga ligjet e paketës “Antishpifje”.
Duke komentuar zhvillimin e fundit, pedagogu i gazetarisë, Zylyftar Bregu në studion e Ilva Now, në Euronews Albania, e cilësoi këtë një mundësi të humbur për reflektim nga ana e mazhorancës.
Sipas ish-anëtarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA, miratimi përfundimtar i këtij ligji, që sipas gjasave do të ndodhë në seancën parlamentare të së hënës, nuk do të sjellë aspak përmirësim dhe rregullim të medias online, duke qenë se peshën kryesore në vendimmarrje dhe në vendosjen e gjobave e ka AMA, një institucion i ndërtuar politikisht.
“Peshën kryesore e ka një institucion i cili është i ndërtuar politikisht, AMA. Përderisa funksionimi i ligjit i lihet në dorë një institucioni politik, edhe gjobat do të jenë të tilla.
Regjistrimi i mediave online nuk është një proces që kërkon një ligj të ri, mund ta rregullosh me mekanizmat ekonomikë që ka qeveria, ndërsa nisma e qeverisë kërkon të analizojë kontentin e këtyre mediave. Kur një pushtet kërkon të rregullojë një pushtet tjetër, këtu nuk shkon. AMA ndërtohet me ligj, mazhorancën e ka qeveria. Miratimi i gjobave do bëhet me shumicë vote, unë bëja disbalancën, mua më hoqën”, – tha pedagogu i gazetarisë.
Sipas Bregut presioni i politikës ndaj mediave në vendin tonë është dy llojesh.
“Presioni i kulaçit, i japin të hajë; tenderë, fonde. Dhe së dyti presioni që bën politika përmes PR. Jemi i vetmi vend ku kryeministri ka televizionin e vet dhe kryetari i bashkisë e ka zyrën e shtypit më të madhe se redaksie e një medie”, tha z. Bregu.