Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, sot në Ditën Botërore të Shëndetëisë i kushtoi një mesazh falenderimi të gjithë pesonelit mjekësor duke u ndalur veçanërisht te infermierët dhe mamitë, si dhe duke e quajtur vitin 2020 si të tyrin.
“Këtë vit, Dita Botërore e Shëndetit na gjen të gjithëve në kohë të vështira. Mesazhi im sot shkon për punonjësit shëndetësorë si: infermierët, mamitë, teknikët, punonjësit e ndihmës së parë, farmacistët, mjekët, shoferët, administratorët dhe shumë të tjerë, të cilët punojnë natë e ditë për të na mbrojtur. Sot më shumë se kurrë jam thellësisht mirënjohës për ju që punoni pa pushim dhe rrezikoni jetët tuaja për të luftuar këtë pandemi të pamëshirshme. 2020 është viti ndërkombëtar i infermierëve dhe mamive, ndaj dua të nderoj ekspertizën dhe përkushtimin e tyre specifik”, tha Guterres.
Më tej, ai vijoi duke renditur arsyet pse të gjithë duhet të jenë mirënjohës ndaj infermierëve dhe mamive.
“Të gjithë kemi arsye për të falenderuar infermierët dhe mamitë për kujdesin dhe profesionalizmin e tyre. Unë kam shumë arsye. Krahas kësaj, infermierët mbajë mbi supe barrën më të madhe të kujdesit shëndetësor. Ata kryejnë detyra të vështira për orë të tëra duke rrezikuar të lëndohen, të infektohen dhe të vuajnë nga pasojat mendore që i shoqërojnë këto detyra traumatike. Shpeshherë ato ofrojnë shërbime në fund të jetës. Mamitë ofrojnë shërbime në fillim të jetës. Gjatë pandemisë, detyra e tyre vështirësohet edhe më shumë pasi duhet t’iu ofrojnë foshnjeve një ardhje të sigurtë në jetë”, shtoi Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.
Me përulje mbylli në fund deklaratën e tij, duke falenderuar edhe njëherë personelin mjekësor për punën e bërë.
“Infermierë dhe mami në mbarë botën: Ju falenderojmë! Në këto ditë traumatike iu them të gjithë punonjësve shëndetësorë: Besojmë te ju dhe jemi krah jush! Jemi krenarë për ju, jeni frymëzim për ne! Nuk do ta harrojmë kurrë këtë që po bëni për të gjithë! Faleminderit për ndryshimin që po bëni çdo ditë dhe kudo!”, mbylli fjalën e tij i emocionuar Guterres.