Ndërtimi i shtëpive të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit po ndërlikohet. Tenderi i hapur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit me një fond limit prej 5.22 miliardë lekësh, i cili do të shkonte për ndërtimin e banesave individuale në 10 bashki të vendit është anuluar, siç shihet në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik.
Theksohet se procedura është anuluar për shkak se asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.
Në datën 10 mars Fondi Shqiptar i Zhvillimit hapi garën ndërkombëtare për ndërtimin e shtëpive individuale sipas projekteve model (1+1, 1+2, 1+3) në territorin e bashkive Durrës, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë.
Me fondin e alokuar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit duhet të ndërtonte 2500 njësi banimi individuale, të cilat ndahen në 683 banesa 1+1, 972 banesa 2+1 dhe 845 banesa 3+1.