Vrasja e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe duke përdorur një armë të punuar me dorë ka ringjallur vëmendjen rreth armëve të zjarrit që mund të montohen në shtëpi nga pjesë individuale ose duke përdorur printera 3D.
Pamjet video treguan se sulmuesi qëlloi ndaj Abe të premten me një pajisje që kishte një dorezë pistolete dhe ku dukeshin dy tuba të mbuluar me shirit elektrik të zi. Policia arrestoi një 41-vjeçar në vendngjarje dhe tha se ai kishte pranuar krimin.
Arma kishte përmasa 40 centimetra me 20 centimetra dhe ishte bërë nga metali dhe druri, thanë zyrtarët lokalë para gazetarëve. Analistët thonë se i dyshuari mund ta kishte bërë armën brenda një ose dy ditësh pasi kishte marrë materialet e disponueshme.
“Prodhimi i armëve me një printer 3D dhe prodhimi i bombave mund të mësohen sot nga interneti nga kudo në botë,” tha Mitsuru Fukuda, një profesor i Universitetit Nihon i specializuar në menaxhimin e krizave dhe terrorizmit, i cili analizoi imazhet e armës së përdorur për vrasjen e ish-kryeministrit Abe.
Vitet e fundit ka pasur disa raste të njerëzve të arrestuar për prodhimin e armëve të zjarrit në mënyrë të paligjshme – zakonisht me ndihmën e printerëve 3D – jo vetëm në Japoni, por në vende të tjera të zhvilluara.
Armët e zjarrit të pagjurmueshme të bëra vetë po shfaqen gjithnjë e më shumë në të shtëna vdekjeprurëse në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe administrata e Biden u zotua në fillim të këtij viti të godiste “armët fantazmë” të palicensuara.
Në Evropë, ku ligjet për kontrollin e armëve janë shumë më të rrepta se në Shtetet e Bashkuara, kërcënimi që vjen nga armët e zjarrit pa leje është gjithashtu një shqetësim.
LEXONI GJITHASHTU: