Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka përgëzuar punën e Policisë, e cila pas një hetimi disa mujor arriti të arrestojë vëllezërit Klement dhe Eldi Çala të akuzuar për grabitjen e parave në barkun e avionit më 9 prill 2019 në Aeroportin e Rinasit.
Me një shënim në “Twitter”, ministri Lleshaj thotë se arrestimi i dy vëllezërve shënon një sukses të madh në luftën kundër krimit të organizuar. Sipas Lleshajt, laku ndaj bandës së rrezikshme të Rinasit është afruar sot drejt mbylljes së plotë.
“Kapja e dy protagonistëve kryesorë të grabitjes së vitit të kaluar në Rinas shënon një sukses të madh në luftën kundër krimit të organizuar. Laku ndaj bandës së rrezikshme të Rinasit është afruar sot drejt mbylljes së plotë.Kjo goditje është edhe një mesazh i rëndësishëm ndaj krimit: është vetëm çështje kohe! Përballja me ligjin dhe drejtësinë është e pashmangshme. Përgëzime për gjithë ekipin e Policisë së Shtetit që mundësoi këtë sukses inkurajues në këto ditë të vështira. Operacioni vazhdon”, shkruan Lleshaj.
Gazetari i Euronews Albania, Eni Ferhati raportoi se dy vëllezërit janë arrestuar në Qerret të Kavajës. Sipas asaj që raporton gazetari, bazuar në burime policore, bëhet me dije se të arrestuarit jetonin në një vilë me qira në këtë zonë.
Lexoni gjithashtu:
Supergrabitja në Aeroportin e Rinasit, arrestohen pas një viti vëllezërit Çala